Roberto Carlos i fortë, ekipi i tij mund Prishtinën

Ndeshja u hap në një ceremoni mjaft mirë të organizuar zyrtare, ku u nderua Roberto Carlos, i cili madje edhe nuk hezitoi të vë plisin në kokë.
Braziliani legjendar që luajti për Interin dhe Real Madridin e që fitoi edhe Kupën e Botës drejtoi me sukses ekipin e tij Sivaspor, në një atëmoferë ku mijëra tifozë ishin mbledhur për të përcjëllë këtë ndeshje në kryeqytet.
Pjesa e parë filloi me një lojë të mirë të Prishtinës, deri në momentin kur Arslan kaloi në epërsi Sivasporin duke shënuar për 1-0, pas një gabimi katastrofal të portierit Kushtrim Mushica.
Në vazhdim Prishtina tentoi të kthehej, e më i rrezikshëm u tregua Mentor Zhdrella, i cili qëlloi shtyllën pas një pranimi të bukur të topit në zonë, duke lënë të shtangur turqit, por pa realizuar.
Pjesa e dytë ishte monotone me pak raste shënimi, ku dominimin kishin turqit, të cilët rrezikuan shumë portën e Prishtinës.
Goli i dytë erdhi pas një orë lojë, kur një goditje të lansuar nga zona e 16 metërshit hyri nën këmbët e Kushtrim Mushicës, që nuk u shfaq aspak i koncentruar në këtë takim dhe ishte ai fajtori pse ekipi pranoi dy gola.
Deri në fund të takimit asgjë nuk ndryshoi dhe Sivasspori e përfundoi këtë takim miqësor me fitore.
Pas kësaj ngarje të bukur sportive, zemra e futbolldashësve do të vazhdojë të rrahë edhe të dielën, ku në po të njëjtin stadium nga ora 16:00 përfaqësuesja e Kosovës zhvillon sfidën ndaj Omanit. /Telegrafi/






















































