Rrëfimi i babait të Florenc Beqirajt që vdiq në Francë: Florencit ia fshinë në spital shenjat e dhunës

I mbuluar me flamurin shqiptar, trupi i pajetë i Florenc Beqirajt ka mbërritur të enjten në Shkodër. Kortezhi nga Franca u ndal në Gjermani e më pas nga Frankfurti në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.
Nga Rinasi, i shoqëruar nga babai, Gëzim Beqiraj dhe disa prej shokëve të tij që dolën për ta pritur, kortezhi mbërriti në Shkodër. Në rrugën hyrëse të qytetit ku banon familja Beqiraj, me dhjetëra miq, familjarë, shokë e fqinj pritën trupin e 23-vjeçarit, i cili vdiq një javë më parë në rrethana ende të paqarta në spitalin Nord të Marsejës.
Pak metra përpara banesës ishte ngritur një çadër, në të cilën qëndroi babai dhe të gjithë burrat e djemtë që shkonin për ta ngushëlluar.
Heshtja ka zgjatur pak, derisa arkivoli mbërriti përpara njerëzve më të afërt; nënës, motrës e gjyshes së Florenc Beqirajt. Dhimbje e madhe e lot pafund. Çaste, të cilat askush nuk do donte t’i përjetonte për asnjë lloj arsyeje. Disa prej familjarëve të afërt nga dëshpërimi pësuan gjendje të fikti. Disa herë u desh një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës për t’i dërguar drejt urgjencës për t’u dhënë ndihmën e shpejtë.
Nëna, Laureta Beqiraj, mes dhimbjes së madhe qëndroi stoike, ndërsa motra e të riut, Florenca Beqiraj nuk mundi të përmbahej. Fotografitë e 23-vjeçarit rrethuan të gjithë vendin, qoftë jashtë tek çadra e pritjes për burrat, por edhe brenda në dhomën e vogël të familjes së varfër shkodrane.
“Kush të vrau në lule të rinisë? Pse të vranë o djali ynë!? Ku me të marrë nëna ty. Nuk e meritove more bir. Pse s’të sollën të gjallë o djalë”, – ishin disa prej fjalëve që u dëgjuan gjatë vajtimit. Lulet mbi arkivol e fotografia mbi kokën e nënës e së motrës dukeshin si një përgjigje e Florencit.
Babai i Florenc Beqirajt, Gëzim Beqiraj shoqëroi nga Franca deri në Shkodër djalin e tij. Në momentet e fundit iu gjend pranë në spitalin e Marsejës ende pa dhënë shpirt. Gëzim Beqiraj kërkon drejtësi, ndërsa tregoi se si ka parë shenjat e dhunës në trupin e të birit.
“Fillimisht dua të falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan në këto ditë të vështira. Unë kam një falënderim të përzemërt për të gjithë ata vëllezër shqiptarë që u solidarizuan me familjen tonë dhe dhimbjen e madhe që po përjetojmë. Dua të falënderoj të gjithë ata shqiptarë në Francë dhe Europë, të cilët m’u gjenden pranë në momentet më të vështira të jetës sime. Ata më ndihmuan për çdo që kishim nevojë dhe dua t’i falënderoj pa masë. Një falënderim kam për Presidencën, e cila na mundësoi ardhjen e trupit të Florencit nga Franca deri në Shkodër”, u shpreh Gëzim Beqiraj. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Gëzimi kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Çfarë mund të thoni për ngjarjen në këto momente të vështira?
Do Zoti e bëhet drejtësi për djalin tim. Meqë im bir iku nga kjo jetë, të paktën të ketë drejtësi për atë që ka ndodhur. Nuk di çfarë të them.
A kishte shenja dhune Florenci dhe kur e keni parë në spital në Francë?
Po, ka pasur shenja dhune. I dhunuar ka qenë. Unë kam gjetur shenjën e dhunës në dorën e djalit tim. Kam marrë fotografinë dhe ia kam dhënë avokatit në Francë, ku shihet dhuna në dorën e djalit. Askush të mos thotë se nuk ka pasur shenja dhune.
Ku kishte shenja, apo vetëm në dorë?
Kishte edhe në dorë, por edhe në krahë. Kur kam shkuar të nesërmen në spital, ia kishin fshirë komplet shenjat e dhunës dhe nuk e kuptoj përse e kanë bërë një gjë të tillë, sepse kjo është për të fshehur atë që ka ndodhur dhe për të mos zbuluar të vërtetën. Tek fyti kishte shenjën e telit dhe nuk ishte litar, siç thonë.
Thuhet që Florenci ka tentuar vetëvrasjen?
Jo, nuk është e vërtetë. Ka telin në fyt dhe jo shenjë litari. Ashtu si në fyt, ashtu e ka pasur edhe në dorën e tij.
Si është e mundur që ia kanë hequr tubat e oksigjenit në spital, siç pretendon familja juaj?
Këtë nuk e di ta them, por ashtu ka ndodhur. E di spitali më mirë se përse e ka bërë dhe si e kanë bërë. Unë nuk jam doktor dhe kam pasur hall të madh atje. Dëshira ime ishte që djali të vinte i gjallë deri në Shkodër dhe jo i vdekur në derë të nënës e motrës së tij. Do Zoti që refugjatët e tjerë që janë në Europë nuk kanë fatin e djalit tim. I ndodhi djalit tim, por nuk ia uroj askujt tjetër, sepse është shumë e rëndë. Ka shumë si djali im atje në Francë, që nuk kujdeset askush për ta.
A keni firmosur tek spitali për heqjen e tubave të oksigjenit, siç ju është kërkuar?
Jo, nuk kam firmosur. Nuk më ka shkuar mendja të mbys djalin tim me duart e mia. Ku ka prind që mbyt fëmijën e vet dhe që e bën atë punë!
Çfarë kërkoni ju?
Asgjë tjetër, përveçse drejtësi. Dua që të zbardhet kjo ngjarje. Unë nuk merrem me politikë dhe as nuk më intereson politika. Unë jam njeri i varfër dhe kërkoj drejtësi. Më ka premtuar Presidenti i Republikës se do të gjendet një zgjidhje për ta zbardhur çështjen. Unë kam besim tek presidenti duke qenë se mundësoi edhe ardhjen e trupit deri në Shkodër. /GSH/Telegrafi/


































