Presidenti Sejdiu uron qytetarët për 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit

“Kjo datë e bujshme e historisë moderne shqiptare përputhet edhe me kthimin e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë, më 1443, ndaj kudo që ka shqiptarë nderohet e përjetohet si njëra ndër datat më të veçanta të gjithë historisë sonë”, thuhet në urimin e presidentit Sejdiu.
Festa e Flamurit, thekson presidenti, veçmas këtu në Kosovë, sivjet kremtohet me më shumë krenari e gëzim. “Këtë datë të rëndësishme të historisë sonë po e shënojmë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, të njohur tashmë nga 52 vende anekënd globit”.
“Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me miqtë tanë të shumtë, e në rend të parë me SHBA-të dhe me BE-në, do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim të plotë që ta forcojnë lirinë, demokracinë dhe ekonominë e vendit tonë, në mënyrë që shteti ynë i ri, i krijuar mbi sakrificat e shumë brezave të dëshmojë se është anëtar i denjë i kombeve të lira”, thuhet më tutje në urimin e presidentit Sejdiu.
Në urim po ashtu theksohet se, Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë do të punojnë së bashku me vendet e rajonit në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore, si dhe për shpejtimin e ecjes së fuqishme në procesin e integrimit në BE dhe në NATO.
“28 Nëntori i flamurit tonë kombëtar do të jetë përherë një pikë e shndritshme frymëzimi dhe orientimi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, përfundon urimi. /Telegrafi/




















































