Pas një izolimi të gjatë dhe të rëndë prej gati dy dekadash, qytetarët e Maqedonisë më në fund do të fitojnë lirinë e lëvizjes së lirë në vendet e jashtme të Evropës.

Pa dyshim, ky lajm është pritur me ngazëllim dhe shpresë nga shumica e qytetarëve të këtij vendi, të cilët mbështetjen e fundit për dalje nga kriza e thellë ekonomike, gjithnjë e kanë gjetur nëpër vendet e përparuara të Evropës Perëndimore.

Evropa, edhe pse në situata kyçe kur është vendosur institucionalisht për fatin e popullit tonë, gati gjithnjë është pozicionuar në ‘anën e djallit’, gjatë gjithë kohës ka shërbyer si një arkë e pashtershme, ku shqiptari ka gjetur burimin e ekzistencës së vetë.

Edhe zhvillimi i tri luftërave shqiptare të fundshekullit të kaluar, do të ishte i paimagjinueshëm pa ndihmën e drejtpërdrejt financiare që dha diaspora shqiptare në Evropë, SHBA e gjetiu.

Migracioni

Migracioni i shqiptarëve drejt vendeve perëndimore e ka zanafillën e hershme, dhe ai nuk ndaloi asnjëherë, edhe përskaj mbylljeve hermetike të kufijve. Mirëpo, në këtë dy dekada, ata që më së shumti përfituan nga kjo mbyllje kufijsh, qenë matrapazët dhe dilerët e shumtë, që bënin viza false dhe kalime ilegale për disa mijëra euro. Pra, ata që e kishin ndërmend të iknin jashtë, nuk mundi t’i ndalojë asgjë, pavarësisht rreziqeve.

Ndërsa, tani me liberalizimin e vizave, do të mund secili ta provojë ‘fatin e vetë’ për të siguruar një jetë më të mirë, edhe pse gjasat për qëndrim legal dhe punësim janë tejet të vogla, për shkak të krizës ekonomike botërore dhe specifikave të shteteve të caktuara në aspekt të migracionit.

Sidoqoftë, e mira e të mirës është që të rinjtë tanë, do të mund së paku si mysafirë të dalin jashtë gëzhojës së vogël që quhet Maqedoni, dhe ta shohin botën tjetër me sy, të bëjnë krahasime dhe të mësojnë më tepër për vlerat bashkëkohore evropiane dhe botërore. Më të moshuarit do të mund më lehtë të shkojnë në vizita tek fëmijët e tyre, të çmallen dhe të shohin se si jetojnë ata në vend të huaj.

Agjencive turistike do t’u rritet puna dhe me këtë edhe shkëmbimet tregtare mes vendeve të rajonit dhe atyre të Evropës perëndimore. Me këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë do t’i jepet një impuls i ri zhvillimit ekonomik, meqë vetë lëvizja e lirë e qytetarëve në tregun e madh evropian, gjeneron ide dhe projekte të reja në më shumë fusha.

Procesi

Pra, procesi i liberalizimit të vizave sjell shumë përparësi për të gjitha kategoritë e qytetarëve tanë. Dhe, unë nuk mendoj se kjo do të mund të sjell ndonjë rrezik të madh nga ikja e rinisë tonë drejt perëndimit. Dalëngadalë edhe në Maqedoni po krijohen kushte dhe mundësi të reja për punë.

Procesi duket se është i ngadaltë, por po lëvizë. Është për t’u ardhur keq që Shqipëria dhe Kosova tani për tani nuk përfituan nga ky lehtësim vizash, por shpresat janë se për një kohë të shkurtër edhe ato do t’i arrijnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, shikuar në aspekt të gjerë kombëtar, edhe ky proces është ‘thikë me dy tehe’. Me këtë liberalizim të vizave më së tepërmi ka gjasa të preken shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi. Ata edhe ashtu përbëjnë një bërthamë të vogël kombëtare në këto dy shtete, me pak të drejta kombëtare dhe me presione të vazhdueshme nga pushteti, ndërsa migracioni rrezikon t’i zbrazë krejtësisht.

Statistikat e fundit tregojnë se vetëm brenda këtij viti që po e lëmë pas, qindra familje preshevare kanë emigruar drejt vendeve të Evropës perëndimore, madje duke paguar shuma të majme parash për viza.

Zbrazja e këtyre rajoneve shkon në llogari të Serbisë dhe Malit të Zi, por assesi të shqiptarëve që gjenden nën këta pushtues. Andaj, politika shqiptare si në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, do të duhet që të jetë më syçelë dhe të bëjë diçka më tepër për këta shqiptarë.

Mjaft miliona shqiptarë kemi ‘humbur’ në Turqi e vende tjera në të kaluarën historike. Ballkani nuk ka shqiptarë tepër…

sevdaildemiri@yahoo.com