“Mos e vet se t’kallzon vet”, thotë një thënie popullore. Vet ministri i jashtëm rus Lavorv para do ditësh u lajmërua nga Moska dhe akuzoi për “tregti me organe” zyrtarët e Kosovës. Paskan zbuluar disa qytetarë rus të mashtruar në rastin Medicus dhe duan ta ndërlidhin me ngjarjet e supozuara për “tregti me organe” më 1999. Por pohimet për “tregti me organe” më 1999 që gjoja i paska bërë UÇK dhe rasti Medicus janë dy ngjarje krejtësisht të ndryshme. Në fakt qëllimi i vërtet i zyrtarëve rusë dhe serbë mbetet i njëjtë - satanizmi i Kosovës.

Akuzat e para për “tregti me organe” të serbëve qenë lansuar nga ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte. Ajo kishte thënë se pas luftës në Kosovë qenkan kidnapuar rreth 300 serbë të cilët janë dërguar në Shqipëri ku u janë hequr organet dhe janë trafikuar në shtete të ndryshme të botës. Akuzën e Del Pontes e pasoi një prokuror tjetër, zvicerani Dik Marti i cili bëri edhe një raport për Këshillin e Evropës për këtë çështje. Për fat të keq ky Këshilli ra në grackën e një raporti tërësisht të imagjinuar dhe pa kurrfarë faktesh.


Reagimet në Kosovë ndaj këtyre akuzave ishin të shumta dhe të menjëhershme. Siç ndodhi edhe herëve të tjera këto reagime ishin tërësisht konfuze dhe amorfe. Reaguan shoqata të ndryshme, politikanë, parti politike dhe reagoi e fundit ajo që do duhej e para – shoqata e nefrologëve të Kosovës. Ne si shoqëri kosovare u morëm me formën, por jo edhe me përmbajtjen e akuzave. I tërë reagimi ynë ishte në kundërshtimin e këtyre akuzave dhe denigrimi personal i Dik Martit si një person që kishte kundërshtuar haptazi pavarësinë e Kosovës.

Qasja jonë ishte gjithsesi e gabuar. Ne me mënyrën si reaguam vetëm sa hodhëm benzinë në zjarr. Ne nuk është dashur të akuzojmë Dik Martin as të tentojmë ta denigrojmë atë. Ne është dashur që të përballemi me të, fare hapur dhe me argumente. Ne është dashur që ta thërrasim në debat Dik Martin dhe të sfidojmë akuzat e tij meqë ato akuza janë të lehta për t’u hedhur poshtë jo vetëm për faktin që ai nuk ka paraqitur fakte dhe dëshmitarë.

Thelbi i akuzës ishte që u kidnapuan 300 serbë të cilët u kontrabanduan deri në Shqipëri përkatësisht në fshatin Burrel. Aty u mbajtën dhe iu hoqën veshkat e tyre. Këto veshka më pastaj u transportuan me helikopter deri ne aeroportin e Tiranës ku më pastaj nga aeroporti shkuan në destinacione të ndryshme të botës.

Në dukje të parë diçka fare e mundshme. Por “djalli gjendet në detaje” thotë një fjalë. Në mediumet serbe e sidomos në Blic, që merret me riaktulizimin e kësaj “ngjarjeje”, flitet për shuma marramendëse prej 80 mijë e deri në 100 mijë euro për një veshkë. Ky është një manipulim i madh pasi veshka sot gjendet tek vendet e varfra në vlera 600 apo 1000 dollarë në Indi e deri disa mijëra dollarë në vendet evropiane si për shembull në Moldavi. Në fillim të vitit 2001, BBC kishte bërë një dokumentar ku tregonte për qytetarë të Moldavisë që kishin shitur veshkat e tyre në Turqi për 3000 dollarë. Shumat prej 80 mijë apo 100 mijë euro i marrin klinikat që bëjnë transplantimin e jo ata që i shesin organet. Qartazi bëhet fjalë me një manipulim të tmerrshëm shifrash të mëdha me qëllim që akuza të bëhet sa më e besueshme.

Ne pra është dashur që të ballafaqojmë Dik Martin me fakte të pamohueshme se ai po fliste gjëra fantastike pothuaj të pamundshme në kushtet reale. Çdokush që lexon ndonjë libër mjekësor lidhur me transplantimin e veshkës do shohë se është një proces mjaft kompleks ku duhen bërë së pari një mori ekzaminimesh mjekësore dhe analizash komplekse të dhuruesit duke përfshi ato për kompatibilitetin e dhuruesit me pranuesin.

Të përpiqemi që të rikonstruktojmë ngjarjen (akuzën) e supozuar. Siç u cek, sipas akuzës thuhet se u kidnapuan rreth 300 serbë në Kosovë pas luftës më 1999. Sipas supozimit për kidnapuesit, bëhet fjalë për kriminelë e jo patriot që vrasin armiq. Por kriminelët çdo gjë që e bëjnë - e bëjnë për profit të madh financiar prandaj vet kidnapimi do duhej bërë për profite të tilla. Kontrabandimi i këtyre serbëve të kidnapuar deri ne Burrel poashtu do kishte një kosto të madhe financiare. Mbajtja e tyre gjithashtu ka një kosto sepse njerëzit që do i mbanin, ushqenin dhe kujdeseshin për ta poashtu do kërkonin para. Atyre serbëve të kidnapuar (gjithnjë sipas supozimeve) duhet bërë analiza dhe ekzaminime komplekse mjekësore që poashtu kanë kosto të madhe financiare. Mjekët kirurgë që heqin veshkën nuk do e bënin këtë as për çështje humanitare as patriotike, por për përfitime të mëdha financiare, sepse do ishin plotësisht të vetëdijshëm për aktin kriminal që po bënin.

Veshkat e nxjerra nga personat e kidnapuar do duhej vendosur në kontejnerë special me kimikate dhe temperaturë të caktuar. Këta kontejnerë gjithsesi që kanë një kosto financiare. Sipas akuzave më pastaj kontejnerët me veshka u transportuan hiç më pak se me helikopterë nga Burreli në aeroportin e Tiranës. Natyrisht kështu u duhet akuzuesve sepse kanë marrë informata se veshka duhet transplantuar në çështje orësh e jo ditësh. Vetëm mund ta marrim me mend koston financiare të transportit me helikopter deri në aeroportin e Tiranës.

A kanë kaluar aq lehtë kontrabanduesit e supozuar në aeroportin e Tiranës apo kanë paguar shuma të mëdha që policët dhe doganierët aty “të mbyllin sytë”? Sidomos për faktin se këta policë dhe doganierë qartazi nuk ishin lejuar që të shohin përmbajtjen e kontejnerëve. Më tutje transporti për shembull në ndonjë aeroport tjetër. Të marrim më të lehtin, atë në Stamboll që ceket më së shumti nga akuzuesit. A do të pranonin policët dhe doganierët në Stamboll një ngarkesë pa prejardhje apo do të duhej dhënë atyre shuma të mëdha që edhe ata “të mbyllin sytë”. Më në fund kontejneri me veshkën brenda do arrinte deri në destinacion – klinikën ku do bëhej transplantimi tek pacienti që pret.

Duke qenë se klinikat në Stamboll (sipas dokumentarit të BBC) në atë kohë kishin oferta të dhuruesve të gjallë dhe me ofertë prej 3000 dollarë shtrohet pyetja: përse ato klinika do pranonin një organ pa prejardhje, qartazi të njerëzve të vrarë? Në anën tjetër kemi të bëjmë me shpenzime enorme për diçka që kishte vlerë 3000 dollarë! Po a e vlente barra qiranë për një operacion të tillë?

Në lidhje me këto akuza pra kemi çështje më të rëndësishme që u trajtuan si aspekti financiar i tërë operacionit, logjistika dhe aspekti teknik. Në aspektin financiar qartazi jo që nuk kishte profit, por kriminelët e supozuar do të duhej të ishin në humbje të thella meqë “malli” i tyre kishte një vlerë fare të vogël në krahasim me mundin dhe shpenzimet. Në aspektin logjistik, tërë ngjarja është në nivelin e fantastikës shkencore sesa realitet. Aspekti teknik poashtu në nivele të fantashkencës meqë në kushte të tilla fushore është pothuaj e pamundur të realizohen ato ekzaminime dhe analiza mjekësore komplekse që duhen për ato raste si dhe vet nxjerrja e organit njerëzor. Këto gjëra bëhen vetëm në klinika të specializuara e jo në shtëpi fshati.

Në akuzat e tyre Del Ponte dhe Marti theksojnë se kriminelët e supozuar përveç tregtisë me organe ishin marrë edhe me tregti me narkotikë. Kur jemi këtu atëherë duhet thënë se në këtë rast kjo tregti me narkotik është shumë më profitabile. Duke qenë se përmbajtja e një kontejneri me veshkën brenda kishte vlerë maksimale prej 3000 dollarë, atëherë shtrohet pyetja se pse kriminelët e supozuar u morën me një veprimtari që nuk kishte fare profit? A nuk ishte më lehtë për ta që në vend të një veshke me vlerë prej 3000 dollarë të vendosin në kontejner së paku 30 kilogram narkotik me vlera qindra herë më të mëdha? Pyetja tjetër është se pse kriminelët e supozuar u morën me organe njerëzore të njerëzve të vrarë, duke rrezikuar dënime të përjetshme dhe duke mos pasur profit e nuk u morën me tregti narkotikësh që ishte qindra herë më profitabile dhe shumë më pak e rrezikshme për ta? E kriminelët mund të jenë gjithçka tjetër, por jo edhe budallenj kur është në pyetje paraja dhe rreziku.

Ky rikonstruktim imagjinar jo vetëm që tregon se nuk ishte vetëm mungesa e provave nga Dik Marti që hedhin poshtë akuzat e tij por edhe aspektet financiare, logjistike dhe teknike. Ne pra është dashur që ta sfidojmë Dik Martin me këto fakte dhe të dëshmojmë se ai po merrej me fantashkencë. Gjëra të tilla mund të ndodhin në imagjinatën njerëzore, por realisht në kushtet e cekura është në nivel të së pamundurës.

Riaktualizimi i kësaj ngjarjeje nga zyrtarët rusë dhe ata serbë tregoi më në fund atë që kishte cekur qëmoti Denis McShane (ish ministër për Evropë në qeverinë britanike). Në një artikull të tij. Z. McShane kishte thënë se anëtarët e Këshillit Evropian nga Rusia ishin në fakt anëtarë të KGB-së famëkeqe ruse. Ata ishin edhe më të zëshmit në akuzat për “tregti me organe”. Zyrtarët rusë, përfshirë ministrin e jashtëm Lavrov tani më nuk po e fshehin kokën por haptazi po akuzojnë qeverinë e Kosovës si “jolegjitime” meqë na qenka marrë me “tregti organesh”. Jo pa qëllim, këta zyrtarë po mundohen që të merren me rastin Medicus në mënyrë që ta ndërlidhin me akuzat për tregti organesh të serbëve më 1999 dhe të mundohen të bëjnë të besueshme diçka që është e pabesueshme në kushtet reale. Qëllimi i tyre është fare i qartë. Ata duan që të satanizojnë dhe kriminalizojnë Kosovën si “një krijesë e NATO-s”.