Shekulli i shqiptarëve
Teksa iu referohej ngjarjeve të kobshme të Shqipërisë së ‘97-tës, gjeniu i letrave shqipe dhe ambasadori i denjë i kombit Ismail Kadare, në librin “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë” përshkruan një pikturë nga të përditshmet franceze ku njëra kokë e shqiponjës dykrerëshe, simbolit tonë kombëtar, përpiqej të hante kokën tjetër… A ishte shenjë papjekurie, lodhjeje apo fatalizmi? Së fundi a ishte e turpshme, pyeste me të drejtë Kadare.
Megjithëse i shkruar nën ethet e zhvillimeve fatale të kohës, profecia kadareane dhe konstatimet për një fillim shekull të mbarë për shqiptarët, sot në këtë fillim dekade të tij, janë të pamohueshme dhe si të tilla mjaftë impulsive kundrejt procesit të zhvillimit të gjithëmbarshëm kombëtar. Vështruar në kuptimin e veprës letrare, analizës, mesazhit apo thirrjes për ringjallje, vepra e Kadaresë si tërësi, e sidomos ajo e fundshekullit që lamë pas, me plotë të drejtë mundë të quhet vazhdimësi e Rilindjes Kombëtare dhe si e tillë radhitet në analet e krijimtarisë sonë shpirtërore që krijoi, lartësoi dhe ndërgjegjësoi vetëdijen kolektive për kombin.
Me gjithë se të vonuar dhe jo rrallë të humbur në shtigjet e gjetjes dhe forcimit të ndërgjegjes se vërtetë përbëjnë një komb, shqiptarët shumë vonë e kuptuan se janë pjesë e cunguar e civilizimit të vjetër europian. Në kërkim të identitetit të tyre ata kishin një adresë. Përballimi i invadimit teologjik ortodoks e otoman shoqëruar gjithherë me terror brutal psikik dhe fizik, ishte barrierë shumë e kushtueshme për lartësimin e vetëdijes kombëtare. Nën himnet e Rilindjes Kombëtare për kishat, xhamitë, për fenë e shqiptarit dhe shqiptarinë, identiteti kombëtar u rrënjos përfundimisht në fondamentet e gjuhës si themeluese e kombit , arsimit dhe dijes si shtyllë e tij. Megjithëse u bashkuan në identitetin e tyre nacional, shqiptarët jo me dëshirën e tyre, ndoshta për fajin e ngecjes në proceset që vendosën për fatin e tyre, që atëherë vazhdojnë të jenë të ndarë nga kufij sa mohues po aq frymëzues për ta.
Fillim shekulli i ri, qoftë si rezultat i sakrificës sonë kombëtare, por edhe unifikimit ideor të elitës intelektuale të kësaj kohe, u manifestua nën prejudikimet biblike të gjeniut Kadare. Filloi dhe vazhdon të jetë shekull i shqiptarëve. Kumti njerëzor që në permanencë nga thellësia e tij kërkon origjinën e vjetër , vazhdon të jetë rrugë e gjatë për shqiptarët. Integrimi edhe faktik në gjirin e përbashkët kombëtar është sfidë kombëtare e hapësirës shqiptare. Padrejtësitë shekullore që i lanë në margjinat e fatit të tyre, bashkë më naivitetin e inteligjencës së qarqeve fodulliste të akademikëve tanë, për shqiptarët duhet të jenë histori e hidhur prej së cilës domosdoshmërisht duhet nxjerr mësimet.
Sot shqiptarët vazhdojnë të popullojnë hapësirën dërmuese të Gadishullit Ballkanik.
Pavarësisht se ku, në territorin e Republikës së Shqipërisë, atë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë apo Greqisë, ajo që tradicionalisht i mban të lidhur në vazhdimësi janë simbolet kombëtare, gjuha, doket dhe zakonet e që janë karakteristikat tipike që përbëjnë tërësinë e asaj që ne e quajmë komb. Në teorinë e filozofisë politike dhe atë të së drejtës është po thuajse e pamundur të gjesh shembuj më tipik të elementeve kombëtare se sa tek shqiptarët, që i mbajnë të lidhur mes vete në kaq shumë njësi të mëvetëshme administrative. Kjo me automatizëm, veç edhe shumë të tjerash, hedhë poshtë trendin për krijimin e identiteteve të reja kombëtare, vetëm si rezultat i zhvillimeve politike në hapësirat jashtë Shqipërisë londineze.
Identifikimi i shqiptarëve etnik, sipas prapashtesave të shteteve ku jetojnë, do të thotë që një shqiptar i Preshevës të bëhet serb, sepse juridikisht jeton në një territor që zyrtarisht administrohet nga Serbia, një shqiptar i Maqedonisë maqedonas, ai i Greqisë, grek etj. etj. Ideologjia e zhbërjes, shthurjes së moralit nacional dhe tendencës për shkombëtarizim i qarqeve të caktuara, tashmë të njohura shqipfolëse, me gjithë intensifikimin enorm të aktiviteteve promovuese të frymës së tyre , gradualisht po tkurret nën trysninë spontane që shqiptarët anë e këndë trojeve të tyre po u bëjnë, ndoshta edhe pa vetëdije.
Lëvizja e lirë dhe qarkullimi masovik i kapitalit njerëzor në hapësirën shqiptare, edhe pse i pa organizuar institucionalisht vazhdon të thyej rekorde. Superstradat e reja që me të drejtë po quhen edhe si arteriet e kombit kanë bërë që distancat në hapësirat shqiptare nga ditët të shndërrohen në orë e nga orët në minuta. Manifestimi i bashkëpunimit kulturor mes artistëve të Tiranës, Prishtinës, Shkupit etj. gjithmonë si rezultat edhe i afërsisë shoqërore dhe leverdisë materiale, po thellohet dhe po tejkalon mendësinë e diçkaje të jashtëzakonshme dhe po shndërrohet në diçka normale dhe që mësohemi ta shohim çdo ditë. Qarkullimi Tiranë-Prishtinë është shndërruar në rutinën tonë ditore, apo ndoshta edhe atë të pushimeve të fundjavës.
Të freskohesh me një kafe tek Blloku në Tiranë, pranë Vardarit në Shkup, apo të soditësh Adriatikun nga kalaja shekullore në Ulqin nën tingujt e muzikës së lehtë shqipe, sot nuk është asgjë e jashtëzakonshme në kuptimin e përditshmërisë. Asgjë për t’u shënuar siç ndodhte rëndom në të kaluarën. Është diçka që neve na ndodhë çdo ditë. Komunikimi në hapësirën shqiptare ka kapërcyer lëvizjet shtet me shtet. Ne sot vizitojmë, Shkodrën e jo Shqipërinë, vizitojmë Strugën e jo Maqedoninë…edhe pse jo faktike në tërësinë e saj, shpirtërisht është ndjenjë e lëvizjes brenda një territori. Dhe kjo është e mira e asaj që historikisht ka shoqëruar shqiptarët.
Ndjenja e të qenit solidar me kërkesat reciproke që tërhiqen natyrshëm si pjesë të copëtuara të një tërësie. Edhe pse spontanisht, në momentet kruciale të zhvillimit të kombit, po tejkalohen politikat ditore, absolutisht të çakorduara në raport me filozofinë e integrimit kombëtar. Veshja e zërave me konotacion zyrtar që thërrasin për “kosovarizimin” e shqiptarëve të Kosovës është thirrje për shkombëtarizimin e tyre dhe zhveshjen nga kultura, doket dhe zakonet shekullore. Fshehja pas presionit të qarqeve të caktuara ndërkombëtare, që synim kanë zhbërjen apo dobësimin e shqiptarëve në Ballkan, sot kombëtarisht është krim.
Mëvetësia politike e Kosovës, të drejtat e avancuara shqiptare në Maqedoni si pjesë e vendimmarrjes shtetërore, shqiptarët si pjesë e sistemit politik në Malin e Zi, janë realitet që duhet jetësuar me harmonizimin konkret të kërkesave që dalin si rezultat i bashkëpunimin shumëdimensional në fusha të ndryshme. Nëse kërkesa për Shqipërinë Etnike si tërësi unike territoriale dhe shtetërore është tretur në formë të sakrificës nacionale dhe ëndrrës së ndrydhur thellë në vetëdijen tonë kombëtare, si rezultat i presionit dhe gjeopolitikës globale, sot askush nuk pengon shqiptarët që si rezultat i materializimit të vullnetit të tyre politik të ndërtojnë ura të qëndrueshme bashkëpunimi.
Kush pengon shqiptarët që me marrëveshje reciproke të ulin taksat doganore? Që trupa e teatrit të Shkodrës të jep shfaqje të rregullta në Prizren e ajo e Prishtinës në Tiranë e Tetovë? Që një mësimdhënës shqiptar në Prishtinë të jetë i rregullt në leksionet e tij tek studentët e tij në Vlorë? Që Trupa e Baletit të Prishtinës të jep shfaqje para çamëve në Greqi? Kush pengon harmonizimin e planprogrameve mësimore në gjuhën shqipe? Pse nuk hartohet një strategji e përbashkët politike Tiranë- Prishtinë për integrim të përbashkët në Bashkimin Evropian? Kush, kush, kush… Të shumta janë pyetjet që i referohen një përgjigjeje të vetme…vullnetit politik të lidershipit aktual të qeverive shqiptare.
Integrimi shqiptar është i destinuar të dështoj përderisa mbetet në fazën e deklarimeve politike, që synim kanë fshehjen dhe devijimin e vëmendjes qytetare nga krimet ditore të politikës së përfitimeve personale, apo klanore. Integrimi kombëtar gradualisht duhet të shndërrohet në doktrinën dominuese të politikës sonë kombëtare. Duhet të shndërrohet edhe në lëndë mësimi në shkolla të përgatitjes së mesme dhe superiore. Akademitë shqiptare të shkencave duhet të dalin nga amullia që turpërisht i ka kapluar si rezultat i vdekjes ideologjike në raport me kombin. Roli i tyre në shoqërinë shqiptare duhet të transformohet dhe të bëhet dominant. Duhet tejkaluar interesi personal.
Historia e bërjes së kombeve përgjithësisht është shoqëruar me gjak dhe humbje të mëdha. Kardinali francez Dë Risheljë, me “raison d’etat”, apo sistemin e balancimit të forcave, krijoi i pari konceptin e kombit shtet duke vënë interesat nacionale mbi ato fetare. “Mëkati“ që i bëri kishës në llogari të kombit të tij shkoi aq larg sa që Papa Urbani i VIII thuhet që është shprehur se “Në rast se ka Zot, Kardinali Risheljë do të ketë shumë përse të japë llogari. Në rast se nuk ka…atëherë ai paska patur suksese në jetë”(Henry Kissinger). Dhe në fakt sukseset e tij në jetë iu atribuuan Francës së tij, që pastaj determinoi fuqinë politike dhe ushtarake në Europë.
Mëkat më të madh se të punosh kundër interesave të përkatësisë tënde kombëtare nuk ka, do të konstatonin analistët për filozofinë e kardinalit Dë Risheljë. Sot të punosh kundër kombit dhe shtetit që me aq mundë e sakrificë e bënë shqiptarët, do të thotë ta zhbësh historinë tonë kombëtare. Të bësh mëkat. Shqiptarë, veq “kapërdimit” të njëri tjetrit, siq figurtativisht do ta përshkruante Kadare pikturën me krërët e shqiponjës në të përditshmen franceze, apo edhe kompenzimi i kohës së humbur në historinë e kërkimit të identitetit të tyre kombëtar, duhet ta zëvendësojnë me punë dhe angazhim të shtuar në ndritjen e idaleve kombëtare. Kështu është e domosdoshme që pozicionimi i figurave reflektuese të kombit në pozitat e vendimmarrjes të bëhet realitet.
Iniciativat e individëve, qoftë edhe përmes kësaj forme të krijimit të hapësirave meritore në kuadër të politikave edituese të gazetave kombëtarisht korrekte, janë impuls shtesë në procesin e sensibilizimit të vetëdijes kolektive. Nëse dikur Konica ynë i madh e pa Shqipërinë të bërë… sot një pasues i tij me një dritare të re të komunikimit kombëtar po i bën shqiptarët…


































