LAJMI I FUNDIT:

Rezultatet e “PISA 2022”, njohësit e arsimit: Kishte probleme teknike gjatë testit, por kjo nuk e ndryshon rezultatin

Rezultatet e “PISA 2022”, njohësit e arsimit: Kishte probleme teknike gjatë testit, por kjo nuk e ndryshon rezultatin

Rezultatet e testit PISA, të cilat u publikuan javën e kaluar, dëshmuan se sistemi arsimor në Kosovë është shumë i dobët në krahasim me vendet e tjera.

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit, duke zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse dhe kështu situata nuk është përmirësuar as në kohën prej kur Vetëvendosje ka ardhur në qeverisje.

Por, këto rezultate të vitit 2022 kanë qenë të pritshme sipas njohësit të arsimit, Jonuz Salihaj, i cili në një prononcim për Telegrafin tha se asnjëra nga qeveritë e deritanishme nuk e ka pasur prioritet arsimin.


“Është rezultat i pritshëm pasi nuk është investu në arsim. Nuk i kemi ndjekur udhëzimet e tyre, s’e kemi përmirësuar sistemin arsimor, për arsye se PISA e vlerëson efektivitetin e sistemit arsimor. Prandaj, edhe jemi këtu ku jemi, me meritë të plotë. Të gjitha partitë politike që kanë ardhur në pushtet, asnjëra prej tyre nuk e ka pasur prioritet arsimin”, deklaroi Salihaj.

Rezultatet e “PISA 2022”, testimi i mësimdhënësve konsiderohet i panevojshëm
Lexo po ashtu Rezultatet e “PISA 2022”, testimi i mësimdhënësve konsiderohet i panevojshëm

Ai tutje tha se nxënësit 15-vjeçarë në Kosovë mund edhe të mos i kenë kuptuar pyetjet e testit, pasi sistemi arsimor në vend mbështetet kryesisht në memorizimin e fakteve dhe diturive, e jo në zbatimin e tyre në praktikë.

Jonuz Salihaj

“Është e vërtetë ndoshta që fëmijët tanë, nxënësit tonë 15-vjeçarë, nuk i kanë kuptuar pyetjet për arsye se sistemi jonë arsimor kryesisht mbështetet në memorizimin e fakteve dhe diturive e jo në zbatimin e tyre në praktikë. PISA qëllimin parësor e ka që dijet e fituara të zbatohen në praktikë, domethënë e mat shkathtësinë e sistemit arsimor”.

“Pra, sistemi jonë arsimor nuk është efektiv dhe e kuptoj që ato pyetje fëmijëve tanë iu kenë dukur të paqarta sepse janë mësu me teste me alternativa ABC. E në PISA nuk shkon ky vlerësim, sepse PISA i ka vlerësuar pothuajse 30 milionë nxënës në 81 shtete”, u shpreh Salihaj.

Sipas tij, PISA është test shumë i saktë dhe objektiv dhe se “pa e ndërrua në themel sistemin tonë arsimor, e kemi vështirë me pas sukses”.

“Përndryshe vazhdojmë me këtë gjendje, derisa nuk përmirësohet sistemi arsimor të bëhet prioritet, të investohet në të, të ndërrohen teoritë e mësimdhënies, të ndërrohet kurrikula dhe të përshtatet me nevojat e nxënësve. Kjo nuk po ndodh prandaj janë këto rezultate. Ministria e Arsimit e ka për detyrë që të krijojë politika efikase në mënyrë që të organizohet sistemi, por ajo po fle”.

Rezultatet e testit PISA kanë qenë të pritshme edhe për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ato i arsyetoi me sfidat e mësimdhënies gjatë periudhës së pandemisë.

Arbërie Nagavci

“Në testin PISA 2022, nga Kosova kanë marrë pjesë gjithsej 6 mijë 27 nxënës nga 229 shkolla. Rezultatet të cilat janë bërë publike sot kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit që u organizua në pranverë  të vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë kur mësimi u zhvillua me vështirësi të madha nga distanca dhe me ndërprerje”.

“Ka qenë e pritshme edhe nga raportet vendore por edhe nga studimet e ndryshme ndërkombëtare, është konstatuar se për shkak të situatës së pandemisë nxënësit kanë pësuar rënie në të nxënë dhe këto janë dëshmuar në testime të ndryshme”, ka deklaruar Nagavci.

Por sipas njohësit të arsimit, ky arsyetim i ministres është i pavend pasi pandemia Covid-19 ka qenë globale dhe nuk e ka prekur vetëm Kosovën.

“Sipas ministres, pandemi ka pasur vetëm në Kosovë e jo në vendet e tjera. Pandemi ka pasur edhe në Kinë e në Singapor. Ky është arsyetim i ministres sa për të thënë diçka, përndryshe provincat e Kinës, Singapori e Japonia pas pandemisë e kanë ngritur rezultatin. Do të thotë te ata nuk ka ndikuar pandemia, veç te ne paska ndikuar”.

“Sigurisht pandemia ka pasur ndikim të vogël, por pandemia ka qenë globale, e meqenëse ka qenë globale, s’na ka prekë veç neve, kështu që ministrja e ka lehtë të arsyetohet, sepse fjalët i çon era”, tha Salihaj.

Ai foli edhe për problemet teknike që mund t’i kenë pasur nxënësit, meqë testi është mbajtur online, megjithatë tha se “kjo në substancë nuk e dallon rezultatin”.

“Meqenëse testi është mbajtur online mund të ketë pasur ndonjë problem teknik në viset rurale, pra në shkollat që kanë qëlluar të jenë në vise rurale, por kjo në substancë nuk e dallon rezultatin, sepse ne kemi dështu edhe në shkolla urbane, në shkolla që kanë teknologji informacioni, në shkolla që kanë kompjuter e kështu me radhë, pra ka dështu tërë sistemi”.

“E nga ana tjetër, dhe si duket është motivimi jonë i fëmijëve, nuk është i mirë kur të marrim pjesë në këso gara ndërkombëtare. Duhet të jetë edhe motivimi i tyre pak më i lartë, në mënyrë që me pas rezultate të prekshme. Përndryshe, nxënësit tonë janë njoftu me testin PISA, janë njoftu me metodologjinë, janë njoftu se qysh duhet me përgatitë, janë njoftu si zhvillohet testi, e kështu me radhë, kështu që arsyetimet nuk besoj që kanë ndonjë mbështetje reale”, përfundoi Salihaj.

Ndërsa Betim Sherifi, mësimdhënës në shkollën fillore të mesme të ultë “Elena Gjika” si dhe administrator i testit PISA, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme pasi nuk ka pasur ndonjë strategji apo mobilizim në këtë periudhë.

“Duke marrë parasysh që s’ka pasë ndonjë përgatitje shtesë përveç informimit për datat e mbajtjes, vendin dhe nxënësit e përzgjedhur si dhe duke qenë të vetëdijshëm nga gjendja në terren për problematikat e ndryshme që janë në arsim, atëherë këto rezultate janë mëse të pritshme. Nuk ka pasë ndonjë strategji të veçantë ose mobilizim institucional e shoqëror në këtë periudhë”, theksoi Sherifi.

Betim Sherifi

Ai kritikoi institucionet për të cilat tha se nuk kanë bërë përgatitje shtesë, përkundër faktit që Kosova vazhdimisht del keq në këtë test.

“Normalisht që pandemia e ka pasur ndikimin e vet, por që nga viti 2015 kur është mbajtur për herë të parë testi PISA dhe më pas në vitin 2018 dhe tash në 2023, nuk është që institucionet tona kanë bërë ndonjë përgatitje shtesë, pra është trajtuar njësoj sikurse në vitet paraprake edhe pse edhe në vitet paraprake kemi dalur keq dhe dihet që nuk ka pasë pandemi. Duhet të jemi real që pandemia i ka prekur edhe vendet e tjera, dhe jo vetëm ne si vend”.

Sipas tij, fajtorë janë janë të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

“Ky hulumtim, ky vlerësim por edhe vlerësimet e tjera qofshin vendore apo ndërkombëtare, duhet të merren me seriozitet nga të gjithë”, u shpreh Sherifi.

Ai tutje tha se përgjatë këtij procesi janë paraqitur edhe probleme teknike pasi këtë herë testi është mbajtur online, ku pyetjet kanë qenë të vendosura në USB për dallim prej herëve të tjera kur nxënësit i janë nënshtruar testit në letër.

“Duke qenë të vetëdijshëm për nivelin e kushteve teknologjike si dhe duke e ditur se sa gjejnë përdorim në procesin mësimor, normal që edhe kjo ka ndikuar në një formë në performancën e nxënësve. Po ashtu, edhe kushtet e mbarëvajtjes së këtij procesi, si: hapësirat, temperaturat e larta nëpër klasa, ushqimi për nxënës etj., gjithsesi që kanë pasur ndikimin e vet në këtë proces shumë të rëndësishëm sepse është kërkuar përgatitje logjistike, administrative, metodologjike, përmbajtjesore, teknologjike e pedagogjike. Një gërshetim i resurseve akademike me ato logjistike”, përfundoi Sherifi.

Kur bëhet fjalë për shkencën, rezultatet më të mira i kanë fëmijët nga Estonia (526), Finlanda (511) dhe Irlanda (504), ndërsa më të këqijat nxënësit nga Maqedonia e Veriut (380), Shqipëria (376) dhe Kosova (357).

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Analistët komentojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Lajme
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori