Kështu ka deklaruar presidenti, Fatmir Sejdiu, gjatë takimit me Livia Plaks, presidente e Projektit për marrëdhënie etnike nga SHBA-ja.

Duke e sqaruar qasjen e Prishtinës zyrtare, e cila përmblidhet në Traktatin e miqësisë dhe të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Serbisë, Sejdiu theksoi se Kosova është e gatshme ta shtrijë dorën e bashkëpunimit në mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane, të cilat kanë interesa për bashkëpunim në shumë fusha dhe në fqinjësi të mirë mes vete.

Po ashtu, ai ripohoi se Kosova është e gatshme t’i garantojë të drejtat e komuniteteve pakicë, sipas standardeve më të larta, siç edhe parashihen me pakon e presidentit Ahtisaari.

Ndërsa, Plaks e përgëzoi presidentin Sejdiu për rolin e tij unifikues në Ekipin e Unitetit, duke thënë se një unitet i tillë është tepër i nevojshëm për procesin e zgjidhjes së statusit.

Ajo shprehu keqardhjen që serbët e Kosovës hamenden rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme nacionale dhe lokale në Kosovë, meqë, si tha ajo, pjesëmarrja në zgjedhje është më se e nevojshme për përfaqësimin e tyre në institucione, si dhe për t’u integruar në shoqëri.