LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimet e grave që ishin pjesë e UÇK-së

Rrëfimet e grave që ishin pjesë e UÇK-së

Gratë që shërbyen si pjesëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe sot mbajnë të gjalla kujtimet që nuk ua mori lufta.

Hyrije Veliu, Zymrije Vitija, Ramize Sadiku e Ibadete Canolli ende i kanë të kthjellëta kujtimet e plagët e luftës, gjersa ishin pjesë e ushtrisë.

Këto 4 gra, në një rrëfim për regjisoren Jonada Jashari kanë treguar historitë e tyre të luftës.


Këto rrëfime janë prodhuar nga regjisorja Jonada Jashari, në bashkëpunim me Sektorin e Kategorive të Dala nga Lufta në Komunën e Prishtinës.

Këto intervista të plota janë ekspozuar fillimisht në Muzeun e Shtëpisë së Gazetarëve, REPORTING HOUSE, në qendër të Prishtinës, te ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave GËRMIA.

Hyrije Veliu ishte ideatorja e cila krijoi njësinë e parë të vajzave të UÇK-së me emrin ‘Vajzat me Kordele të kuqe’.

Mirëpo, aktivitetin politik, fillimisht e nisi si pjesëtare e Lidhjes Popullore të Kosovës (LPK), duke marrë pjesë në organizmin e Lëvizjes Studentore dhe organizmin e protestës studentore më 1 tetor të vitit 1997.

Asokohe, ndonëse ishte vetëm 24-vjeçare, Hyrija tregon se si ndoqi rrugën për t’u bërë pjesë e UÇK-së.

Porosinë e babait të saj e kujton edhe sot para se në niste rrugën për çlirim dhe liri.

“Ai më përshëndeti dhe më tha ‘vetëm përballë plumbi të të marrë, jo në shpinë”, rrëfen ajo.

Duke bërë thirrje edhe tek vajzat e tjera në vend, Hyrija arritit të krijojë edhe një njësi të dytë të vajzave me po të njëjtin emër.

Mes dhimbjes e kujtimeve për shokët e shoqet e saja dëshmorë, Hyrija rrëfen betejat e vështirësitë gjatë ofensivave të njëpasnjëshme.


Hyrije Veliu

Ajo thotë se pas ofensivës së shtatorit, përjetuan fazën më kritike të luftës në rajonin e Dukagjinit duke mbetur me vetëm 50 ushtarë në krye me Ramush Haradinaj.

“Ne ishim 50-të, por nuk hoqëm dorë. Pas asaj ofensive kur kemi mbetur për disa ditë maleve dhe kur jemi rikthyer në shtab, puna e parë që e ka ba komandanti Ramushi, ka qenë me ngritë flamurin”, thotë Veliu.

Gjatë shërbimit të saj si luftëtare e UÇK-së, Hyrijes iu mveshën edhe detyra e përgjegjësi të tjera si pjesë e njësitit.

Përmes një transistori, si mjetin e vetëm të informimit në atë kohë, Hyrija informonte dhe raportonte për televizioni shqiptar, për Radio Kosova e Lirë dhe për Evropën e Lirë.

Emocione të forta e kaplojnë derisa kujton momentet e e dyluftimeve gjatë betejave në zonat ku operonin njësitet e tyre, e cila ende i kujton qartë momentet e ballafaqimeve me armikun.

“Janë fut si ujqër të armatosur, bile xherdani i mitralozit iu shkonte për tokë”, rrëfen ajo.

Ndërsa, rrezikun nga afrimi i ushtarëve serbë drejt tyre, mund ta vërenin vetëm përmes të sharave e kërcënimeve që u bënin në momentet që u ofroheshin njësitit.

“Me të kap të gjallë ka qenë më vdekje se vdekja”, vazhdon rrëfimin Hyrija.

Ajo tregon se si edhe sot dhe çdo ditë tjetër përballet me kujtimet e hidhura që ia la lufta.

“Unë në andrra përballem se si t’i shpëtoj vajzën time, mbesat e mija, përpiqem këto me i shpëtu mos me m’u vra në luftë. Këto janë andrrat e mija që përsëriten”, thotë ajo.

“Asnjëherë nuk është jashtë mode me qenë patriot, ne kemi shumë rrugë për të bërë hala”, shton Hyrija.

“Buka, nanë ty t’ka shpëtu”

Qartë e në detaje kujton ende gjithçka rreth luftës që e përjetoi Zymrije Vitija.

Vitija ishte pjesë e UÇK-së duke shërbyer si kuzhiniere për ushtarët, kryesisht në zonën e Marevcit.

Të katër djemtë e saj poashtu ishin ushtarë të UÇK-së. “Kur ka kris lufta krejt kanë ikë. Nuk largohem, nuk ua kthej shpinën djemve”, rrëfen Zymirja.

Rrëfimi heroik i saj, sot i shpalosë kujtimet që pati me djalin e saj të vrarë, e tjetrin që mbeti i plagosur në luftë.

“Ma vështirë se me e pa të plagosurin t’u bërtit e mos me pasë mundësi me i dhanë ndihmë, s’kish”, thotë ajo.


Zymrije Vitija

Ndonëse vazhdimisht familjarët e ushtarët i kërkonin që të largohej për shkak të gjendjes që rëndohej në Kosovë, ajo thotë se asnjëherë nuk e mori atë vendim.

“I pari plumb që kërset, ishalla më vrasin veç mos t’i shoh djemtë e vramë, se këta po shkojnë. Elhamdulilah unë shpëtova, po djalin ma vranë tjetrin e plagosën”- thotë Velija.

Edhe Zymrije Vitija mbeti e plagosur në luftë. Ajo u plagos gjatë kohës sa po shërbente për ushtrinë, ndërsa vetëm 8 vite pas përfundimit të luftës, Zymrija e kuptoi se në trup ende kishte copëza të mbetura nga granata që e kishte goditur.

Ndonëse pas plagosjes thotë se ishte në gjendje të rënduar, ushtarët për të cilët çdo ditë ajo gatuante, i kishte shpresën më të madhe që të vazhdonte rrugëtimin për liri.

“Buka, nanë ty të ka shpëtu, që je kanë me vullnet je kanë sypamtrembur, kemi hangër krejt bukë prej teje”, kujton fjalët e tyre  Zymrija.

“…Kur mbi mua binin torturat e një gruaje shqiptare”

Ramize Sadiku iu bashkua UÇK-së pasi kaloi tri vite si e burgosur politike.

Sadiku u dënua për veprimtarinë e saj si pjesë e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Ndërsa, rrëfimin e saj, Ramizja e fillon duke treguar torturat dhe kushtet e mjerueshme me të cilat ishte përballur në burgun e Mitrovicës.

“6 muaj kam qëndruar në burgun e Mitrovicës, që kur më kujtohet as emrin nuk dua t’ia përmend. Ka qenë një nga burgjet më të rënda në territorin e Kosovës, një nga burgjet më të vështira dhe më të tmerrshme”, thotë Sadiku.

Për të, përballja më e vështirë që ia solli lufta, ishin torturat që ia bënte nëj gardianet e burgut, e cila ishte shqiptare.

“Ndjehesha shumë e fyer kur mbi mua binin torturat e një gruaje shqiptare mbi një grua shqiptare… Ka qenë një gardiane, e cila pamëshirshëm ka sjellë mbi mua, arsye e pa arsye”, thotë ajo.


Remzie Sadiku

Duke u përballur me një përkeqësim serioz të shëndetit, pas burgut, Ramizja vazhdoi prapë veprimtarinë e saj politike e atdhetare duke iu bashkuar luftës së UÇK-së.

“Në këmbën e majtë kam pasë të qara, ngaqë më kanë shty të ecë zbathur dhe të shkelë në diçka që kurrë nuk e di se çka ka qenë”- rrëfen ajo.

Kur Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës u shkri në Ushtrinë Çlirimtare  të Kosovës, ajo e ndeju vetën pjesëtare të UÇK-së.

Kontributi i saj si pjesëtare e ushtrisë u shënua edhe si shefe për informim në brigadën 153.

Udhën e saj për t’i shërbyer vendit, Ibadete Canolli e filloi në mars të vitit 1998 në Drenicë si motër medicinale.

Kontributi i saj më pas u shtrua edhe në shumë zona të tjera si atë të Llapit, të Zllashit dhe atë të Sharbanit.

“Të gjithë ato shtëpi të djegura, gjithë ajo masakër, gjithë ata njerëz të vrarë… e kam ditë që veç lufta e sjellë lirinë”, tregon Canolli.

Ibadetja ishte pjesë e ekipit së parë të mjekëve që depërtoi në Drenicë pas vrasjes së Adem Jasharit.

“Disa ma të vjetër, fshatarë, shpeshherë na kanë thanë ‘po çka keni me ba ju, po ju duhet veç me gatu, pse me gatu burrat e ju me hangër”, tregon sot ajo.


Ibadete Canolli

Ndërsa, përgatitjet e sterileve dhe barnave mjekësore të nevojshme, Canolli thotë se e bënte në kushte minimale.

“U deshtë në furrë të shporetit, me ndezë shporetin, me i shti deri e marrshin ngjyrën e djegies edhe me i palu që me siguru sterile”- thotë ajo.

Veprimtarinë e saj patriotke, Ibadetja e vazhdoi edhe si luftëtare po ashtu.

Pas fillimit të luftimeve në atë kohë, edhe Ibadetja u armatos me një armë.

Me mbarimin e luftës, ajo filloi të punonte në Qendër të Mjekësisë Familjare në Departamentin e Psikiatrisë, pastaj në qendra të ndryshme rehabilituese. /Kallxo.com/