Policia e Kosovës ka konfirmuar se është duke zhvilluar një kontroll në zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Këtë e bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti duke mos dhënë detaje shtesë.
“Referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar një kontroll në KEK dhe për detajet tjera rreth rastit do të informoheni me kohë”, ka thënë Mehmeti.
Ndërkaq, Policia e Kosovës përkatësisht hetues nga Departamenti i Krimeve Ekonomike janë duke bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Siç merr vesh Telegrafi, çështja ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime për tenderin e një remonti të kaldajës në bllokun A5 të termocentralit “Kosova A”.
Telegrafi ka kontaktuar me KEK-un, por të njëjtit kanë thënë se nuk e kanë asnjë informacion deri në këtë moment. /Telegrafi/