“Po jetoj të vërtetën time” - ylli i “Stranger Things” tregon se pse u largua nga jeta publike

Aktori australian, Dacre Montgomery, i njohur për rolin e tij si Billy Hargrove në serialin e famshëm "Stranger Things", foli së fundmi për arsyet e tërheqjes së tij nga jeta publike pas suksesit të madh.
Konkretisht, Montgomery shpjegoi se si ardhja e rrjeteve sociale e ka hequr mistikën e yjeve të Hollywoodit, prandaj ai e ka shmangur me vetëdije vëmendjen e medias për pesë vitet e fundit.
Montgomery beson se yjet klasikë të Hollywoodit ekzistonin pikërisht sepse ruanin një pjesë të misterit - gjë që sot, falë rrjeteve sociale, është pothuajse e pamundur.

"Nuk po përpiqem të konkurroj me askënd tjetër, po jetoj të vërtetën time dhe shpresoj se mund ta paguaj qiranë ndërsa e bëj këtë", tha aktori me sinqeritet.
Ai e filloi karrierën e tij televizive duke u shfaqur në sezonin e dytë të "Stranger Things" (2017) si Billy Hargrove. Rolet në të cilat ai dha një pjesë të vetes, siç e pranon vetë, ishin arsyeja e pushimit të tij të gjatë.
"I kam dhënë një pjesë të vetes çdo roli që kam luajtur dhe kjo është një pjesë e madhe e arsyes pse bëra një pushim. Kohët e fundit ka pasur shumë reflektime personale rreth asaj që dua në karrierën time. Po përpiqem të kem pak më shumë kontroll mbi vendin dhe mbi çfarë punoj", shpjegoi ai.
Montgomery, personazhi i të cilit ndërroi jetë tragjikisht në sezonin e tretë të serialit, nuk do të shfaqet në sezonin e pestë dhe të fundit të ardhshëm. /Telegrafi/

















































