Politikanë të njohur në Shqipëri, kanë detyrime financiare ndaj shtetit. “Bluetooth” prezanton politikanët që janë në ‘borxh’ me shtetin dhe shkeljet që kanë bërë me automjetet e tyre private.

Bamir Topi: Me më pak gjoba, më saktë me një të tillë, renditet i fundit në listë Presidenti i Republikës, Bamir Topi. E vetmja shkelje e tij, kjo ndoshta edhe për shkak të qarkullimit me makinat shtetërore, ka qenë: Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, me makinën e tij tip “Benz”. Detyrimi i tij ndaj shtetit
është 1.000 lekë.


Flamur Noka: Ministri i Brendshëm qëndron në krye të listës së politikanëve “debitorë”, me plot 17 gjoba të papaguara. Flamur Noka, është gjobitur disa herë nga rrugorët dhe përshkrimet e gjobave të tij janë kryesisht: Mosrespektim i sinjalizimeve rrugore, qëndrime - pushime të ndaluara, ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, shkelje... të cilat ministri i ka kryer me automjetin e tij tip “Mitsubishi”. Detyrimi që duhet të paguajë Noka kap shifrën e 15.700 lekëve.

Shpëtim Idrizi: I dyti në listë për nga numri i gjobave të papaguara është kreu i PDIU-së, i cili ka 7 të tilla për automjetin e tij tip “Benz”. Edhe Shpëtim Idrizi në përshkrimin e gjobave të palikuiduara ka: Qëndrime - pushime të ndaluara, ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve, shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit. Gjobat e tij kapin shifrën e 8.300 lekëve.

Fatbardh Kadilli: Deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli ka 5 gjoba të papaguara për automjetin e tij tip “Nissan”. Përshkrimi i gjobave të tij është i njëjtë me atë të ministrit të Brendshëm, pra për: Mosrespektim të sinjalizimeve rrugore, qëndrime - pushime të ndaluara, ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve. Shifra që deputeti Kadilli i ka “borxh” shtetit kap vlerën e 5.600 lekëve./Telegrafi/