LAJMI I FUNDIT:

Regjimi i Thaçit dhe regjimi i Millosheviqit

Besoj se termi “regjimi i Millosheviqit” tashmë është i njohur ose do të duhej të ishte i njohur edhe për gjeneratat e reja pas vitit 1999. Sidoqoftë, pa pasur tentimin ose tendencën për të mbajtur ligjëratë mbi regjimin, ajo nënkupton, disi si shkurtë, vendosjen dhe shtrirjen e një projekti që fshihet nën shprehjen “politik”, por që i përmbushë kërkesat e grupeve të caktuara që vijnë nga e njëjta parti ose grupim politik. Kërkesat e këtyre grupeve nuk janë politike. Ato janë kërkesa që ndjekin paratë dhe privilegjet e tjera që dalin nga financat e shtetit dhe e të qenit në pushtet.

Nga kjo, ndoshta mund të ketë politikanë dhe analistë politikë që mund të thonë që në vitet e 90-ta në Serbi të ketë pasur regjim politik të Sllobodan Millosheviqit, sepse ai dhe partia e tij ishin ata që e kontrollonin shtetin, duke e mjelë atë.

Megjithatë, tash e gati pesë vjet në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik, ka papunësi dhe zhvillim të biznesit që shfrytëzohet kryesisht për fushata zgjedhore. Shohim çmimet të rriten çdo ditë, po nga këto biznese. Tash e pesë vjet nuk ka media ose shtyp të lirë, gazetarët dhe mendimtarët ose hiqen nga puna ose u mbyllen mediat, ose blihen me para dhe kalojnë në anën e pushtetit. Tash e pesë vjet nuk ka përparim në zhvillimin e shëndetësisë, të arsimit dhe të secilës infrastrukturë tjetër të nevojshme për mirëqenien e një shoqërie, pa marr parasysh se kush është e cila parti është në pushtet.


Tash e pesë vjet, zyrtarisht, Kosovën po e mjelë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Hashim Thaçi si kryeministër i Kosovës. Ky është regjim politik totalitar. Kjo lloj vendosje dhe shtrirje politike nuk dallon gjë nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Është tjetër që partia në pushtet, duke i përdorur mediat e veta dhe analistët e vetë politikë, dhe gazetarët, “regjimin e Millosheviqit” e përdorë si propagandë politike për të shtyrë opinionin në Kosovë, si dhe atë ndërkombëtarë, të mendojë që në Kosovë ende nuk është vendosur regjimi politik i Hashim Thaçit, kur ai është vendosur dhe funksionon tash e pesë vjet.

Edhe në Serbi organizoheshin protesta kundër Sllobodan Millosheviqit, por ato dhunoheshin dhe shtypeshin duke e përdorur policinë. Edhe në Serbi kishte gazetarë e mendimtarë që argumentonin kundër pushtetit dhe regjimit të Millosheviqit, edhe ata njëjtë dhunoheshin individualisht, fizikisht ose hiqeshin nga puna, ose gjendeshin mënyra të tjera shtetërore për të vepruar kundër tyre. Të njëjtën gjë po e bën edhe Hashim Thaçi dhe partia e tij tash e pesë vjet. Të gjithë kritikuesit e tij, Hashim Thaçi ose po i blenë, ose po i dhunon, ose po i shtypë në forma e mënyra të ndryshme duke e përdorur pushtetin dhe shtetin. Interesante, edhe Sllobodan Millosheviqi gjithmonë i fitonte “zgjedhjet e lira”.

Dua të them, kishte vite të tëra që bashkësia ndërkombëtare kishte probleme me regjimin politik në Serbi, ende pa nisur mirë problemi me Kosovën. Bashkësia ndërkombëtare, përgjithësisht Bashkimi Evropian, vazhdimisht kërkonte nga Sllobodan Millosheviqi vendosjen e medias dhe shtypit të lirë, organizimin e lirë politik të partive politike, shprehjen e lirë, ndalimin e shtypjes dhe dhunës kundër mendimtarëve të ndryshëm që nuk pajtoheshin me të, zhvillimin ekonomik, ndalimin e organizimit të grupeve paraushtarake dhe parapolicore (diçka të ngjashme me SHIK-un) dhe të tjera në këtë udhë. Kërkesa këto që janë të njohura për publikun e gjerë në Kosovë, sepse këto tashmë vlejnë për Hashim Thaçin dhe partinë e tij në pushtet, derisa Serbia është me një këmbë në BE.

Mbulesa e Sllobodan Millosheviqit atëherë për mospërmbushjen e kërkesave të tilla ishte Kosova. Mbulesa e Hashim Thaçit sot, për mospërmbushjen e këtyre kërkesave për aderim në BE mbetet Serbia.

Së fundi, unë nuk di çfarë t’i shtojë më shumë idesë se regjimet politike në botë, edhe në Serbi, edhe Kosovë, janë të njëjta. Ato, rëndomë, nuk thyhen pa gjakderdhje, pa luftë. Sllobodan Millosheviq dhe Hashim Thaçi nuk dallojnë nga ana e qasjes politike. Vijnë nga brumi dhe dëshira e njëjtë politike – gjithëpushtetin e gjthëpërhershëm.

Ironia në tërë këtë mesele është edhe pjesëmarrja aktive e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve në ballafaqimin ndërkombëtarë kundër regjimit të Millosheviti. Sot, që ironia të jetë më e madhe, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në i shohim të jenë pjesëmarrësit më aktiv të të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare pro bisedimeve të Hashim Thaçit me Serbinë. A është kjo shenjë e pendimit anglo-amerikanë kundër Sllobodan Millosheviqit, apo çfarë? Sidoqoftë, ky është shkrimi im, por as Vinston Qurqill nuk do t’i kishte rënë në fije këtij ngjasimi dhe bashkëpunimi mahnitës.