Në një intervistë në vitin 2019, Jose Mourinho parashikoi se Xabi Alonso të bëhej një ‘trajner shumë i mirë’.
Në atë kohë, spanjolli sapo po fillonte karrierën e tij si trajner në ekipin rezervë të Real Sociedad.
“Babai i tij ishte një trajner, kështu që ai u rrit si unë. Më pas ai u bë lojtar – sigurisht shumë më i mirë se unë. Pozicioni i tij në fushë dhe njohuritë e tij për lojën janë shumë të larta”, kishte thënë Special One.
“Ai luajti në Spanjë, në Angli dhe në Gjermani. Dhe ai u stërvit nga Guardiola me Bayernin, nga unë në Real Madrid, nga Ancelotti në Real Madrid, nga Benitez në Liverpool”.
“Pra, mendoj se nëse i bashkoni të gjitha këto, Xabi ka kushtet për të qenë një trajner shumë i mirë”, shtoi portugezi në atë kohë.
Fjalët e Mourinhos kanë dalë të vërteta. Në vetëm pak më shumë se një vit në Bayer Leverkusen, Alonso arriti të paimagjinueshmen, duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit të parë të Bundesligës që erdhi me një seri mbresëlënëse prej 29 ndeshjesh pa humbje.
Xabi është një pretendent kryesor për të marrë drejtimin e Real Madridit në të ardhmen. /Telegrafi/