Kur Yevgeny Prigozhin nisi grusht shtetin e tij të dështuar kundër presidentit Vladimir Putin më 23 qershor, ai u duk se kishte një valë mbështetjeje popullore ndërsa forcat e tij po shkonin drejt Moskës.
Kjo ishte sfida më e madhe për autoritetin e Putinit në dy dekada, dhe atij i duhej urgjentisht të konsolidonte bazën e tij të pushtetit, të rivendoste autoritetin e tij dhe të eliminonte çdo kërcënim ndaj sundimit të tij.
Dhe një ndërhyrje e presidentit bjellorus Aleksander Lukashenko e bindi Prigozhinin të braktiste marshimin e tij të dështuar në Moskë dhe gjithashtu e ndihmoi Putinin të largonte kërcënimin e vazhdueshëm të Wagner-it duke ofruar pritjen e grupit mercenar të luftëtarëve në Bjellorusi.
Kjo ndërhyrje ishte e paçmueshme për Putinin dhe i dha Lukashenkos një levë të rrallë në marrëdhënien e tij zakonisht të nënshtruar me liderin rus.
Por sapo Putini ripohoi autoritetin e tij, vëmendja e tij u kthye te Wagner dhe më konkretisht lideri i tyre, Yevgeny Prigozhin, shkruan analisti ushtarak, Sean Bell, përcjell Telegrafi.
Në shkrimin e tij në Sky News, Bell thekson se megjithëse Wagner i kishte ofruar Rusisë një sukses të rrallë në fushën e betejës në luftën e Ukrainës – më së shumti në marrjen e Bakhmutit – dhe Putini mbështetet te Wagner për ofrimin e shërbimeve ushtarake të paçmueshme që gjenerojnë të ardhura në Afrikë dhe më gjerë, Putinit iu desh të kufizonte potencialin për çdo përpjekje të përsëritur për grusht shteti.
Kështu, thekson ai, forcave të Wagner-it që u zhvendosën në Bjellorusi iu ofrua mundësia për t’u bashkuar me ministrinë ruse të mbrojtjes, ose për t’u zhvendosur në operacionet e Wagner-it jashtë shtetit. Ata që refuzuan u lanë në kampet bjelloruse.
Por forcat mercenare duhet të paguhen ose rrezikojnë të bëhen “armë me qira”. Lukashenko dukej se supozonte se Rusia do t’u paguante pagat.
Pra, kur Rusia refuzoi, Lukashenko u përball me një zgjedhje të vështirë: financimi i mercenarëve të Wagner-it dhe rreziku i nxitjes së trazirave të brendshme, ose dëbimi i mercenarëve të mbetur nga vendi i tij.
I vetëdijshëm se Lukashenko ka ambiciet e veta – vë në pah Bell – shumë analistë besojnë se ai ende aspiron të jetë pasardhësi i Putinit – ai mund të ketë gjykuar se forcat Wagner të vendosura në Bjellorusi mund të jenë të dobishme nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe kërcënon territorin e Bjellorusisë.
Megjithatë, tani duket e mundshme që çfarëdo “marrëveshjeje” që Lukashenko ndërmjetësoi me Putinin tani ka skaduar.
Andaj, sipas tij, megjithëse disa luftëtarë Wagner mund të mbeten për të ofruar trajnime të dobishme ushtarake për ushtrinë bjelloruse, ne mund të presim që të shohim që luftëtarët e mbetur të Wagner me bazë në Bjellorusi të shpërndahen gradualisht gjatë javëve të ardhshme. /Telegrafi/