Polici belg i shpëton burgut me certifikatë vdekje të falsifikuar në Shqipëri

Sipas gazetës 'Nieuwsblad.be' 52-vjeçari Guido V.L. në bashkëpunim me një mjek në Shqipëri falsifikuan një certifikatë vdekje, për të zhdukur gjithë gjurmët.
Ish-efektivi i policisë ishte nën hetim për disa vepra penale në Belgjike dhe vendosi të arratiset drejt Shqipërisë. Guido V.L. me ndihmën e një mjeku në Shqipëri kishte inskenuar vdekjen e tij në vendin tonë, për të shmangur një dënim të mundshëm nga gjykata belge. Pasi nëna e ish-efektivit dorëzoi dokumentet shqiptare në prokurorinë belge, kjo e fundit ishte e detyruar të ndërpriste hetimet dhe çështja u pushua. Ish-polici ishte nën hetim për pastrimin e parave nga aktivitetet kriminale.
Skema e mashtrimit u zbulua kur ish-oficeri u rikthye në Belgjikë. Guido V.L. u njoh rastësisht nga ish-kolegu i tij në një lokal në qytetin Antwerpen. Ai u arrestua menjëherë nga policia belge dhe pranoi direkt akuzën për inskenimin e vdekjes së tij në Shqipëri.
Sipas gazetës belge ´Het Laatste Nieuws´ gjykatësi nuk mund të vlerësonte aksionin e ish-efektivit. "Është një turp që ju keni përfshirë në këtë falsifikim nënën tuaj të moshuar," tha gjykatësi. Gjykata e dënoi me një vit burg dhe 500 euro gjobë Guido V.L. Identiteti i mjekut shqiptar nuk është bërë me dije nga mediat belge, për ato e kanë cilësuar si një turp që një doktor mund të bashkëpunojë në një skemë e tille korruptive. /Lapsi.al/Telegrafi/





















































