Infarkti i trurit (goditja apo sulmi në tru) renditet në vendin e katërt të shkaqeve të vdekshmërisë. Paraqet njërën prej sëmundjeve që krijon barrë të rëndë personale, sociale dhe ekonomike. Rëndësi të veçantë në parandalimin e tij ka trajtimi i sëmundjeve të zemrës Ass.dr. Blerim Myftiu, PhD Neurolog

Bllokimi i ndonjërës prej arterieve që e furnizojnë me gjak trurin dhe pamundësia e asaj pjese të trurit për t’u furnizuar me oksigjen krijon mundësinë për zhvillimin e infarktit dhe humbjen e funksionit të asaj pjese të trurit. Kjo ndodh zakonisht në mënyrë të papritur, pra akute dhe manifestohet me një sërë simptomash, varësisht nga pjesa e prekur e trurit.


Ndër simptomat më të shpeshta janë shkallë të ndryshme të humbjes së vetëdijes, çrregullimet e të parit dhe të të folurit, paralizat e njëanshme trupore, çrregullimet e drejtpeshimit dhe të ecjes.

Përveç faktorëve të zakonshëm dhe të mirënjohur që e shtojnë rrezikun për bllokimin e arterieve, siç janë hipertensioni, diabeti, yndyrat e larta në gjak, duhani apo alkooli, me rëndësi është edhe ekzaminimi i zemrës.

Janë disa çrregullime të zemrës të cilat mund të shkaktojnë rrezik për krijimin e copëzave të vogla të gjakut (që në gjuhën mjekësore quhen trombe) që mund të kalojnë në qarkullimin e gjakut nga zemra (duke krijuar emboluse) dhe të bllokojnë ndër të tjera edhe ndonjë arterie të trurit.

Duhet t’u kushtojmë rëndësi dy gjendjeve të veçanta në zemër. Gjendja e parë është çrregullimi i ritmit të zemrës (aritmisë), përkatësisht prania e një lloji të veçantë të aritmisë i cili quhet fibrilacion atrial.

webmd rf photo of atrial fibrillation

Fibrilacioni atrial detektohet në një EKG. Mirëpo, në rastet kur në EKG nuk kemi çrregullim të ritmit, medoemos duhet të bëhet përcjellja e ritmit të zemrës për së paku 24 orë përmes aparatit të veçantë i cili quhet holter. Në këtë mënyrë, do ta shtojmë mundësinë e detektimit të aritmisë, qoftë nëse ajo shfaqet edhe për disa sekonda.

Në këtë gjendje, zemra rreh në mënyrë të çrregullt, kjo e rrit mundësinë që një pjesë e gjakut të ndalet në hapësirat e zemrës, kjo ndalje shton rrezikun për mpiksjen e gjakut dhe copëzat e kësaj mpiksjeje në çdo pompim të zemrës mund të kalojnë në qarkullim duke shkuar madje deri në tru dhe bllokuar eventualisht ndonjë arterie të tij.

Gjendja e dytë që e shton rrezikun për krijimin e trombëve dhe kësisoj hap rrugë për infarktin e mundshëm në tru është mostkurrja e ndonjë pjese të murit të barkushes së majtë të zemrës.

Ekokardiografia e realizuar nga kardiologu na ndihmon që ta detektojmë praninë eventuale të pjesëve të zemrës që nuk tkurren (segmente akinetike) dhe ndërmarrjen e masave përkatëse.

d06a1a59400a0fa6492dbd671a17cbde

Ngjashëm sikur me çrregullimin e ritmit, çdo pjesë e murit të zemrës që nuk tkurret, krijon terren të përshtatshëm për ndaljen (stazën) e gjakut dhe krijimin e trombëve të rrezikshme.

Duhet të kemi parasysh se zbulimi i këtyre dy gjendjeve krijon mundësinë që me ndërmarrjen e masave përkatëse terapeutike të jemi në gjendje që ta parandalojmë një goditje të mundshme në tru. Prania e aritmisë apo e akinezisë e bën të domosdoshëm përdorimin e një grupi të barnave që njihen si “barna antikoaguluese”.

Këto barna mundësojnë “shkrirjen” e trombëve në qarkullimin e gjakut duke u pamundësuar këtyre mbërritjen në ndonjë arterie të trurit dhe rrjedhimisht, bllokimin e tyre.

Deri vonë, në qarkullim ka qenë e pranishme vetëm varfarina, e cila krahas efektit të mirë mbrojtës ka edhe disa vështirësi gjatë përdorimit të saj. Ndër këto duhet numëruar kujdesin e madh që duhet kushtuar llojeve të ushqimit që konsumohen, si edhe përcjelljen e shpeshtë laboratorike të kohës së gjakderdhjes.

THUMBNAIL shutterstock 233967043

Tanimë, edhe në kushtet tona, ekzistojnë opsione të reja terapeutike, siç janë Dabigatrani, Apiksabani dhe Rivaroksabani, të cilat nuk ndërveprojnë me ushqimin e përdorur dhe për të cilat nuk ka nevojë përcjellja laboratorike e kohës së gjakderdhjes. Mangësia qëndron në atë se janë më të kushtueshme se sa varfarina.

Duhet pasur parasysh se cilindo opsion që ta zgjedhim, efekti i tyre mbrojtës dhe profili i efekteve anësore janë të njëllojta, prandaj nuk kanë ndonjë përparësi apo mangësi në kuptimin terapeutik.

Përparësia më e madhe është se me zbulimin me kohë të faktorëve të rrezikut dhe me ndërmarrjen e masave adekuate, jemi në gjendje që ta parandalojmë në masën deri në 70% një goditje trunore, e cila mund të jetë fatale për pacientin. /Telegrafi/