Policia arrestoi grabitësit e 67 mijë eurove

Policia arriti të identifikojë dhe dokumentojë grabitjen e një grabitje të një agjencie të udhëtimeve dhe arrestoi përmes një pune hetimore të organizuar dhe aplikimit të metodave speciale të hetimit, Rodrik Hektor Malaj, 23 vjeç, lindur në Vlorë e banues në Tiranë,dhe Gerta Ylli Mezuraj,21 vjeç, lindur në Lezhë e banuese në Tiranë,punonjëse pranë agjencisë “Ar&Lo Travel”.
Policia shpalli në kërkim policor edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të tyre. Gjatë ecurisë së hetimeve, u dokumentua tërësisht implikimi i shtetasve i 23 vjeçarit Rodrik Malaj i cili i kishte vjedhur me dhunë çantën, punonjëses së agjencisë së udhëtimeve “AR&LO TRAVEL“ dhe të grabisë sasinë e parave prej 67 mijë eurosh.
Implikimi i shtetases Gerta Mezuraj në këtë vjedhje me dhunë, dyshohet se është bërë përmes bashkëpunimit me autorët dhe dhënë informacion, gjatë momenteve të lëvizjes së koleges së saj, për depozimin e shumës së parave në bankë. Vjedhja është bërë të martën në rrugën “Abdyl Frashëri“ në Tiranë.
Policia po vazhdon punën hetimore në bashkëpunim me të gjitha strukturat e hetimit të krimit të Policisë së Tiranës, për të dokumentuar edhe të tjera vjedhje të realizuar nga ky grup kriminal.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të vjedhjes me dhunë e kryer në bashkëpunim. /Telegrafi/


















































