Paul Scholes e ka kritikuar Paul Pogban duke thënë se mesfushori i Manchester Unitedit ka bërë gjëra pa lidhje në ndeshjen e të dielës kundër West Bromwich Albion.
Francezi e nisi ndeshjen nga fillimi ndaj WBA, mirëpo u largua nga loja pas 58 minutash, pasi Djajtë e Kuq ishin duke humbur nga ekipi i fundit në tabelën e Ligës Premier.
Humbja e Unitedit bëri që Manchester City të shpallej kampion i Anglisë për edicionin 2017/2018.
“Mendoj se ishte mungesë respekti ndaj trajnerit të tij mënyra se si luajti këtu (ndaj West Bromit). Nga ai pritet që të hyjë në fushë dhe ta bëjë spektaklin ‘Paul Pogba’, që është gjë e mirë, që është ajo që nevojitet”.
“Mirëpo, ai ka dalë dhe ka bërë gjëra pa lidhje – të cilat nuk i fitojnë ndeshjet. Është çmenduri. Pasime të këqija, gjë e zakonshme”.
“Ai nuk është i vetmi që nuk ka luajtur ashtu siç është dashur. Mendoj se edhe (Alexis) Sanchez, lojtari i shkëlqyer që ka qenë te Arsenali dhe Barcelona – ka ardhur këtu dhe ka qenë zhgënjyes”, është shprehur Scholes për BT Sport.
Në muajt e fundit, Pogba nuk ka qenë në formacioni startues të Jose Mourinhos dhe është duke u spekuluar se mund të largohet nga Unitedi.
Kur është pyetur për këtë gjë Scholes, ish-mesfushori i Djajve të Kuq ka thënë: “Mendoj se duhet (të largohet). Pogba dhe Mourinho i kanë prishur raportet”.
“Nuk e di, nuk flas me askënd te klubi, por nga jashtë duket se raportet nuk janë të mirë. Dhe kur e sheh një paraqitje si ajo e të dielës, atëherë e kupton se atij nuk i intereson se çfarë i thotë trajneri”.
“Mendoj se kjo është një mungesë respekti ndaj trajnerit dhe ndaj bashkëlojtarëve”, ka shtuar ai. /Telegrafi/