Nga: Sasha Dovzhyk, shkrimtare dhe studiuese ukrainase / CNN
Titulli origjinal: What centuries-old poets got right about Ukraine
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Për ta njohur tamam rezistencën e Ukrainës ndaj pushtimit rus – prej adoleshentëve lokalë që i endin rrjetat e ushtrisë e deri te gjyshet që kapin armët – duhet t’i hapni faqet e librave me poezi kombëtare.
Ndonëse është goxha e panjohur jashtë vendit, letërsia ukrainase është e mbushur me thirrjet për luftën kundër nënshtrimit imperialist. Në vitin 2022, këto fjalë kanë jehonë të re.
Brezi im – i pari që u rrit në Ukrainë, pas rënies së Bashkimit Sovjetik – duhej t’i rizbulonte këto mesazhe që na i kishte errësuar tradita tjetër, ajo e censurës, e shtrembërimit dhe nënçmimit të kanunit kombëtar ukrainas, nga Perandoria Ruse dhe nga ideologjia sovjetike.
Linda dhe u rrita Zaporizhzhia, në juglindje të Ukrainës. Në qytetin me shumicë rusishtfolëse, shkova në shkollën ukrainase. Një gjë e turpshme për ta thënë një studiuese e letërsisë është se, letërsia ukrainase ishte një prej lëndëve shkollore që më së shumti i kam urryer.
Në këtë shtet të ri të pavarur të viteve 1990, kurrikula shkollore ishte e rrënjosur në narrativën sovjetike të shtypjes së popullit ukrainas prej klasave sunduese. Dhe, kur je adoleshente, vetëm aq shtypje mund të durosh.
Për shembull, Taras Shevchenko – ish-bujkrob i cili nga shumica konsiderohet si babai i kombit – shpesh shkruante për kryqëzimin e Ukrainës së tij “të varfër” dhe “fatkeqe” nga Rusia cariste. Vetë fati i këtij poeti romantik të shekullit XIX, u bë simbol i martirizimit ukrainas.
Për poezinë e tij revolucionare, Shevchenko u dënua me internim – si ushtar në Ushtrinë e Rusisë. Dënimi ia shkatërroi shëndetin dhe ia shkurtoi jetën. Kurrikula e shkollës e theksonte këtë tragjedi personale, si dhe vuajtjet e kombit ukrainas që fuqishëm përshkruheshin nga Shevchenko – por jo edhe luftën e kombit për çlirim, që ishte në qendër të poezisë së tij.
Në fillim të shekullit XX ishte Rilindja e Ekzekutuar – brezi i shkrimtarëve dhe intelektualëve sovjetikë ukrainas, të vrarë nga regjimi në vitet 1920 dhe 1930. Ky model i dhunës anti-ukrainase vazhdoi me poetin disident ukrainas, Vasyl Stus, i cili vdiq si i burgosur politik në një burg të Rusisë, vetëm gjashtë vjet para rënies së Bashkimit Sovjetik.
Përqendrimi te martirizimi dhe te vuajtja kombëtare ishte simptomë e traumës koloniale që të kolonizuarve ua mësoi pafuqinë. Narrativa e viktimizimit ukrainas nuk linte hapësirë për intervenim – ishte krejtësisht zhgënjyese për mua si fëmijë.
Ndryshimi ndodhi në vitin 2014, gjatë të ashtuquajturit Revolucioni i Dinjitetit – ose Revolucioni Maidan, i quajtur sipas sheshit në qendër të Kievit – ku qytetarët ukrainas u mblodhën, jetuan dhe luftuan përgjatë tre muajve të dimrit.
Revolucioni nisi si protestë kundër vendimit të qeverisë për ta ribashkuar fatin e vendit me Rusinë dhe për ta refuzuar asociimin me Bashkimin Evropian. Dëshmori kombëtar, Shevchenko, u portretizua në barrikada.
Citatet nga poezitë e tij u shfaqën në mburojat prej druri të protestuesve, që u ngritën kundër policisë së armatosur. Vargu e Shevchenkos, “Luftoni – dhe do të triumfoni”, u bë moto e rezistencës ukrainase.
Gjithashtu, Maidani ia mësoi brezin tim të ukrainasve që të vetorganizohemi. Shumë prej aktivistëve që formuan njësi vetëmbrojtjeje ose mjekësore dhe që udhëhoqën logjistikën ose kuzhinat në terren në Maidan, shkuan drejt e në vijën e parë të frontit, atëherë kur Rusia e pushtoi Ukrainën më 2014.
Për tetë vjetët e fundit, brezi i Maidanit po luftonte në luftën e harruar të Evropës. Derisa pjesa më e madhe e botës ishte e preokupuar me qetësimin e Putinit, ukrainasit ishin të zënë me mbrojtjen e vendit të tyre kundër ushtrisë së tij. Ndryshe nga Perëndimi që u fut në gjumë në këtë fatkeqësi, ukrainasit ishin të përgatitur për të rezistuar.
Në të vërtetë, rezistenca e ashpër e Ukrainës ndaj pushtimit rus, shumëkënd e ka befasuar në Perëndim. Kremlini parashikonte se Ukraina do të mposhtet brenda pak ditësh dhe analistët perëndimorë goxha u pajtuan me këtë. Duke qenë për dekada me radhë viktima të propagandës së Kremlinit, ata gjithashtu e pranuan narrativën imperialiste të dominimit të Rusisë në rajon dhe të dorëzimit për gjynah, por të pashmangshëm të Ukrainës.
Ukrainasit nuk u dorëzuan. Dhe, nuk ishin vetëm Forcat e Armatosura të Ukrainës që u kundërpërgjigjën. Civilët dolën gjithashtu vullnetarë për t’i mbështetur angazhimet e luftës. Duke vepruar kështu, e ndërruan narrativën kombëtare të Ukrainës prej formës së viktimizimit në atë të kundërshtimit.
Gatishmëria për t’i luftuar pushtuesit – të cilën e pashë në Ukrainë gjatë javëve të para të luftës së Rusisë – ishte edhe mahnitëse, për shkak të shtrirjes së gjerë dhe forcës së madhe, por edhe befasuese për shkak të rrënjosjes së saj në traditën kombëtare të rezistencës antikoloniale.
Brenda natës, ekonomia e vendit u transformua për t’i mbështetur përpjekjet e luftës. Në Lviv, një fabrikë e njohur birre, në vend të birrës nisi t’i mbushte shishet me kokteje molotovi. Një bibliotekë rinore mirëpriti mijëra vullnetarë që t’i thurin rrjeta maskuese për ushtrinë. Një dyqan që shiste hobe për foshnjat, kaloi në prodhimin e jelekëve luftarakë. Në gjithë qytetin shtriheshin radhët e vullnetarëve për t’u regjistruar në forcat e mbrojtjes, për të gatuar në kuzhina fushore ose për të dhuruar gjak,
Në ato radhë, njerëzit recitonin spontanisht vargjet e klasikëve ukrainas. Në derën e një strehimoreje të ndërtesën time, u shkruan vargjet e famshme të Shevchenkos:
Bëje varrin tim atje – dhe çohu,
Duke i bërë copë-copë zinxhirët e tu,
Bekoje lirinë tënde me gjakun
Prej venave të liga të armiqve!
(përkth. A. Sh, sipas versionit anglisht nga Vera Rich).
Shkrimtarja që e hodhi poshtë perceptimin tim të viktimizimit të kulturës ukrainase, ishte Lesia Ukrainka. Pseudonimi i saj fjalë për fjalë do të thotë “grua ukrainase” dhe fati i saj është në rimë me atë të kombit të saj.
Kjo mendimtare emblematike feministe dhe antikoloniale, m’u paraqit edhe mua si viktimë: jo e shtypjes cariste ruse, por e shëndetit të saj të sëmurë – siç i shkon një gruaje shkrimtare. Ukrainka vuante nga tuberkulozi i kockave dhe ishte dhimbja e saj fizike që u bë pika kryesore e kurrikulës së shkollës.
Vargu nga poezia e saj e vitit 1897, për përvojën me sëmundjen, “për të mos qarë, unë qesha”, e karakterizonte qëndrimin e Ukrainkas ndaj gjendjes që kishte. Shumica e ukrainasve do ta mbanin mend këtë rresht nga programi shkollor.
Megjithatë, rëndësia e përtërirë rikthehet pasi ushtria ruse nisi t’i bombardonte qytetet e Ukrainës. Një shoqe që punonte si ndihmëse për gazetarët e huaj, ma tregoi historinë e një gruaje nga Buça, shtrati i së cilës u godit me shrapnel teksa po i ushqente qentë në dhomën ngjitur. “Për të mos qarë, kam qeshur”, ka thënë ajo grua.
Ukrainka këmbëngulte se shpirti i saj ishte më i fortë se trupi dhe se vullneti i saj mund t’i kapërcejë vuajtjet fizike. Heroina e dramës së saj më të famshme poetike, “Kënga e pyllit” (1911), e sakrifikon trupin tokësor dhe deklaron:
Ah, për atë trup mos psherëtijë!
Tashmë është i përmbushur dhe shkëlqen me zjarr hyjnor.
(përkth. A. Sh, sipas versionit anglisht nga Vera Rich).
Këto ditë, vargu i famshëm – “për atë trup mos psherëtijë” – citohet nga reperi ukrainas Freel, në këngën e tij të fundit të kohës së luftës, “Shpërthimi”. Është stilizuar si letër e djalit drejtuar nënës nga vija e parë e frontit të luftës.
Për mua, teksti më emblematik i Ukrainkas, që e sfidon narrativën e viktimizimit duke iu përmbajtur historisë personale dhe vendit të saj, është poezia e shkurtë e vitit 1911:
Kush të tha se e dobët mund të jem,
e atij fati t’i bindem unë?
Kush të tha se dora ime mund të dridhet,
se të brishta janë fjala dhe mendimi?
Më ke dëgjuar duke e kënduar një këngë pikëllimi,
një kujë vajtimi, –
por ishte veçse një stuhi e ngrohtë pranvere,
jo stuhia e vjeshtës.
(përkth. A. Sh, sipas versionit anglisht nga Olesya Khromeychuk).
Ukrainasit nuk njihen se i binden fatit. Në vitin 1991 e shënuan fundin e perandorisë sovjetike duke votuar për të qenë jashtë këtij shteti. Në vitin 2013 e konfirmuan zgjedhjen për pavarësi duke u ngritur kundër qeverisë së korruptuar pro-ruse. Në vitin 2022 përsëri po i rezistojnë ekspansionit kolonial të Rusisë, këtë herë duke luftuar për të drejtën e tyre për të ekzistuar.
“Luftoni – dhe do të triumfoni” është mësimi që ukrainasit kanë marrë nga letërsia e tyre. Për kontinentin evropian që ata tani po e mbrojnë, është më e rëndësishme se kurrë nevoja për të marrë mësime nga rezistenca ukrainase. /Telegrafi/