Site icon Telegrafi

Si do të dukej paqja në Lindjen e Mesme sipas Netanyahut

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka përshëndetur marrëveshjet e fundit të ashtuquajtura “normalizimi” midis Izraelit dhe shteteve arabe, duke theksuar se palestinezët nuk duhet të kenë “veto” mbi marrëveshjet e tilla.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të premten në mëngjes, Netanyahu vlerësoi perspektivën e marrëdhënieve formale midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të ndërmjetësuar një pakt midis dyja vendeve.

Kryeministri izraelit dënoi gjithashtu qeverinë iraniane dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të marrë një qëndrim më të ashpër kundër Teheranit, raporton aljazeera.

Netanyahu përshkroi atë që ai e quajti vizion për paqe në Lindjen e Mesme, në të cilin shtetet arabe do ta pranonin ekzistencën e shtetit Izraelit pavarësisht çështjes palestineze.

“Kam kërkuar prej kohësh të bëj paqe me palestinezët. Por, unë gjithashtu besoj se ne nuk duhet t’u japim palestinezëve të drejtën e vetos për traktatet e reja të paqes me shtetet arabe. Palestinezët mund të përfitojnë shumë nga një paqe më e gjerë. Ata duhet të jenë pjesë e këtij procesi, por nuk duhet të kenë veto mbi procesin”, deklaroi ai.

Pak shtete arabe e kanë njohur Izraelin që nga themelimi i tij në vitin 1948, por administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ndihmoi në sigurimin e marrëveshjeve për të vendosur marrëdhënie midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut në vitin 2020.

Sudani gjithashtu ra dakord të bashkohej me marrëveshjet e normalizimit, të njohura zyrtarisht si Marrëveshjet e Abrahamit.

Më parë, pjesa më e madhe e rajonit e kishte kushtëzuar njohjen e Izraelit me krijimin e një shteti palestinez të qëndrueshëm me Jerusalemin Lindor si kryeqytet, siç është artikuluar në Iniciativën Arabe të Paqes.

Ky plan kërkon gjithashtu gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë për gjendjen e vështirë të refugjatëve palestinezë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version