Pse u harrua vjedhja në Polici?
Është e vërtetë që Kosova po kalon nëpër një fazë të rëndë të gjendjes ekonomike, është gjithashtu e vërtetë që në Kosovë kanë ndodhur shumë ngjarje që do të mund të ishin inspirim shumë i mirë për skenaristët e regjisorët e filmave të ndryshëm nga ata fantastiko - shkencorë e deri te ata aksion.
Fakti që këtu kanë ndodhur shumë ngjarje të pashpjegueshme e të mistershme, populli ynë ka filluar që të humb motivin për reagimin qytetar, kështu politikanët tonë mendojnë që populli i duke u ndikuar në elementin KOHË, si dhe duke u preokupuar me krizën sociale dhe ekonomike do të harroj këto ngjarje të cilat jo vetëm që e lëndojnë krenarinë e të qenit shtetas i Kosovës, por ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të Kosovës.
Besimi i qytetarëve të Kosovës në Policinë dhe në gjyqësinë janë dy elemente kryesore që e bëjnë qytetarin të ndihet mirë në vendin e tij, që e bëjnë at të sigurt të jetoj e të investoj kapitalin dhe dijen e tij në këtë vend për të cilin e krijuan shumë ëndrra të gjithë brezat.
Në këtë shkrim dua të merrem vetëm me një rast i cili jo vetëm që e sulmoj rëndë besimin e qytetarëve në Policinë e vendit, por, i tregoj gjithë botës se sa më i fuqishëm është krimi i organizuar, karshi Institucioneve të Kosovës.
Në çdo vend të botës ndodhin krime nga më të ndryshmet, e në këtë kontekst ndodhin edhe vjedhje nëpër vende që s’mund t’i kapë imagjinata e njeriut. Prandaj, nuk duhet që të habitemi tepër pse kjo i ndodhi edhe dhomës qendrore të sigurisë, së Policisë së Kosovës edhe pse tmerri që përjetoi populli me këtë rast ishte shumë i madh. Katastrofa më e madhe që po e përjeton populli është heshtja e përgjithshme në lidhje me këtë rast tepër të ndjeshëm.
Siç është e ditur ende nuk kemi asnjë të dënuar dhe asnjë të arrestuar në lidhje me këtë rast. Nuk duhet të jemi ekspertë të sigurisë për të kuptuar se ata polic që kanë punuar atë natë kanë emra dhe mbiemra, kanë komandant dhe përgjegjës që i kanë urdhëruar atë natë kur ka ndodhur krimi, e ne nuk kemi parë askënd të lidhur prapa grilave.
Sistemet e sigurisë së këtyre objekteve të rëndësishme janë të krijuara në atë mënyrë, që po qe se respektohen procedurat sipas rregullave të parapara nga to, nuk ka asnjë mundësi që sistemi të dështoj. Në këtë rast patjetër që ndonjë hallkë e këtij sistemi ka dështuar së funksionuari sipas procedurave të rregullta dhe kjo është shumë e lehtë për tu hetuar se përgjegjësi e kujt ka qenë ai dështim.
Nëse s’kanë funksionuar kamerat, dihet se cili person ka qenë përgjegjës për to në atë periudhë, nëse janë hapur dyert, përsëri ai person ka emër dhe mbiemër. E nëse mungon zbulimi i së vërtetës në këtë rast, atëherë, më plot përgjegjësi mund të konkludohet se mungon interesimi për të zbuluar të vërtetën. E me këtë dëmtohet SHUMË rëndë, jo vetëm besimi i qytetarëve në institucionet e vendit por edhe shkatërrohet imazhi i Kosovës karshi të gjithë investitorëve dhe miqve të ndryshëm që janë të interesuar ta ndihmojnë Kosovës.
Shkarkimi i Sheremet Ahmetit të paktën zyrtarisht nuk është bërë me këtë motivacion, kjo të shton dyshimet që përgjegjësia është politike. Me këtë rast populli i Kosovës ka marr një mesazh të pastër, që këtu mund të bësh çdo gjë dhe nuk do të dënohesh ose dënimin më të rënd që mund ta pësosh është largimi nga puna.
Si është e mundur që Kosova të mos ketë asnjë hetues, apo prokuror të tipit të “Gjovani Falkone” i cili në Itali luftonte krimin e organizuar, apo Kosova ka të tillë por s’kanë përkrahje për ta iniciuar një hetim të përmasave të tilla.
E tërë shoqëria civile dhe veçanërisht institucionet përgjegjëse duhet që të japin kontributin e tyre që ky rast të mos heshtet, por sa më parë të zbardhet dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar.
Si mund ti kërkosh qytetarëve të bashkëpunojnë me organet policore, përderisa brenda në polici nuk hetohet dhe nuk luftohet krimi. Cili nga qytetarët do të ketë guximin t’ia bart ndonjë informatë të rëndësishme policisë së Kosovës, kur brenda saj bëhen vjedhje të këtyre përmasave dhe përgjegjësit nuk kapen.
Parlamenti i Kosovës duhet të bëjë një kërkesë urgjente për Qeverinë e Kosovës, ose për Ministrinë e Punëve të Brendshme që këto institucione të bëjnë raporte mujore, në lidhje me progresin e hetimeve për këtë rast, në mënyrë që kjo gjë të mos heshtet dhe të tentohet të mbulohet, por të bëhet gjithçka që është e mundur për tu zgjidhur ashtu siç zgjidhen krimet në të gjitha shtetet ligjore.
Askujt nuk i shërben mbulimi i kësaj çështje, tek e fundit qytetarët e Kosovës duhet që ti besojnë shumë më shumë Institucioneve të shtetit se sa EULEX-it. Përderisa MPB nuk zgjidhë këtë rast dhe të paraqes publikisht rezultatet e hetimeve, gjithmonë do të përballet me uljen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës, gjë e cila do të kishte pasoja të rënda për ndërtimin e një shteti ligjor. Në të kundërtën do të rritet vazhdimisht distanca e qytetarëve me PK-në dhe të gjithë ne, do të dëshpërohemi me shtetin për të cilin është sakrifikuar shumë.
Asnjëri nga ne nuk do që për problemet e brendshme të kërkojmë zgjidhje tek institucionet e jashtme, siç është EULEX-i apo kushdo tjetër, aq më tepër kur edhe ato me rastin e kontrabandimit të cigareve e alkoolit nga ana e policëve të EULEX-it si dhe me rastin Kurti ulet besimi edhe tek kjo strukturë e cila në Kosovë është ftuar për të vënë rregull.
Policinë e Kosovës duhet të demonstrojë luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këtë duhet bërë urgjentisht, para se të krijohet bindja se PK është institucion që merret vetëm me gjobat në trafik.
(Autori është student në master)




















































