LAJMI I FUNDIT:

Shkelësit e ligjit sot, si do të veprojnë nesër

Shteti ligjor është deklaruar si përcaktimi kryesor i funksionimit të shtetit të Kosovës nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të vendit. Kështu është thënë dhe vazhdon të thuhet zëshëm, kumbueshëm dhe me këmbëngulje të rreptë, mirëpo, në anën tjetër, njëkohësisht dhe pikërisht këta deklarues të respektimit të ligjit, janë mosrespektuesit më të mëdhenj të ligjit, apo më mirë të themi janë shkelësit drastikë dhe përbuzësit më ordinerë, që nuk pushojnë së shkeluri të çdo lloj rregulle, por, edhe që marrin masa ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që aspirojnë të qëndrojnë në anën e mbrojtjes së ligjit.

2.
Fakti konkret i mosrespektimit të ligjit këtyre ditëve, mund të shihet dhe të vërtetohet katërçipërisht anembanë Kosovës me fushatën (antiligjore) parazgjedhore! Po konstatojmë kështu duke pasur parasysh se zgjedhjet janë manifesti më i shenjtë i vullnetit të lirë të njerëzve, që ka për synim ndërlidhjen me ligjin si vlerë mbrojtëse. Pra, zgjedhjet janë çelësi i krijimit të mekanizmit ligjor, dhe, nëse na ndodh që fushata parazgjedhore të fillojë me shkeljen e ligjit, atëherë këputet çdo shpresë e mundshme për “shtetin ligjor” të deklaruar nga institucionet dhe personalitetet më të larta dhe më përgjegjëse shtetërore të Kosovës. Do të dëshironim të mos jetë kështu, por mëngjesi nuk paralajmëron ditë fort të mirë…

Ka javë që elita politike e vendit dhe personalitetet me të shquara të vendit, kanë shqetësim dhe, flenë e zgjohen nga gjumi me gërshërë në qafë; papritueshëm enden anembanë Kosovës, nëpër fshatra e qytete, nëpër fusha e male, deri në cepat më të largëta të atdheut, duke prerë shirita te kuq, në përurime projektesh milionëshe, por duke mos i anashkaluar as ato 200 eurosh! Përurime dihet se duhet të ketë dhe.


Është nderuese kur në promovime marrin pjesë personalitetet më të larta të vendit, mirëpo, kjo punë e ka njëfarë karari, dihet saktë se kush ku e ka vendin dhe kush kur e në çfarë kuvendi duhet të jetë i pranishëm. Mirëpo, po veprohet ndryshe dhe, më e keqja është se, në shumicën e këtyre përurimeve tashme pa fije ngurrimi zhvillohet fushatë e pastër propaganduese parazgjedhore, absolutisht partiake, duke mos u brengosur fare se janë udhëheqës shtetëror dhe nuk u ka hije (nuk do të duhej të guxonin) që në raste të këtilla të shprehin qëndrime partiake.

3.
Ka javë që nëpër sheshet dhe vendet më të dukshme, të Prishtinës por edhe nëpër qytetet e tjera, janë vendosur spote e bill-borde gjigante me fotografitë e retushuara të kandidatëve partiakë për kryetarë komunash dhe pano nga me të ndryshmet me slogane giciluese për ardhmërinë e mëndafshtë që qytetarët do ta gëzojnë nëse ua japin votën. Në Prishtinë, fjala vjen, ende pa u certifikuar nga KQZ-ja, kanë shpërthyer billbordet me kandidatin e PDK-së, Astrit Salihun, këtë djalë të ri e ambicioz, të zotin në filozofi dhe të shkathtë në përcaktim politik, që deklarohet “Për Prishtinën që funksionon”.

Astriti ka bërë shumë mirë që ka pranuar një kandidaturë, që mund të jetë një sprovë interesante për të, edhe pse rezultati i saj mund të jetë i pakëndshëm, sepse, e ka kaçikun e vogël përballë Isa Mustafës, këtij personaliteti të shquar dhe me një përvojë kulmore profesionale, pikërisht në udhëheqjen komunale të Prishtinës. Kultura dhe qëndrimi i dinjitetshëm i profesorit Mustafa, i cili në rastin konkret hesht dhe pret afatin zyrtar dhe ligjor të daljes në fushatë, është një shenjë e mirë që flet për personin e tij shumë të dëshiruar për qeverisjen e një komune si Prishtina, së cilës i duhen figura si kjo.

Morëm shembull Prishtinën si rastin më të theksuar të shkeljes së ligjit, që këto ditë ka brengosur opinionin e gjerë, i cili ka arsye të shtroj pyetjen: nëse me mosrespektim të këtillë të ligjit e nisin ecjen kandidatët për kryetarë, athua çfarë do të ndodh me ta kur të bëhen kryetarë komunash, pra kur të bëhen ligjor dhe do ta gëzojnë forcën fuqiplote të vulosjes së vendimeve ligjore!

Arsye për shqetësim ka dhe është mirë që, ky shqetësim të shprehet me kohë.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta bëri mirë që zyrtarisht konstatoi se po ndodh shkelja e rregullave zgjedhore, se me reklamimin e kandidatëve përmes posterësh partiakë akoma pa u certifikuar, janë shkelje ligjore, me të cilat duhet të merret Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. “Duhet të merret” ka thënë znj. Lushta edhe pse do të dëshironim të thoshte: “Po merret!”