Këtë mesazh sjell Brukseli, pak ditë para nisjes së procedurave për të zgjedhur pasuesin e Bamir Topit.

Libor Roucek, ish raportues për Shqipërinë, zëvendëskryetar i Grupit të Aleancës progresiste të social- demokratëve në Parlamentin Evropian shprehet se situata në Tiranë është e njëjtë.


Dhe po e njëjtë sipas tij, duhet të jetë dhe zgjidhja konsensuale. ”Nëse ne mund të merrnim një shembull të fundit për zgjedhjen e presidentit, kjo është Gjermania. Sepse Gjermania ka pasur probleme me presidentin. Tani aty u zgjodh një person me konsensusin e të gjitha forcave politike. Ky konsensus u arrit midis social-demokratëve, liberalëve dhe demokristianëve. Kjo është situatë e njëjtë edhe për ju”,- deklaroi Roucek, njofton Bw. Por, për euro-parlamentarët, figura e re që duhet të kryesojë shtetin duhet të qëndrojë mbi palët dhe të jetë garant i Kushtetutës.

“Një president duhet të qëndrojë mbi grindjet e përditshme politike. Presidenti duhet të jetë një individ që duhet ta bashkojë politikën. Nëse ka një problem dhe qeveria nuk bie dakord për diçka me opozitën, në këtë rast presidenti luan rolin e tij, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Pra, nëse unë po jap si shembull Gjermaninë, unë mendoj se kjo do të ishte e pranueshme dhe për Shqipërinë, për të zgjedhur një person që të pranohet jo vetëm nga partitë parlamentare, por edhe nga populli”, shprehet Roucek.

Zgjedhja e presidentit të Republikës, procedurat për të cilin fillojnë në maj, do të monitorohet me kujdes nga Brukseli. Ajo do të pasqyrohet edhe në raport-progresin që do të dalë në tetor, kur pritet edhe përgjigjja për kërkesën e Tiranës zyrtare për marrjen e statusit të vendit kandidat të Bashkimit Evropian.

Para tre ditësh, edhe nënkryetari i delegacionit në PE për Evropën Juglindore, Jelko Kacin apeloi që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë duhet të zgjidhet me konsensus dhe kjo, jo vetëm për shkak të gjetjes së një personaliteti. /Telegrafi/