Telegrafi

Sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Kosova më 27 maj në agjendë, Hyseni: Presim epilog pozitiv  

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Hyseni në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se çështja e avancimit të statusit të Kosovës do të jetë në rend dite të hënën, më 27 maj në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, punimet e së cilit sesion kanë nisur sot dhe do të vazhdojnë deri të hënën.

Hyseni në një prononcim për Telegrafin tha se delegacioni i Kosovës ka arritur të premten në mbrëmje në Sofje të Bullgarisë dhe do të merr pjesë në punimet tre ditore të sesionit pranveror të Asamblesë.

Lexo po ashtu Sot nis sesioni pranveror treditor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në agjendë edhe Kosova  

“Si rrjedhojë e vendimit të Komitetit të përhershëm drejtues të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i votuar më 24 mars të këtij viti, në favor të ngritjes së statusit të delegacionit të Kosovës, ju konfirmoj se çështja e tillë është në agjendën e punimeve të Asamblesë dhe për të pritet votimi me shumicën e deputetëve në Asamblenë Parlamentare të NATO-s më 27 maj”, tha ai.

Deputeti nga radhët e LVV-së tha se presin epilog pozitiv dhe zyrtarizim të plotë të statusit të ri të delegacionit nga Kosova, si anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ndryshe, në muajin mars edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Shqipërisë, Mimi Kodhelli në një postim në Facebook kishte treguar lidhur me procesin e votimit në Komisionin e Përhershëm të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Kodheli kishte njoftuar se pas një diskutimi të gjatë në Byronë e Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht me mbështetjen e kolegëve amerikanë dhe britanikë kanë arritur të votojnë në Komisionin e Përhershëm një kërkesë të hershme të Kuvendit të Kosovës, avancimin e statusit. /Telegrafi/