Ekipet e shpëtimit kanë arritur tek 41 punëtorët indianë, të cilët kanë mbetur të bllokuar në një tunel të shembur në pjesën indiane të Himalajeve për më shumë se dy javë.
Autoritetet thonë se tani do t’i tërheqin ata përmes një tubi me diametër 90 centimetra, që e kanë futur nëpër rrënojat e tunelit, transmeton Telegrafi.
Punëtorët me paga të ulëta nga shtetet më të varfra të Indisë janë bllokuar në një tunel 4.5 kilometra të gjatë në Uttarakhand që nga 12 nëntori.
Ata merrnin ushqim, ujë, dritë, oksigjen dhe ilaçe përmes tubave, shkruan BBC.
Një makinë e madhe shpimi, e importuar nga SHBA, që po shponte horizontalisht nëpër rrënoja u prish të premten pasi u përplas me një barrierë metalike.
VIDEO | Uttarkashi tunnel rescue UPDATE: "In another three hours," says Chris Cooper, micro tunneling expert, in response to a query on when will the operation get over. pic.twitter.com/yizJjhhoGh
— Press Trust of India (@PTI_News) November 28, 2023
Autoritetet thanë se makina po riparohej dhe ndërkohë, 200 shpëtimtarë po shponin dhe hiqnin me dorë mbeturinat.
Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA) tha dje se ekipet e shpëtimit kanë filluar të shpojnë vertikalisht në zgavrën e tunelit ku janë bllokuar punëtorët.
Gjeologët kanë paralajmëruar se shpimi vertikal është një “rrezik i madh” sepse dridhjet e forta të shkaktuara nga shpimi, mund të përbëjnë “kërcënim të jashtëzakonshëm” dhe të destabilizojnë terrenin përreth, ku jetojnë të tjerët.
Zyrtarët e NDMA konfirmuan se shpimi vertikal filloi të dielën pasdite. /Telegrafi/