Shitja e paligjshme e klinkerit si “Portland Çimento” nga Dogana e Kosovës

Përmes kësaj vërejtjeje, informojmë publikun e gjerë dhe subjektet të cilat mund të kenë blerë këtë produkt, që produkti i ofruar për shitje nga Dogana e Kosovës ka qenë i prodhuar në fabrikën tonë dhe ashtu siç është i definuar nga Normat e Bashkimit Evropian, është KLINKER - produkt ky i ndërmjetshëm, i papërfunduar, i parregulluar dhe jo i tregtueshëm si material i ndërtimtarisë e jo siç pretendon Dogana e Kosovës, “Portland Çimento”. Si i tillë nuk lejohet të përdoret apo shitet si “Portland Çimento” në asnjë rrethanë, pasi që nuk është në përputhje me Normat dhe Specifikat për çimento të Bashkimit Evropian, Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.
"Si prodhues, mbajmë përgjegjësi ndaj të gjithë klientëve tonë potencial dhe autoriteteve shtetërore, për sigurinë e produkteve tona, duke përfshirë kështu edhe ofrimin e informatave të sakta rreth natyrës dhe specifikave teknike të produkteve që ne prodhojmë, me këtë rast, edhe një herë, informojmë publikun se produkti respektiv që është duke u ofruar për shitje nga Dogana e Kosovës si “Portland Çimento” është klinker dhe në asnjë rrethanë nuk mund të shitet apo përdoret si 'Portland Çimento'”, thuhet në komunikatën për media të Fabrikës së Çimentos Usje në Maqedoni.
Sipas ture, nëse ky produkt përdoret si “Portland Çimento” në ndërtimin e strukturave, këto struktura nuk do të jenë në pajtim me a) normat dhe praktikat e pranueshme ndërkombëtare dhe b) rregulloret e sigurisë që qeverisin ligjërisht materialet ndërtimore ku si rezultat do të ketë ndërtesa jo stabile dhe të pasigurta të ndërtuara me këtë material që do të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe sigurinë e popullit të Kosovës. "Ne deklarohemi fuqimisht që nuk mbajmë asnjë lloj përgjegjësie për çfarëdo pasoja që mund të ndodhin nga përdorimi i klinkerit të shitur si 'Portland Çimento'", thekson komunikata.
Klinkeri në fjalë, është duke u ofruar si refuz, prandaj do të jetë e pamundur të ndiqet dhe gjurmohet në mënyrë të sigurtë pasi të jetë plasuar në treg. Kështuqë, për shkak të mbrojtjes së Kompanisë sonë nga pasojat e mundshme, kemi vendosur që menjëherë të ndalojmë shitjen dhe eksportet e refuz Portland Çimentos në territorin e Republikës së Kosovës, nën brengën që çimentoja e jonë e rregullt që është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian do të identifikohet gabimisht sikur produkti ynë tjetër klinker, i cili është duke u vendosur në treg nga Dogana e Kosovës si “Portland Çimento” apo do të përzihet fizikisht me të.
"Për këtë arsye ne konsiderojmë Kompaninë tonë të përjashtuar nga tregu kosovar si rezultat i një vendimi të pabazë të Autoriteteve Doganore, ku ata riemërojnë produktin tonë dhe vendosin ate në qarkullim tregtar pa shpalosur rezultate ekzistuese të disa laboratorëve të pavarur dhe të certifikuar Evropian, të cilat kanë konfirmuar këtë produkt si klinker". /Telegrafi/

















































