Spektakli më i madh medial i menduar si reality show, “Shpija e Kosovës” i cili filloi shtatë javë më parë në RTV-21 po hynë në fazën e dytë apo finale. Një organizim i tillë që ishte paralajmëruar me pompozitet, analizuar nga aspekti medial, shoqëror, por edhe shkencor, duhet shikuar si një nga “nismat rajonale”, në të cilat zakonisht ne kosovarët kyçemi më vonë, për të mos thënë provojmë të kopjojmë nga të tjerët.

Të imituarit apo të kopjuarit e modeleve është një trend sa tradicional po aq edhe bashkëkohor, por që gjithsesi kërkon shkathtësi dhe aftësi të caktuara. Një show i tillë për herë të parë është zhvilluar në Holandë nga një motër dhe një vëlla i cili ka qenë më i madh dhe ka filluar si eksperiment, por në fund doli si spektakli më i ndjekur atë vit.
Në këtë kontest a mund të themi se “Shpija e Kosovës” është një kopje origjinale, ose e shëmtuar, nëse e përdorim si pikë referimi apo krahasimi me spektaklet e tjera simotra në rajon edhe më gjerë?.


Analizuar nga fillet e organizimit të përpjekjeve për një reality show të përmasave të tilla, duket se fillimi ishte i mbarë sepse promovimi medial filloi shumë muaj më parë. Por, fazat e mëtutjeshme të projektit, sidomos rekrutimi dhe selektimi i kandidatëve- pjesëmarrësve, mbase lë shumëçka për të dëshiruar. Deficiti më i madh në këtë cikël ishte mungesa e ekspertëve të profileve të ndryshme , duke filluar nga psikologët, sociologët, analistët, ekspertët e burimeve njerëzore, etj. të cilët përzgjedhjen e banorëve të shtëpisë do ta bënin në mënyrë më profesionale.

Rekrutimi, selektimi dhe vlerësimi i performancës

Po t’i qasemi një trajtimi më shkencor menaxhimit të projekteve, në rastin tonë të një reality show, atëherë ai gjithsesi duhet të jetë një proces operacional që fillon me shqyrtimin e situatës duke analizuar funksionet themelore të menaxhimit: planifikimin, organizimin, drejtimin, rekrutimin dhe kontrollin të cilat më tutje degëzohen në aktivitete të tjera. Pikërisht mungesa e kësaj analize shkencore ka determinuar më vonë “kualitetin” e banorëve të shtëpisë të cilët do të duhej të ofronin show për audiencën e gjerë.

T’i analizojmë faktorët kyç nga të cilët varet (mos) suksesi i një projekti të tillë, ose le të pyetemi se si është bërë planifikimin e resurseve njerëzore, si është bërë rekrutimi i pjesëmarrësve brenda “shpisë”? A janë trajtuar apo ekzaminuar sa duhet kualifikimi edukativ, eksperienca, shkathtësitë komunikuese, planifikuese e menaxheriale dhe shkathtësitë e aktiviteteve ekipore apo në grup? Si është bërë më tutje selektimi i kandidatëve? Në bazë të intervistës, prezantimit, apo testeve praktike në fusha të caktuara tematike të cilat më vonë do të ishin pjesë e debateve brenda shtëpisë.

Objektiv i një seleksionimi për të futur akterët “në shpinë më të famshme të Kosovës” do të duhej të ishte parashikimi me më shumë saktësi i kapacitetit të një kandidati për të realizuar një mision të caktuar. Një seleksionim më i mirë do të ndihmonte efektivitetin e synimit për pritje dhe audiencë më të madhe.
Pasi që misioni i programeve të tilla, përveç të tjerash është dhe edukativ për publikun, do të duhej që më parë aplikantët t’i nënshtroheshin edhe testeve dhe aftësive intelektuale”të Zotit të shtëpisë”, që janë sinonime me inteligjencën e që do të reflektonin kapacitetin e aplikantëve për të trajtuar-debatuar problemet të cilat shoqëria i konsideron si të rëndësishme dhe me të cilat ballafaqohet aktualisht. Disa nga aftësitë intelektuale të domosdoshme për suksesin e një spektakli do të duhej të ishin: kompetenca verbale, fluiditeti verbal, arsyetimi nëpërmjet induksionit, memoria, shpejtësia e perceptimit dhe imagjinata në kohë dhe hapësirë.

Shterpësia debatuese

Skena ku zhvillohet spektakli “Shpija e Kosovës” është madhështore sikurse i gjithë realizimi teknik. Mbase madhështia e shtëpisë dhe organizimi i saj i brendshëm në fillim ka trembur banorët të cilët nuk ishin të përgatitur psiqikisht për të ditur se kjo sfidë e tyre, thellë brenda vetes është një eksperiment shpirtëror, psikologjik dhe social.
Sado qe organizatorët janë munduar të krijojnë ambiente që de facto janë shumë të pëlqyeshme dhe të bollshme, prapë ka handikap ne atë mori "lojtarësh" aty brenda.

Banorët nuk duhet të kishin komplekse të tipit kush jam, kë kam jashtë, se si do dukem nga jashtë, sepse këto meditime të tyre sjellin vetëm ngërçe, sjellje te kufizuara apo të paramenduara me fare pak spontanitet dhe me shumë humbje të bukurisë së lojës.
Për arsyet e përmendura sipër, jo vetëm te publiku , por edhe te organizatoret në fillim apo në ditët e para mbase ka ekzistuar rreziku që “shpija të shembej apo rrënohej”. Ishte e ftohtë, pa invencion, pa zhurmë dhe e largët por edhe e errët për audiencën.

Një parapërgatitje më e mirë nga ekspertët e menaxhimit të burimeve njerëzore do të rriste më shumë ankthin e banorëve dhe do t’i socializonte ata më shpejtë në shtëpinë e famshme.
Gjithsesi, spektakle të këtij lloji, në përbërjen dhe funksionimin e tyre pritet të sjellin debat te forte, i cili më së shumti është kritik, i rrepte, i thellë, por herë- herë edhe i ceket dhe le shumë për të dëshiruar.

Të pakta kanë qenë pritjet se banorët e shpisë nuk do të gjejnë tema për të trajtuar-debatuar. Në mungesë të ideve dhe përceptimeve debatin e filluan me privatizimin e ndërmarrjeve e cila temë edhe për ekspertët e ekonomisë vështirë gjen shpjegimin e duhur. Pse fare pak , ose aspak nuk e zunë ne gojë problemet ne fushën e arsimit, shëndetësisë, shërbimeve publike çështjet e shumta sociale,..., konflikti mes gjeneratave, problemet e integrimeve, kultura e komunikimit e shumë tema të tjera.

Një tjetër dukuri që bën përshtypje dhe le një shije të hidhur është mënyra e të folurit. Jo injoranca në mes banorëve, por bastardimi gjuhës shqipe apo komunikimi i tyre “tallava”.

Finalistët e mundshëm dhe të mbeturit e tjerë

Tani kur ka filluar faza e dytë e reality show “Shpija e Kosovës”, audienca ka filluar të identifikojë banorët-kandidatët potencial për finalen e parë.
Multidiciplinariteti i Fadilit, shpirti i tij artistik dhe altruist, eksperienca e tij jetësore dhe virtytet e tjera e bëjnë të jetë njeri ndër favoritët.

Zgjuarsia dhe serioziteti i Benit i cili dëshiron të bëhet i mirë me të gjithë, rezoni i tij erudit krahasuar me të tjerët dhe mungesa e konkurrencës së mirëfilltë i japin atij gjasë për shumën prej 24.000 €.

Energjia dhe mendimi pozitiv i Qëndrimit kanë reflektuar te publiku shqiptar. Një djalosh me shpirt shumë të madh, altruist, fëmijëror, i qeshur, i padjallëzuar,i sinqerte, i dashur, i vendosur i cili në momente ngacmon banorët e tjerë, por që i jep gjallëri shtëpisë.
Debati më i ashpër deri më tani brenda shtëpisë në mes të Qëndrimit dhe Benit rrezikon margjinalizimin e banorëve të tjerë të cilët mund të mbesin nën hijen e tyre.

Albulena është një protagoniste e rëndësishme e këtij spektakli. Një vajzë shumë burrërore dhe e padjallëzuar që përkushtohet të nxjerrë te të gjithë banorët anët e mira të tyre. E zonja e vetvetes e cila nuk kalon në ekstreme dhe që përpiqet të rrezatojë dashuri.
Edhe banorët e tjerë të mbetur kanë fansat e tyre duke pasur parasysh heterogjenitetin e shijeve dhe preferencave, por vlerësoj se të apostrofuarit sipër mbetën gladiatorët kryesor.

Shpija e ardhshme

Tashmë Big Brother, Grande Fratello apo Shpija e Kosovës, janë thjesht fenomene mediatike televizive, me qëllim thjesht argëtues për konsumatorin (publikun) dhe fitimprurës për investitorin (organizatorin dhe gjithë përbërësit e tyre). Ato janë fenomene që përveç zhurmës, provokojnë debat, provokojnë ndryshim opinionesh e mentalitetesh, zbulojnë ekstreme të virtyteve dhe zakoneve njerëzore dhe tentojnë t’i përplasin këto ekstreme me njëri-tjetrin.

Ngrija e cilësisë së reality show-ut të parë të këtij lloji te ne do të duhej të ishte objektivi kryesor. Për të arritur qëllimin e parashtruar duhet menduar që tani për identifikimin me të mirë i influencave.

Çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të shmangim dhe korrigjojmë?.
Çdo përpjekje për të nënvlerësuar disa nga fazat më të rëndësishme të këtij projekti siç janë rekrutimi, vlerësimi dhe performanca e banorëve të këtij viti, zvogëlon apo minimizon shanset për një kualitet të ri në vitin që vjen. Një feed-back i të gjithë akterëve të këtij reality show pas përfundimit të edicionit të parë të “Shpisë së Kosovës” në planin strategjik, është parapërgatitja më e mirë, sepse pa përzgjedhje të saktë apo të duhur të lojtarëve-banorëve nuk mund të ketë lojë-spektakël të bukur.

Ky show nuk duhet të harrojë misionin e tij edukativ dhe bëmirës. Spektatorët e shumtë dëshirojnë që kjo shfaqje të kthehet në një mjet ndikues në masat e gjëra që e përcjellin dhe të kihet parasysh mesazhi që u afrohet shikuesve, i cili mesazh duhet të reflektojë më shumë gjykimin dhe mendimin pozitiv për diversitetet e ndryshme që sjellin shoqëritë- sidomos ato tranzitore.

Mos te harrojmë se një show i tillë është shume i vështire për tu realizuar dhe kërkon përkushtim nga shumë akterë.

(Autori ka përfunduar studimet për master në menaxhment internacional)