Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, deklaroi të martën se ministria që ai drejton së bashku me disa ministri dhe agjencione tjera janë duke kryer përgatitjet që nga korriku i këtij viti, sipas vendimit të Qeverisë, të fillohet me mbledhjen e premiumeve për sigurimin shëndetësor.
Ai këto komente i bëri në një takim në Prishtinë me kryetarët e komunave të Kosovës dhe të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, ku i njoftoi ata me përgatitjet e MSH për implementimin e premiumeve shëndetësore për sigurimin shëndetësor.
Duke e konsideruar si shumë të rëndësishme përkrahjen e institucioneve të tjera dhe në këtë mes edhe të komunave të Kosovës, ministri Rrahmani ka përmendur ndryshimet legjislative që janë në proces, ndërkohë që ka numëruar edhe përfitimet e para që pritet t’i gëzojnë qytetarët pas fillimit të mbledhjes së premiumeve.
Ministri Rrahmani tha se MSH-ja është në proces të finalizimit të listës së barnave jashtë spitalore që qytetarët të cilët paguajnë premiumin shëndetësor do të marrin falas në barnatore dhe të cilat do të rimbursohen nga Ministria, ndërkohë që përfitimi i tretë pritet të jetë furnizimi i rregullt dhe i plotë i QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme me barna dhe material shpenzues.
Kryetarët e komunave kanë parashtruar pyetje të ndryshme me qëllim të informimit për shumë aspekte që lidhen me sigurimet shëndetësore, ndërsa ministri Rrahmani ka kërkuar nga kryetarët e Komunave që të angazhojnë mekanizmat e tyre lokalë për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.