Site icon Telegrafi

Qytetarët dhe bizneset thonë se nuk do të respektojnë kufizimet anti-COVID, nëse ato rikthehen

Gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë në detyrë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se rikthimi i masave është i mundshëm. Mirëpo, qytetarët e bizneset thonë se nuk do t’i respektojnë ato masa nëse rikthehen.

“Do të ishte një katastrofë për ekonominë rikthimi i masave. Nuk e di si mund t’i rikthejnë masat kur vet qeveritarët nuk i respektojnë”, shprehet për RTV Dukagjinin, qytetari Fehmi Rrustemi.

“Nëse mbyllet përsëri ekonomia, për popullin do të jetë shumë vështirë”, thotë qytetari tjetër Ymerli Harhulla.

“Unë mendoj se masat janë të vlefshme vetëm për një qëllim. Të mbrojnë shëndetin e popullatës”, deklaroi qytetarja Fixhrije Rama.

Ndërsa kryetari i shoqatës së Gastronomeve, Petrit Kllokoqi thotë se ata nuk do t’i respektojnë masat nëse ato rikthehen.

“Nuk e di nëse ekziston një politikan legjitim që mund të kërkojë mbylljen e bizneseve apo kufizimin e lëvizjes e po ashtu edhe respektimin e masave kur kemi parë se në fushatat e partive politike nuk është respektuar asnjë masë kundër Covidit”, deklaroi Kllokoqi, përcjell Telegrafi.

Kundër ashpërsimit të masave shprehet edhe biznesmeni Fisnik Ismajli i cili thotë se nuk do të respektojë kufizimet nëse ato rikthehen.

“Do të revoltohemi keq. E kam thënë se vetëm zhag mund të më fusin në burg sepse unë do të dalë në punë e do të shkojë në shtëpi. Për neve që marrim rroga nga kjo punë, asgjë nuk ka më të rëndësishme se sa puna”.

Sipas statistikave shumë biznese kanë pësuar humbje të mëdha nga pandemia./Telegrafi/

Exit mobile version