E përditshmja Panorama raportoi të enjten se partia më e madhe opozitare ka nisur një fazë të rëndësishme të përgatitjes për zgjedhjet vendore. Emrat e njerëzve më të besuar që do të merren me administrimin e procesit zgjedhor dhe veçanërisht me numërimin votave të 8 majit janë depozituar në selinë e PS-së pranë sekretarit organizativ.

Partia Socialiste do të ketë shumicën e komisionerëve në 33 KZAZ në të gjithë vendin, ndërsa ende nuk i është përgjigjur thirrjeve të KQZ-së për të dorëzuar emrat e komisionerëve.


KQZ i ka lënë një javë kohë në dispozicion edhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që ashtu si PS ende nuk e ka përmbushur këtë detyrim.

Ndërkaq, këto ditë PS ka nisur edhe mbledhjen e opinioneve rreth kandidaturave për kryetarë komunash dhe bashkish, ndërsa strukturat e saj po punojnë me sistemet e patronazhit për verifikimin e listës paraprake të zgjedhësve me qëllim shmangien e dublimeve. /Telegrafi/