Shpërblehen gazetarët për storjet më të mira për varfërinë

Për storien më të mirë televizive çmime kanë marrë tri televizionet nacionale, RTK, RTV 21 dhe KTV.
Këtë çmim e kanë fituar gazetarët Merita Sekiraqa nga RTV21, Majlinda Aliu nga RTK dhe çmimin e tretë Taulant Qenaj KTV.
Me këtë rast, Qenaj tha se nuk e ka pritur këtë çmim, por se ndihet shumë mirë që po shpërblehet për punën që ka bërë.
“Faleminderit shumë për çmimin. Faktikisht nuk e prita. Nuk po e zgjas shumë pasi që folën të gjithë për problemin e varfërisë në Kosovë, por është një ndjenjë e mirë të marrësh një çmim për punën që e bën, për familjet që i ndihmojmë familjeve në përgjithësi ne gazetarët gjatë gjithë vitit. Faleminderit dhe një herë”, tha Qenaj.
Në versionin e mediave të shtypura ka fituar Besnik Krasniqi nga “Koha Ditore”, ndërsa çmimin në storien më të mirë të medieve online e ka fituar Gjeta Gjyshinca nga “Kosova 2.0”, kurse fotoreporteri i KosovaPress-it Xhemail Sllovinja ka fituar çmimin e parë për fotografi për varfërinë.
Çmimin për storien më të mirë në radio e ka fituar Serbeze Haxhiaj nga Radio Kosova.
Me këtë rast, koordinatori për Zhvillim në OKB, Andrew Russell, falënderoi gazetarët për punë që po e bëjnë, duke shtuar se ata duhet të kenë edhe synime globale për çrrënjosjen e varfërisë.
“Më 23 shtator kemi lansuar 17 synime globale për të çrrënjosur varfërinë për të promovuar përfshirjen dhe të gjitha gjërat që po festojmë sot dhe mijër a kosovarë kanë marrë pjesë në këtë proces .... ajo çka unë dua të nënvizoj këtu është se kur ishte fjala për të dizajnuar synime globale, ju {kosovarët} keni marrë pjesë si çdokush tjetër dhe siç thashë keni pasur një ndikim në këto synime. Do të doja t’i nxisja gazetarët këtu sot që t’i shikojnë synimet. Imi është barazia gjinore, por ju mund të keni tjetër. Ja ku jeni që 10 vite më këtë çmim dhe kemi një rrugë të gjatë për të bërë dhe synimet globale janë një kornizë shumë e mirë për të na ndihmuar të luftojmë varfërinë”, tha Rusell.
E kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, falënderoi Organizatat e Kombeve të Bashkuara për këtë përkrahje tash e 10 vjet me radhë. Sipas tij, OKB së bashku me gazetarët janë duke luftuar varfërinë me kontributin e tyre sado të vogël, duke nxitur kështu institucionet përgjegjëse për ta bërë këtë vend më të mirë.
Sipas Shabanit, këtë vit juria e ka pasur shumë të vështirë të bëjë përzgjedhjen e fituesve, për shkak se konkurrenca mes gazetarëve po rritet çdo herë e më shumë.
“Asociacioni i Gazetarëve edhe këtë vit si çdo herë ka qenë vëzhgues i procesit të përzgjedhjes së storieve më të mira për varfërinë. Në të gjitha kategoritë e listuara dhe informacionet që kanë qenë nën mbikëqyrje të jurisë përgjegjëse, kemi parë që qenë shumë sfidë dhe shumë vështirë e kanë pasur juria të zgjedhin në mesin e storieve më të mira, një storie të mirë. Që nga viti i kaluar po shoh që po rritet konkurrenca në mes gazetarëve dhe numri i raportimeve dhe kjo që kemi bërë për 10 vjet uroj që të mos vazhdojë edhe për 10 vjet të tjera, megjithatë edhe ne si gazetarë premto jmë që nuk do të ndalemi së shkruari, premtojmë që bashkërisht do luftojmë në çrrënjosjen e varfërisë dhe derisa secili qytetar të jetë i barabartë dhe secili qytetar të gëzoj të drejta të barabarta”, tha Shabani.
Ky është viti i 10 që Ekipi i Kombeve të Bashkuara-UNKT në partneritet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, ndajnë çdo vit çmimin për storiet më të mira për varfërinë, duke u munduar kështu t’i nxisin edhe më shumë gazetarët që të raportojnë për këtë dukuri, e cila fatkeqësisht ende është shumë e pranishme në Kosovë.


































