Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia Demokratike Shqiptare dhe Rilindja Demokratike Kombëtare, takimet përmbyllëse me elektoratin gjatë këtyre dy ditëve të mbetura do t'i zhvillojnë kryesisht në qendrat më të mëdha, si Shkupi, Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Struga.

Ndërkaq, qytetarët shprehen skeptikë se me premtimet e dhëna gjatë fushatës, kandidatët që do të marrin besimin për të drejtuar komunat do t'i realizojnë në praktikë ashtu siç zotohen gjatë fushatës.


“Zgjedhjet i vlerësoj si manipuluese”, shprehet taksisti Xhevat Ademi, për express.mk.

“Qytetarët janë të brengosur për gjendjen ekonomike, dhe ne aspak nuk pamë ndonjë ofertë si të përmirësohet kjo gjendje”, thotë Vanco Atanosavski.

Ndërkaq, një pjesë e qytetarëve mendojnë se në këtë fushatë nuk kanë garuar ofertat për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, por se kandidatët më shumë janë fokusuar për të promovuar vetveten.

“Papunësia është e madhe në Maqedoni, kjo është e para pikë për çka duhet të angazhohen drejtuesit e partive politike dhe ata që do udhëheqin me komunat”, thotë Feta Demiri.

“Me pengon se në këtë fushatë ka pasur më shumë fyerje të adresuara ndaj oponentëve politikë, sesa oferta për atë se çka synojnë të realizojnë dhe si do ta realizojnë”, shprehet Ana Dimitrova.

“Ashtu si edhe para katër vjetëve, nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë të qytetarëve. Te shqiptarët veçanërisht ka shumë fukarallëk. Nuk kemi asnjë shpresë”, shprehet Ramiz Hasani.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni. Të parat u mbajtën në vitin 1990, gjersa të të fundit në vitin 2009. E veçanta e këtyre zgjedhjeve mbetet mundësia që për herë të parë komuna e Kërçovës të drejtohet nga kandidatë shqiptarë. /Telegrafi/