LAJMI I FUNDIT:

Roli i liderit në Kosovë

Ky shkrim ka të bëjë me përshkrimit të proceseve përmes të cilave kalon politika e jashtme e Kosovës tek arena ndërkombëtare dhe tek akterët udhëheqës ndërkombëtarë dhe roli i liderit të saj si akter shtetëror në të gjitha proceset. Fillimisht duhet të kemi të qarta termet në mënyrë që gjithçka të jetë e qartë edhe për ata të cilët nuk studiojnë politikën.

Çka janë marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat ndërkombëtare dhe politika e jashtme?

Marrëdhëniet ndërkombëtare janë marrëdhënie të cilat ekzistojnë ndërmjet palëve apo grupeve të akterëve globalë. Politikat ndërkombëtare janë studimi i mënyrës se si aktivitetet e akterëve globalë imponojnë ushtrimin e influencës për arritjen, mbrojtjen e qëllimeve dhe idealeve të tyre, dhe se si kjo ndikon në të gjithë botën. Ndërsa, vendimet të cilat i ndërmarrin qeveritë e shteteve për të realizuar qëllimet ndërkombëtare, janë politikë e jashtme e shtetit.


Cili është impakti i politikës së jashtme të Kosovës në proceset ndërkombëtare?

Të gjithë faktorët e brendshëm shtetërorë të Kosovës ndikojnë në politikat ndërkombëtare të saj, edhe pse me dallime të mëdha nga vendet e tjera, por me qëndrime të njëjta të përcaktuara ndaj proceseve ndërkombëtare. Një nga rastet kur politika e jashtme e Kosovës ndikon në arenën dhe proceset ndërkombëtare është për shembull prononcimi i liderëve për mediat në lidhje me qëndrimet e caktuara për çështje të brendshme shtetërore, siç janë demokracia apo paqja dhe stabiliteti, por që kjo deklaratë e politikës së jashtme të Kosovës përfaqëson qëndrimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Kuptohet, mënyra e të parit të botës është vëzhgimi i politikave ndërkombëtare dhe pjesëmarrja në të.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që të gjithë jemi individë ku në një pikë të caktuar jemi një nga këta pjesëmarrës ndërkombëtarë të lirë për të zgjedhur dhe kontribuuar në mënyra të ndryshme në politikat ndërkombëtare. Secili prej nesh është i rëndësishëm për shoqërinë, sepse ndryshimi i shoqërisë fillon nga individi. Pastaj, edhe kontributi jonë për shtetin mund të krijojë impakt jo të vogël në politikën e jashtme dhe proceset e vendit tonë.

Cili duhet të jetë roli i liderit të Kosovës në të gjitha këto procese?

Është gabim i madh të mendohet se bërja e politikës së jashtme është produkt i zgjedhjeve nga liderët, që në momente të caktuara, si drejtues të momentit, kanë përgjegjësi në ekzekutimin e kësaj politike. Përkundër faktit se një lider mund të mendojë ose të veprojë ndryshe, është e patolerueshme, sepse është shumë e dëmshme për vendin të lejohet që liderët të veprojnë të vetëm.

Mendimi që liderët të veprojnë të vetëm është i papranueshëm dhe jofunksional në vendet e tjera dhe duhet të jetë edhe në Kosovë, sepse as në shtetet me sistemin më diktatorial lideri nuk mund të veprojë i vetëm në aspektin e ekzekutimit të politikave kapricioze apo të paraqes fantazitë e tij në procese të tilla vendimmarrëse me rëndësi të madhe për një vend të tërë.

Liderët duhet të kenë grupet e tyre të ekspertëve dhe nuk duhet assesi të kenë mundësi të zgjedhjes së lirë. Por, padyshim se një lider përfaqëson popullin e tij. Karakteristikat e liderit në marrjen e vendimeve janë të rëndësishme. Pastaj, vlerat e tyre individuale, personaliteti, reflektimi i besimit tek populli, përvoja dhe inteligjenca, sepse supozohet që përcakton atë se çfarë lloj njerëzish janë njerëzit e atij vendi dhe çfarë qasje do të ketë nga ata në mbajtjen e qëndrimeve të caktuara për çështje globale.

Përgjegjësit e politikës së jashtme duhet të kenë plan të punës se çfarë duan të arrijnë. Pra, të rangojnë çështjet prioritare dhe ato më pak të rëndësishme. Dhe, përfundimisht, pritshmëritë e sukseseve dhe humbjeve të mundshme të secilit veprim.

Natyrisht, pavarësisht nga popullariteti i liderëve, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos kontribuojmë në rëndësi esenciale për individët liderë. Henry Kissinger thoshte se ekziston një tundim i thellë për të besuar që politika e jashtme është një nënndarje e psikiatrisë dhe që marrëdhëniet ndërmjet kombeve janë si marrëdhëniet midis njerëzve”.

Pra, e rëndësishme është që të mos lejojmë liderët si individë të reagojnë ndaj sfidave të jashtme, sepse janë të pamjaftueshëm për të qenë arsyeja e ndryshimeve në politikën e jashtme të vendit.