Retushimi
Përderisa Presidenca retushon fotografi, PDK e AAK “retushojnë” një dekadë histori, ashtu si Universiteti i Prishtinës të kaluarën. Lakmi iu merr EULEX-i
Në fotografinë që Presidenca e Kosovës ua shpërndau mediave nga vizita e fundit në SHBA, presidenti Fatmir Sejdiu me të shoqen shiheshin në shoqëri me çiftin Obama. Në fakt, kjo ishte fotografi e retushuar, sepse nga ajo ishte hequr këshilltarja e Sejdiut, Vjosa Osmani! Duke e bërë publik “rastin”, KTV raportoi se më pas Osmani, në profilin e saj në Facebook e vendosi një pjesë të fotografisë së saj, ku shihej vetëm ajo me Obamën. Pjesën tjetër e hoqi. Si për inat!
Me çiftin Obama bënë fotografi që të gjithë çiftet dhe “singlat” që drejtojnë shtetet e botës, por në asnjërën nuk u panë këshilltarë të tyre. Vetëm në fotografinë me çiftin kosovar shihej edhe këshilltarja Osmani. Para se Presidenca (zoti na ruajtë!), të mos na e sqarojë se pse e “preu” Osmanin nga fotografia, do të ishte mirë që të sqarojë se pse një këshilltare zuri vend në atë fotografi. Tekefundit, pse u dashka ajo të jetë pjesë e “fotografisë kosovare” me Obamën? Kush është ajo?
* * *
Ramush Haradinaj nuk ka “prerë” ndonjë këshilltar nga fotografia, por ka vendosur që të ndërrojë tërësisht fotografinë. A e keni parë se cilët janë personat që zënë “safin” e parë në fotografitë e udhëheqjes së AAK-së? Aty nuk shihen ose shihen “rrallë e për mall” Ahmet Isufi, Naim Maloku e veteranë tjerë të AAK-së. Për Bajram Kosumin as që bëhet fjalë. Në vend të tyre buzëqeshin Blerim Shala, Blerim Kuçi, Burim Ramadani… “Gjaku i ri” i partisë! Se si e ka menduar Haradinaj të rikthehet në pushtet me këtë fotografi – ai e di më së miri. Vetëm se nuk është fort e drejtë që të “retushohen” njerëzit që deri dje punuan për partinë.
* * *
E Hashim Thaçi nuk ka retushuar fotografi, por një dekadë të tërë. Ai ka zgjedhur Astrit Salihun si kandidat për kryetar të Prishtinës, pavarësisht se qindra njerëz të tjerë kanë punuar dhjetë vjet në kryeqytet, për t’ia ngritur imazhin PDK-së dhe për t’ia shtuar votat - edhe atëherë kur PDK-ja nuk ishte kërkah. PDK-istët e Prishtinës, në heshtje, kanë shfaqur pakënaqësi me zgjedhjen e Thaçit, por badihava. Ai ka vendosur që Salihu ta bëjë Prishtinën të funksionojë!
* * *
Siç duket, EULEX ka filluar mirë të “familjarizohet” me idenë kosovare të retushimeve. Panot e këtij misioni, në të cilat prezantohen të arriturat e tij, Lëvizja Vetëvendosje i kishte “stolisur” me fjalinë “3 protokolle me Serbinë”, për t’ia kujtuar protokolet e shumëpërfolura. Por, EULEX ka gjetur një kundërpërgjigje më të sofistikuar. Sipas Vetëvendosjes, EULEX në panot e reja ka shkruar me ngjyrë të kuqe fjalinë “Përkrahë Kosovën në rrugën për integrim evropian”. Ngjyra dhe lloji i shkronjave janë të njëjta me ato të përdorura nga aktivistët e Vetëvendosjes. Vetëm se “forja” është tjetër ku: fjalia nuk është shkruar me sprej mbi pano, por është printuar si e tillë! Gjetje fantastike, s’ka fjalë!
* * *
Për t’ua vënë kapakun retushimeve u përkujdes Universiteti i Prishtinës.
Pasi ishte shpallur më parë “Doctor Honoris Causa”, Sali Berisha mori diplomën në një ceremoni solemne. Por, atij iu dha një diplomë tjetër nga ajo që është dashur t’i jepej. Udhëheqja e re e UP-së shpejt e shpejt bëri gati një diplomë me datë e nënshkrim tjetër, duke mohuar meritat e udhëheqjes së mëparshme dhe duke “asgjësuar” nënshkrimin e datën e vërtetë, madje edhe vulën! Aspak “honoris”, apo jo? Ashtu si dhe rastet e mësipërme!
/Editorial i gazetës “Profil”/


































