Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë është pezulluar për një javë pa pagesë, pasi dyshohet se ka kërcënuar një gazetare që i kishte bërë pyetje në lidhje me jetën e tij private.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, TJ Ducklo thuhet se kërcënoi gazetaren e Politico-s, Tara Palmeri, e cila po hetonte marrëdhënien e tij me një gazetare tjetër.


Sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Jen Pskai, tha të premten se Ducklo i ka kërkuar falje gazetares Palmeri.

Disa vëzhgues e kanë kritikuar presidentin amerikan Joe Biden, pasi nuk ndërmori veprime më të rënda. Ai më parë kishte potencuar se do ta pushonte “në vend” këdo që flet me mos-respekt ndaj kolegëve.

Pezullimi i Ducklos, njëherësh zëvendës-sekretari i shtypit të Shtëpisë së Bardhë, erdhi pasi revista Vanity Fair raportoi mbi kërcënimet e tij të pretenduara ndaj gazetares Palmeri.

Gazetarja e Politico-s kishte hetuar marrëdhënien e Ducklo me Alexi McCammond, një gazetare e Axios, e cila kishte mbuluar fushatën zgjedhore të Biden.

“Unë do të të shkatërroj”, dyshohet t’i ketë thënë Ducklo gazetares Palmeri. /Telegrafi/