LAJMI I FUNDIT:

Profesioni që rrah përtej kufijve – historia inspiruese e doktor Florim Cuculit, nga emigrant në zemër të kardiologjisë zvicerane

Profesioni që rrah përtej kufijve – historia inspiruese e doktor Florim Cuculit, nga emigrant në zemër të kardiologjisë zvicerane
Dr.Florim Cuculi (Foto-kolazh: Endrit Dallaveraj/Telegrafi)

Në një moshë kur shumica e të rinjve fillojnë të thurin ëndrra për të ardhmen e tyre, një mundësi të tillë nuk e pati Florim Cuculi nga Maqedonia e Veriut.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka treguar se qysh në moshën 14 vjeçare është përballur me një sfidë të madhe dhe transformuese, atë të largimit për në Zvicër.

Por, ajo që mund të ishte një histori e frikës dhe izolimit, për të u shndërrua në një rrugëtim frymëzues për integrim, sukses dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë, duke u bërë kështu një doktor i njohur në njërin prej profesioneve më të nderuara dhe të domosdoshme – kardiologjisë.


Si drejtor i repartit të Kardiologjisë në Spitalin e Lucernit, rrëfimi i Florim Cuculit nuk është vetëm për një arritje personale, por një dëshmi e forcës së karakterit, dhe e aftësisë për të tejkaluar pengesat e jetës dhe për të arritur në kulmin e profesionit të tij, në një nga vendet me standardet më të larta të kujdesit shëndetësor në botë.

Më poshtë intervista e plotë:

Telegrafi: Keni emigruar në moshën 14 vjeçare në Zvicër. Na përshkruani pak periudhën e emigrimit dhe sa keni hasur vështirësi që të integroheni në shoqërinë zvicerane?

Dr.Cuculi: Mosha 14 vjeçare është moshë e vështirë për tu shpërngulur. Por që nga fëmijëria më ka karakterizuar aftësia për tu adaptuar në rrethana të reja. Unë e kuptova herët që duhet patjetër të mësoj mirë gjermanishten dhe u angazhova maksimalisht. Rrjedh nga një familje e shëndoshë shqiptare, por babain dhe nënën nuk i kisha të shkolluar. Unë jam fëmija i parë nga gjithë familja që ka kryer fakultet. E mbaja pra me vete këtë barrë që të jem i pari – por njëkohësisht unë nuk kisha çfarë të humbja. Fëmijët e mi do ta kenë më të lehtë, pikërisht për faktin që i kanë mundësitë më të mira dhe babin e suksesshëm.

Telegrafi: Çfarë ju bëri të zgjidhni fushën e kardiologjisë dhe si filluat karrierën tuaj në këtë fushë?

Dr.Cuculi: Kardiologjia ishte tërësisht e rastit. Në vitin e 3 të Fakultetit të Mjekësisë nuk e dëgjoja mirë zhurmën e stenozës mitrale dhe e pyeta profesorin a mund të më ndihmojë. Ai me tha që të shkoja në Lucern dhe ta përcjell me pacientë. Kështu u afrova me kardiologjinë dhe më vonë ai u bë mentori im kryesor. Bëhet fjalë për Prof. Paul Erne që ishte paraardhësi im si shef i klinikes së kardiologjisë ne Lucern. Shpesh janë rastësitë të cilat vendosin për fatin tonë. Sikur ta kisha dëgjuar mirë zhurmën e asaj valvule, sot ndoshta do isha bërë reumatolog apo kirurg.

Telegrafi: Cilat janë sfidat më të mëdha që hasni si kardiolog dhe si i trajtoni ato?

Dr.Cuculi: Unë merrem kryesisht me kardiologji intervente, dmth intervenimi në arteriet koronare, trajtimi i valvuleve, mbyllja e vrimave etj. pa hapjen e gjoksit. Për fat të mire punoj në një vend ku i kam të gjitha mundësitë materiale që ta bëjë punën time si duhet. Kjo ma lehtëson punën dhe shpesh herë kur mbaj punëtori në vende të ndryshme të botës, dmth. vende më të varfra se Zvicra, e shoh se çfarë vështirësish kanë kolegët e mi. Sfidat janë shpesh herë njerëzore. Rrallë ndodh që mos të kemi mundësi t’i ndihmojmë një pacienti dhe kjo ta thyen zemrën. Unë jam tip që nuk dorëzohet dhe çdo herë bëj maksimumin për pacientin. Edhe në rast se e humb një betejë, dua ta humb pas një beteje ku kam luftuar deri në fund – e jo sepse u dorëzova.

Telegrafi: Aktualisht jeni drejtor i repartit të kardiologjisë në Spitalin e Lucernit. Si keni arritur deri tek ky sukses?

Dr.Cuculi: Në këtë Spital kam qenë edhe student i mjekësisë (2003) dhe asistent i internos (2006) dhe i kardiologjisë (2007). Unë u ktheva si specialist i kardiologjisë në vitin 2012 pasi kisha specializuar 3 vite ne Universitetin e Oxfordit në Angli. Këtu pastaj e zhvillova karrierën dhe në vitin 2015 u bëra shef reparti e në 2018 drejtor i kardiologjisë. Nga marsi i 2023 jam drejtor i Klinikës. Ky sukses është arritur me punë dhe angazhim të madh. Natyrisht që është rritur edhe përgjegjësia për mua. Si drejtor nuk ke vetëm përgjegjësi për shërimin e pacientëve por e ke obligim të kujdesesh për stafin, qoftë mjek apo infermiere. Unë mundohem këtë detyrë ta bëjë sa më mirë por natyrisht që kjo të konsumon shumë sepse ditët janë të gjata dhe të mbetet pak kohë për jetën personale. Duhet të jesh i organizuar mirë dhe të kesh një staf bashkëpunëtorësh që të ndihmojnë ta bësh këtë punë sa më mirë. Për fat të mire stafin e kam fantastik dhe kemi respekt të ndërsjellët dhe bashkëpunim profesional në nivel të lartë.

Telegrafi: Përveç teje, a ka ndonjë shqiptar tjetër që punon në këtë spital?

Dr.Cuculi: Në spitalin tim punojnë shume shqiptarë. Në kardiologjinë invazive kam tri shqiptare, Loriken, Krenaren dhe Veneten. Po ashtu udhëheq një ambulante kardiologjike në qytet (Cardio Center Luzern) dhe aty punojnë Fitorja, Mejremi Leona dhe Teuta. Në reparte tjera ka po ashtu shumë shqiptarë. Do të veçoja doktor Edin Nevzatin, shef reparti në Klinikën e Neurokirurgjisë, mjek i mrekullueshëm i cili na bën krenarë të gjithëve.

Telegrafi: Cilat janë shenjat dhe simptomat kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare që ju hasni më shpesh në praktikën tuaj?

Dr.Cuculi: Natyrisht varet a bëhet fjalë për sëmundjen koronare kur simptoma klasike është dhimbja në gjoks apo për insuficiencën kardiake ku simptoma kryesore është frymëmarrja. Ndonjëherë edhe plogështia apo marramendja mund të jenë simptoma të cilat sugjerojnë një sëmundje të zemrës. Me rëndësi është mos t’i injorojmë simptomat dhe të kërkojmë ndihmë apo sqarim.

Telegrafi:  A mund tu tregosh lexuesve se si i keni menaxhuar rastet e komplikuara ose emergjente në fushën e kardiologjisë dhe a mund ta ndani me ta njërën nga situatat më të rënda që keni përjetuar si kardiolog?

Dr.Cuculi: Kur vjen një pacient me infarkt të madh apo me shok kardiogjen, atëherë armikun më të madh e ke kohën. Dmth, duhet ta trajtosh pacientin sa më shpejt dhe ta menaxhosh edhe sëmundjen e pacientit por po ashtu edhe stafin. Unë e ceka më lart që kam staf të mrekullueshëm e ata të mundësojnë që ta shpëtosh pacientin edhe ku ai ndoshta konsiderohet qe nuk ka shanse. Rasti më i vështirë ka qenë kur erdhi një pacient i cili ishte i reanimuar për 70 minuta në vazhdimësi. E shpëtuam këtë pacient dhe jam tepër i lumtur. Sot ky pacient me kish shënuar një mesazh i cili më preku thellë. Më uroj një vit te ri dhe me tha qe i kam mundësuar të festoj edhe njëherë vitin e ri. Shumë e bukur kjo. Unë shpresoj qe ai do festojë edhe shumë herë vitin e ri.

Telegrafi: Cilat janë arritjet më të mëdha që keni pasur në trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare dhe çfarë është ajo që ju bën më të lumtur në punën tuaj si kardiolog?

Dr.Cuculi:
Me rëndësi është pacienti të ndihet i lumtur te unë dhe të më besojë 100 %. Nuk ka shërim aty ku nuk ka besim. Për mua pacienti është partner dhe asnjëherë nuk jam unë superior ndaj atij apo asaj. Kjo të bëhet e qartë kur ti si mjek apo ndonjë i afërt i yti bëhet pacient, atëherë e kupton që edhe një fjalë e gabuar mund te bëj shumë dëm apo në të kundërtën mund të ndihmojë shumë.

Telegrafi: Çfarë u thoni të rinjve që duan të studiojnë mjekësinë. Cila është sakrifica njerëzore që bën një mjek?

Dr.Cuculi: Për tu bërë një mjek apo një mjeke e mirë është me rëndësi që të jesh i dedikuar. Mjekësia është një profesion i cili të konsumon shumë. Por njëkohësisht është profesion shumë interesant. Falënderimi nga ana e pacientëve është i mrekullueshëm dhe të jep energji të madhe. Dashuria e pacientit të shpërblen për sakrificën që ti e bën.

Telegrafi: Për fund, cili është mesazhi juaj për të gjithë lexuesit për vitin 2024?

Dr.Cuculi: Uroj që të kemi një vit të mbarë me paqe dhe begati. Më e rëndësishmja është të kemi shëndet të mirë sepse pa shëndet nuk kemi asgjë. Po ashtu është me rëndësi që ta trajtojmë njëri-tjetrin me respekt. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Kalo në kategori