Rritje e ndjeshme e trafikut ajror në Kosovë, rreth 400 mijë persona udhëtuan me aeroplan në prill

Sektori i transportit ajror dhe hekurudhor në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme në muajin prill të këtij viti, duke reflektuar një rimëkëmbje të qartë të mobilitetit të udhëtarëve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë prillit 2025 janë realizuar 1,166 fluturime, krahasuar me 976 fluturime në prill 2024 – që përbën një rritje prej 19.5%.
Edhe më e theksuar është rritja në numrin e udhëtarëve: 399,207 persona kanë udhëtuar me aeroplan në prill 2025, krahasuar me 326,313 në të njëjtin muaj të vitit paraprak – një rritje prej 22.3%.
Numri i udhëtarëve në ardhje u rrit në 201,175 (nga 162,648), me një ngritje prej 23.7%
Ndërsa në shkuarje ishte 198,032, duke u rritur 21% nga prilli i vitit të kaluar.
Rritje rekord edhe në transportin hekurudhor
Përveç transportit ajror, edhe transporti hekurudhor ka shënuar një përmirësim të dukshëm. 8,045 udhëtarë përdorën trenin në prill 2025, që paraqet një rritje prej 44.4% krahasuar me prillin 2024.
Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje në numrin e udhëtarëve, transporti i mallrave me hekurudhë ka mbetur në zero, duke reflektuar sfida në këtë sektor, sidomos për infrastrukturën e mallrave./Telegrafi/

















































