Pushojnë hetimet ndaj Nexhmedin Arifit

Prokuroria Themelore e Gjilanit, departamenti për krime të rënda ka konfirmuar se ka pushuar hetimet në një rast të dyshuar ndaj: Nexhmedin Arifit, Abdullah Eminit, Beshir Pira, Ridvan Ademi, Tahir Lubishtani, Zyrafete Bislimi dhe Naser Haziri, të dyshuar për veprën e penale “keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, raporton rajonipress.
Në aktvendimin e prokurorit Afrim Shefkiu, thuhet se të dyshuarit gjatë hetimeve kanë mohuar veprimet inkriminuese të veprave penale që i vihen në barrë me arsyetimin se kanë vepruar konform dispozitave të Ligjit të Prokurimit publik dhe se nuk i është shkaktuar dëm Komunës së Vitisë.
Prokuroria, thuhet në vendim, ka marrë për bazë edhe konstatimin e ekspertit të financave, Riza Blakaj nga i cili rezulton se në veprimet e të dyshuarit Nexhmedin Arifi, lidhur me marrëveshjen për punën e nënshkruar në vitin 2009 me projektuesin Feriz Sinani, nuk është dëmtuar buxheti i Komunës.
Eksperti financiar ka sqaruar edhe veprimet e të dyshuarve të tjerë, rreth vlerësimit të ofertave të tenderit për rregullimin e kanalizimit të fshatrave Mogillë, Verbovc etj.
Ndaj Nexhmedin Arifit, në Gjykatën Themelore të Gjilanit është duke u zhvilluar një proces tjetër gjyqësor, pasi që ai së bashku me Kabil Hajdarin akuzohen për veprën penale “korrupsion zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”. /Telegrafi/





















































