LAJMI I FUNDIT:

Sesioni i 13-të i ECP-së, vitin e ardhshëm në Prishtinë

Sesioni i 13-të i ECP-së, vitin e ardhshëm në Prishtinë

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, po merr pjesë në sesionin e 12-të të Parlamentit Kulturor Evropian (ECP), që këtë vit po mbahet në Edinburgh të Skocisë. Ai të mërkurën është takuar me Karl-Erik Norrman, sekretar i përgjithshëm i ECP-së dhe Par Stenback, kryetar i Senatit, me të cilët ka diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje që në vitin e ardhshëm, sesioni i 13-të i ECP-së të mbahet në Prishtinë.

Palët janë pajtuar që një gjë e tillë të ndodhë në vendin tonë, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm në afirmimin e skenës kulturore të Kosovës dhe lidhjes së bashkëpunimit mes ECP-së, MKRS-së dhe mekanizmave tjerë të kulturës në Kosovë dhe Evropë.

Ministri Krasniqi tha se mbajtja e këtij sesioni në Prishtinë është e një rëndësie të veçantë për kulturën në Kosovë, pasi me këtë do të shkëmbehen përvoja të ndryshme të zhvillimit dhe promovimit të kulturës. Ai tha se MKRS-ja do të jetë shumë e përkushtuar që ky sesion të jetë vërtetë sa më cilësor dhe të ketë sa më shumë pjesëmarrës nga e mbarë Evropa.

Krasniqi në këtë takim ka prezantuar të arriturat në fushën e kulturës në Kosovë por edhe sfidat të cilat e presin në të ardhmen. Ai përmendi se Kosova ka një kalendar kulturor mjaft të larmishëm dhe se çdo ditë e më shumë po zgjon interesim të shumë artistëve nga e mbarë bota. Ai shtoi se artistët nga Kosova në shumë fusha kanë treguar mjaftë suksese në shumë ngjarje kulturore ndërkombëtare. Kështu, ai tha, se me hapjen e më shumë dyerve, Kosova do të japë shumë kontribut në skenën kulturore evropiane.


Nga ana tjetër, drejtuesit e ECP-së, Norrman dhe Stenback, e kanë konsideruar si një ngjarje shumë me rëndësi që në vitin e ardhshëm sesioni i radhës të mbahet në Prishtinë. Ata kanë falënderuar ministrin për bashkëpunimin, duke thënë se do të punojnë mjaft që sesioni në Prishtinë të jetë vërtet një aktivitet shumë më rëndësi për kulturën në përgjithësi.

Në margjina të sesionit, Krasniqi ka takuar edhe përfaqësues të shumtë të skenës politike e kulturore të Evropës, që janë pjesëmarrës në këtë aktivitet.

Ky sesionin që po mbahet në Edinburgh ka për temë lirinë e shprehjes, pjesëmarrjen dhe promovimin e politikave kulturore të përgjithshme e po ashtu edhe krijimtarinë individuale. Të enjten, ministri Krasniqi do t’u drejtohet me një fjalë rasti pjesëmarrësve në këtë sesion, e ku do të flasë në përgjithësi për zhvillimet në skenën kulturore në Kosovë.

Në sesionin e 12-të nga Kosova po marrin pjesë edhe anëtarët e rregullt e ECP-së nga Kosova, drejtori i Galerisë Kombëtare, Erzen Shkololli, si dhe anëtarët e fundit të propozuar nga Ministri Krasniqi, sipas kërkesës së ECP-së, Veton Nurkollari dhe Eliza Hoxha. /Telegrafi/