Prishtina ka përmirësuar raportet me UNMIK-un

“Është normale se ende ekzistojnë dallimet, për shembull, rreth strategjisë për veriun e Kosovës”, ka thënë Zannier në një intervistë për gazetën “Politika”.
Zannier është shprehur i kënaqur edhe me deklaratën e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, i cili ka vlerësuar se nevojitet durim për zbatimin e strategjisë.
Shefi i UNMIK-ut po ashtu ka theksuar se gjatë vizitave në veri të Kosovës është bindur se njerëzit atje po e ndjejnë nevojën për dialog për t’i zgjidhur problemet vetjake. Ai ka shtuar se mu këtu e sheh rolin e tij kryesor, pra të aktivizojë dialogun që do të fokusohej në probleme praktike.
Zannier ka rikujtuar faktin se marrëdhëniet në mes të UNMIK-ut dhe pushtetit në Prishtinë kanë kaluar nëpër një fazë të vështirë gjatë vitit të kaluar, mirëpo tash – sipas tij – ka ardhur deri të përmirësimi i këtyre marrëdhënieve pasi që, siç është shprehur ai, “pala kosovare e ka kuptuar se kjo gjë është në interesin e tyre”.
“Njerëzit nga Kosova tashmë e kuptojnë realitetin, kanë aspirata për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare dhe në OKB. Mendoj se kanë ardhur deri të përfundimi se është në interesin e tyre t’i kenë raportet e mira me UNMIK-un”, ka thënë Zannier. /Telegrafi/













































