Në rastin “Gylenistet”, i akuzuari Rraham Sylejmani ka thënë se sipas ligjit për të huaj në rastet kur kërcënohet siguria e vendit personi i dyshuar depërtohet menjëherë nga vendi, ndërsa të akuzuarit Driton Gashi dhe Valon Krasniqi shfrytëzuan të drejtën e tyre për tu mbrojtur në heshtje.
Këtë deklarim, i akuzuari Sylejmani e dha në seancën e së mërkurës gjatë deklarimit të tij në fazën e mbrojtjes, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Flakron Sylejmani.
Në këtë rast, akuzohen për korrupsion ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi, ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi, si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare (DMH), Rrahman Sylejmani.
Po ashtu, i akuzuari Sylejmani ka thënë se të gjitha ligjet përfshirë edhe Ligjin për të Huaj i kanë të inkorporuara të gjitha dispozitat e konventave e deklaratës universale për të drejtat dhe liritë e njeriut.
Ai fillimisht ka treguar se kishte filluar punën në ish-policinë e atëhershme nga viti 1976 dhe se ka 46 vite përvojë pune.
E nga viti 2013 deri në pensionimin e tij më 25 shtator 2022, ai tha se ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj (DMH).
I njëjti ka treguar edhe detyrat dhe përgjegjësit që i ka pasur në kuadër të kësaj drejtorie, i cili tha se ndër detyrat kryesore kanë qenë: kontrolli dhe mbikëqyrja e shtetaseve të huaj me status legal, trajtimi i të gjithë shtetasve të huaj me qëndrim ilegal, trajtimin e shtetasve të huaj se a i shkelin dispozitat e ligjit për të huaj në dy format përmes largimit vullnetar dhe atij me forcë, zbatimi i aktgjykimeve gjyqësore në rastet kur shqiptohet dënimi plotësues me dëbim nga territori i vendit etj.
Si drejtor i DMH-së ai tha se rreth rastit në fjalë është informuar më 28 mars, d.m.th një ditë para depërtimit të shtetasve turq nga vendi.
“Unë rreth këtij rasti jam informuar me 28 mars një ditë para depërtimit të tyre në orar të punës rreth orës 15:15 min përmes telefonit nga drejtori i kufirit Shaban Guda i cili më ka ftuar që të shkoj në zyrën e tij në një takim pa më thënë detaje të tjera”, deklaroi i akuzuari Sylejmani.
Ky takim sipas tij, ishte bërë me kërkesën e drejtorit Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, (DSHAM), tani të akuzuarit Valon Krasniqi, i cili edhe i kishte thënë se janë në pyetje gjashtë shtetas turq që të gjithë ligjërues në kolegjin “Mehmet Akif”, të cilëve iu është revokuar leje qëndrimi dhe sipas vlerësimit të AKI-së të njëjtit duhet të depërtohen të nesërmen nga Republika e Kosovës sepse paraqesin rrezik për sigurinë e vendit.
“Fillimisht e ka marr fjalën Valon Krasniqi duke mu drejtuar mua, në atë takim më ka informuar në pika të shkurta duke thënë se janë në pyetje gjashtë shtetas turq që të gjithë ligjërues në kolegjin “Mehmet Akif” në Prishtinë, tre prej tyre në Prishtinë, tre në Gjakovë të cilëve më rekomandimin e AKI-së pesë prej tyre iu është revokuar leje qëndrimi i tyre, pasi që njeri prej tyre ka qenë në procedurat aplikuese për ta vazhduar leje qëndrimin se e ka pas të skadum, pesë janë revokuar leje qëndrimet që i kanë pas valide deri atëherë, ndërsa personit të gjashtë ju ka refuzu kërkesa”, tha tutje i akuzuari Sylejmani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pastaj, i njëjti tha se Valoni i kishte thënë se për të njëjtit është siguruar transporti dhe duhet të depërtohen nga Republika e Kosovës.
Pas këtyre informatave ai tha se i ishte prezantuar edhe një zarf me dokumentacionin përkatës e që sipas tij, ishin vendimet për revokimin e leje qëndrimeve për pesë shtetasit turq dhe një dokument tjetër numër të dhënat personale për secilin veç e veç, fotografi e një skiç-hartë se ku ishte vendbanimi i tyre.
Ndërsa, për personin e gjashtë ai tha se nga i akuzuari Krasniqi përmes emalit zyrtar ka pranuar një njoftim se i është refuzuar kërkesa për vazhdim të leje qëndrimit dhe se paraqet rrezik për sigurinë e vendit, por shtoi se në atë email nuk ishin bashkangjitur asnjë dokument e as të dhënat personale.
Pastaj, ai tha se ka diskutuar edhe me dy zyrtarët e AKI-së ku të njëjtit e kishin informuar se në mëngjes do të vije aeroplani për transport të shtetasve turq me të cilin do të largohen nga Kosova por pa e cekuar se a është linjë e rregullt apo çfarë aeroplani.
I njëjti ka thënë se kishte pasur kërkesë që të kyçet edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës por kjo kërkesë e tij ishte refuzuar nga përfaqësuesi i AKI-se, i cili i kishte thënë se nuk duhet të kyçet askush tjetër për shkak të konfidencialitetit të rastit.
“Kam kërkuar që të kyçet Njësia Speciale e Policisë në ndalimin dhe shoqërimin e tyre deri në aeroport ndërsa ne të merrem vetëm me çështje administrative për kontrollimin e dokumentacionit, ajo është refuzuar nga përfaqësuesi i AKI-se i cili ka thënë se nuk duhet të kyçet askush tjetër për shkak të konfidencialitetit të rastit sepse nuk vlerësojmë na që ka nevojë për Njësi Speciale sepse ata janë njerëz të edukum”, ka thënë ai.
I akuzuari Sylejmani gjithashtu tha se asnjëherë nuk ka parë dokumentin e AKI-së pasi që sipas tij, është i klasifikuar dhe se nuk e din përmbajtën e tij.
Pas këtij takimi, ai tha se kishte organizuar dy grupe për veprimet që do t’i ndërmerrnin të nesërmen policia.
Sipas të akuzuarit Sylejmani, të gjithë urdhrat edhe të largimit me forcë, edhe vullnetar edhe të dërgimit në Qendrën e Mbajtjes janë ankese të udhëzimit administrativ që është akt nënligjor i Ligjit për të Huajt.
Këto drafte ai tha se i marrin nga këto udhëzime.
Këto forma, këto vendime sipas tij përmbajnë të dhënat personale, pjesën e arsyetimit të dispozitivit të pjesës ligjore dhe këshilla juridike.
Sipas tij, parashtrimi i ankesës nuk e pezullon ekzekutimin e këtij urdhri d.m.th. urdhri hyn në fuqi me rastin e nënshkrimit.
Tutje, i njëjti ka thënë se procedurat e zbatimit të largimit me forcë nuk janë uniforme dhe të njëjta.
Ndërsa, paraprakisht i akuzuari Gashi ka thënë se për shkak të funksionit që ka mbajtur si drejtor i AKI-së që bart ky agjencion dhe pas përfundimit të mandatit kjo gjë e kufizon atë në mbrojtjen e tij.
“Çdo deklarim i imi për informacione që mund të jenë të klasifikuara në rastin konkret në nivelin tepër sekret me vendos në një pozicion që mund të shkel ligjin dhe të konsiderohet vepër penale që mund të jetë e ndëshkueshme me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Andaj për dhënien e informacioneve specifike, deklaroj se mbrohem në heshtje”- deklaroi i akuzuari Gashi.
Ai po ashtu ka thënë se ajo se çfarë ka pasur të deklaroj e ka deklaruar pranë Prokurorisë së Shtetit si dhe në fjalën hyrëse të tij për të cilat deklarata ai tha se ju qëndron mbrapa.
“Sa i përket keqpërdorimit te detyrës zyrtare deklaroj se ka vetëm një institucion që e njeh Kushtetua në Republikën e Kosovës për të dhënë një vlerësim rreth funksionit detyrave dhe Shkeljeve ligjore te drejtorit te AKI-së dhe ai është institucioni i Inspektoriatit të Përgjithshëm në kuadër të AKI-së por i cili nuk i raporton drejtorit të përgjithshëm por është instrument ekskluziv i kryeministrit të Kosovës dhe dua të rikujtoj deklarimin e tij se ai nuk kishte gjetur shkelje ligjore”, ka thënë Gashi.
Të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje e ka shfrytëzuar edhe i akuzuari Valon Krasniqi, i cili tha se ndihet tërësisht i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe se veprimet e tij janë marrë konform ligjit në fuqi.
Seancat e radhës për rast janë caktuar më 17 dhe 23 maj 2023.
Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.
Ndryshe, më 21 maj 2021, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashit, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmanit.
Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.
Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes, hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.
Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.
Ndërkaq, prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.
Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.
Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.
Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.
PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.
Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.
Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.
Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A