LAJMI I FUNDIT:

Rexhep Mitrovica, burrështetasi që u la nën harresë

Rexhep Mitrovica, burrështetasi që u la nën harresë

U lind me 15 Janar 1888, në Mitrovicë, nga nëna Hajrie dhe babai Mahmud. Familja, fal pasurisë, i mundësoi shkollimin të birit Rexhep Mitrovica, gjë që ndikoi pozitivisht në formësimin e karakterit të tij.

Ishte nxënës i shkollës fillore të Shkupit, e më pas vijoi mësimet në Gjimnazin Mbretëror të Selanikut dhe në liceun privat modern “Progres” në Selanik.

Në Paris u brumos një me frymën evropiane, e cila thuajse i ishte mohuar sa kishte qenë në vendlindje, për shkak të rrethanave ekzistuese. Përveç që njohu për së afërmi civilizimin e mohuar, atje studioi letërsi frënge dhe drejtësi dhe po ashtu degën e elektronikut.


Duke qenë çdoherë me mendje dhe zemër kah atdheu, pas Revolucionit Xhonturk, më 1908, kthehet në atdhe ku angazhohet për përgatitjet e Kongresit të Manastirit.

Niveli i tij intelektual ishte i lartë dhe dëshira e tij për t’i shërbyer atdheut bënë që me 1909 të emërohet mësues e pastaj drejtor në Normalen e Shkupit. Ndërkohë, zgjidhet nënkryetar i klubit “Bashkimi” dhe bashkëpunon me gazetën e këtij klubi, “Bashkimi i Kombit”.
Veprimtaria e tij aktive pason me pjesëmarrjen e tij në Kongresin e II-të të Manastirit me 2-3 prill 1910. Pas dy vitesh, me 1912,udhëton me Mit’hat Frashërin, Sali Gjukën e Bedri Pejanin, nga Shkupi në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Durrës e deri në Vlorë, ku më 28 Nëntor ngrihet Flamuri Kombëtar dhe shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Rexhep Mitrovica ishte një ndër protagonistët kryesorë të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai është nënshkrues i dokumentit dhe më pas zgjidhet anëtar i Senatit dhe nënministër i Punëve Botore.

Pas Konferencës së Londrës me 1913, territori i Kosovës mbet sërish nën zgjedhën serbe. Krimet serbe ndaj popullatës shqiptare ishin të tmerrshme. Rexhep Mitrovica nuk mund të rrinte i heshtur përballë asaj situate, ndaj i shkruan letër Ismail Qemalit duke i rrëfyer gjenocidin serb, për t’iu bërë të ditur fuqive perëndimore vuajtjet e tmerret nëpër të cilat kalonte kombi ynë.

Në Mars të 1914, u dekretua drejtor i arsimit për Shqipërinë e Mesme. Situata politike në Shqipëri gjatë kësaj kohe ishte e pakëndshme, ndaj më 1915 largohet për në Sofje e më pas në Bukuresht të Rumanisë. Kthehet më 1916, në Mitrovicë, ku angazhohet për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Dy vjet shërbeu si mësues dhe drejtor i Shkollës Popullore në Mitrovicë.

Ai ishte anëtar i Komitetit “Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës” më 1919. Merr pjesë si anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, si përfaqësues i Komitetit të Durrësit për Shqipërinë e Mesme. Më 27 mars 1920, zgjedhet deputet i Partisë Popullore. Shkruan artikuj të ndryshëm me pseudonimin “Kumona e Popullit” dhe përshëndet pranimin e Shqipërisë si anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor të po atij viti.

Më 1921 zgjidhet deputet i Kosovës në Parlamentin e Parë Shqiptar të dalë nga Kongresi i Lushnjës. Zgjidhet ministër i Arsimit në Qeverinë e Xhafer Ypit (24 dhjetor 1921- shkurt 1924). Në datat 27 korrik – 3 gusht 1922, organizoi Kongresin Arsimor që u mbajte në Tiranë.

Një vit më pas, më 1923, kryen punën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme në vend të Sejfi Vllamasit. Jep dorëheqje nga posti i Ministrit të Arsimit dhe më 1924 largohet për në Bari të Italisë. Atje, më 21 shtator, me një grup bashkatdhetarësh themelon organizatën “Bashkimi Kombëtar” – organizatë antikomuniste e emigracionit politik shqiptar(1925-1939).

Më 30 prill 1939 kthehet në Shqipëri, ku bëhet anëtar i Këshillit të shtetit. Ndërsa, në prill 1941, kthehet në Mitrovicë. Propozohet komandant i forcave shqiptare në Trojet e Lirueme dhe organizon hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar i Ri).

Burgoset në gusht të vitit 1943 dhe internohet në Porto Romano afër Durrësit. Pas kapitullimit të Italisë fashiste, lirohet dhe merr pjesë në themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit shtator,ku zgjidhet kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes. Në nëntor 1943 emërohet kryeministër i Shqipërisë natyrale. Rrethanat e pafavorshme dhe në dëm të Shqipërisë bënë që me prill 1944 të mbajë një fjalim në radio, që të nesërmen u botua në gazetën “Bashkimi i Kombit. Jep dorëheqje nga detyra e kryeministrit dhe nga mesi i nëntorit vendoset në Austri ku shkruan “Kujtimet”. Më 1947 kalon në Itali e më pas në Stamboll.

Më 1949, me Mit’hat Frashërin themelojnë organizatën “Lidhja Kosovare”. Kryetar u zgjodh i biri i tij, Nexhat Mitrovica.

Shkroi memorandume me anë të të cilave njoftonte opinionin ndërkombëtar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë nën regjimin e Titos dhe në Shqipëri nën diktaturën e Enver Hoxhës.

Vdiq më 21 maj 1967 dhe u varros të nesërmen në Maltepe. Në pllakën e mermertë është gdhendur emiri i tij: “Rexhep Mitrovica, Kryeministër i Shqipërisë”.

Duke lexuar biografinë e tij, kuptojmë një personalitet të shquar dhe mjaftë largpamës për periudhën në të cilën jetoi. Ndaj, do të kalojë kohë të kuptojmë veprën e njerëzve të shquar që nuk u shpërblye sa ishin gjallë. Ne duhet të jemi krenar për veprën e Rexhep Mitrovicës dhe të gjithë personaliteteve si ai. T’i shërbesh atdheut është vepra më sublime që një njeri mund ta ketë bërë.

Duke kujtuar dhe respektuar veprën e Rexhep Mitrovicës është mire që eshtrat e tij të riatdhesohen, në tokën të cilën ai aq shumë e deshi. Sepse, vetëm duke respektuar personalitete të tilla, kombi ynë do ecë përpara në rrugën e tij të mohuar prej shekujsh.

Në trend

Më shumë
Si të mbani shtëpinë pa miza gjatë verës, pa kimikate por me një përbërës natyral

Si të mbani shtëpinë pa miza gjatë verës, pa kimikate por me një përbërës natyral

A e dini se...

"Me ty më as jashtë as brenda, se ma ke sjell shpirtin në fyt" - Gjesti prishet me Eglin në javën e fundit të Big Brother VIP Albania 4?

Magazina
Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve: Çiftet, orari, statistika dhe lojtari kresor i secilit nga katër ekipet

Jemi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve: Çiftet, orari, statistika dhe lojtari kresor i secilit nga katër ekipet

Liga e Kampionëve
Zbulim historik, shenja të forta jete gjenden në planetin e largët përtej sistemit tonë diellor

Zbulim historik, shenja të forta jete gjenden në planetin e largët përtej sistemit tonë diellor

Botë
Sulmi në zemër që nuk e ndjeni – por që mund t’ju kushtojë jetën

Sulmi në zemër që nuk e ndjeni – por që mund t’ju kushtojë jetën

Shëndetësi
Eneda Tarifa rrëfen se familja e saj ishte viktimë e skemave piramidale në vitin '97: Humbëm shuma të mëdha parash

Eneda Tarifa rrëfen se familja e saj ishte viktimë e skemave piramidale në vitin '97: Humbëm shuma të mëdha parash

Magazina
Kalo në kategori