LAJMI I FUNDIT:

Rupel: Nuk kemi hequr dorë nga plani i Ahtisaarit

Rupel: Nuk kemi hequr dorë nga plani i Ahtisaarit

Sllovenia dëshiron që statusi i Kosovës të zgjidhet me herët, mirëpo është e gatshme që të përballet me ketë problem, kur më 1 janar të vitit vijues, të merr kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian, ka vlerësuar sot në Prishtinë ministri slloven i Punëve të Jashtme, Dimitrij Rupel.

“Sllovenia po harton kalendarin e aktiviteteve ndërsa Kosova do të jetë prioritet”, ka thënë Rupel. Shefi i diplomacisë sllovene po ashtu ka thënë se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk e ka braktisur planin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari për statusin e Kosovës. Ndërkaq dokumentin prej 14 pikash të treshes ndërmjetësuese për statusin e Kosovës, Rupel e ka përshkruar si synim për mbushjen zbrazëtirave në mes të palëve.

“Nuk ka pasur ndonjë deklaratë nga BE-ja që mund të interpretohet si braktisje apo heqje dorë nga plani i Ahtisaarit. Në njëfarë mënyre plani i Ahtisaarit shërben si orientim i yni. Ajo që mundohet të bëjë treshja është mbyllja e zbrazëtirave, apo përafrimi i qëndrimeve të ndryshme ndërmjet palëve”, tha Rupel.

Sipas tij, Bashkimi Evropian mban përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje valide për statusin e Kosovës dhe Sllovenia është e gatshme që të jap kontributin e saj për këtë çështje.


Rupel në Prishtinë është takuar me shefin e UNMIK-ut, Joachim Ruecker, dhe me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun.