Burime të Kosovapressit, kanë bërë të ditur se tri kamerat që janë të vendosura në shtyllat e cepit verior të urës, e që monitorojnë 24 orë pa ndërprerë, kanë pushuar së funksionuari para disa ditëve.

Sipas këtyre burimeve, këto kamera kanë monitoruar pa ndërprerë veriun e qytetit, rrugën për Suhodoll, rrugën për në Lagjen e boshnjakëve, si dhe sheshin kryesor në veri tek ‘Dolce Vita’, ndërsa tani e disa ditë ato nuk xhirojnë asgjë.


“Janë të ashtuquajturat rojat e urës të cilat qëndrojnë 24 orë në ditë pranë cepit verior të urës, përkatësisht në tendën afër barrikadës, të cilat dyshohet se gjatë natës kanë lëvizur pozicionin e kamerave në drejtimin lartë dhe poshtë, për të pamundësuar kështu xhirimin e veprimeve të tyre dhe ngjarjeve që ndodhin në këtë zonë”, kanë thënë burimet.

Ndërkaq, ekipet policore përgjegjëse për këto incizime të kamerave, janë parë duke punuar të mërkurën dhe të enjten, por nuk kanë dhënë detaje rreth punës së tyre.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, ka thënë për Kosovapress se ekipet përkatëse kanë punuar dje dhe sot punët rutinore, rreth mirëmbajtjes së këtyre kamerave.

“Kamerat e sigurisë të vendosura mbi urën kryesore të Ibrit kanë shikim të mirë dhe janë në funksion”, ka thënë Zahiti, duke shtuar të mos jetë në dijeni nëse ndonjëra prej tyre nuk funksionon.

Megjithatë, burime të Kosovapress-it kanë thënë se ekipet të cilat kanë punuar dje dhe sot, nuk kanë prekur fare kamerat që ndodhen krejt pranë cepit verior të urës dhe tendës së ‘rojave’, por kanë ndryshuar pozicionin e kamerave tjera të vendosura mbi urë, në mënyrë që të fokusohet zona e veriut të qytetit.

Ndryshe, vendosja e këtyre kamerave është cilësuar nga qytetarët të jetë një ndihmë e madhe për policinë dhe strukturat tjera të sigurisë në monitorimin e pjesës më problematike, vijës ndarëse në mes shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri. Territori të cilin ato e vëzhgojnë, nis nga ish objekti i Jugobankës në jug, e deri rreth 100 metra përtej urës në veri, duke përfshirë këtu anën lindore dhe atë perëndimore. /Telegrafi/