Plazhi i Kallmit, më i pastri në Durrës

Bizneset e para sapo kanë zënë vend në këtë zonë, ndërsa pushuesit që frekuentojnë këtë plazh, janë banorë të qytetit të Durrësit dhe një pjesë e vogël nga Tirana.
“Uji është më i pastër. Më pëlqen më shumë. Rrugët t’i rregullojnë, tualetet dhe dushet. Këto janë primare”, thotë një pushues.
“Plazh që Durrësit i ka munguar për shumë vite. Ne durrsakët s’kemi plazh tjetër. Shkojmë në Currila, por aty është mbushur me kioska. Vetëm ky ka mbetur plazh i bukur për ne. Për durrsakët kjo është e ardhmja, vetëm rruga është pak e vështirë dhe problem mbetet uji”, thotë një tjetër.
“Deti është i mrekullueshëm. Natyra po. Problemi është pak infrastruktura. Por më mirë të themi kështu, sepse ndryshe këtu do të fillonte betonierja, do t’i shkatërronin të gjitha siç është bërë gjithë plazhi i madh”, thotë një tjetër pushues.
Megjithëse rruga është e pashtruar, pushuesit thonë se falë kësaj rruge ky plazh është ende i pastër, sepse përndryshe, ai do të popullohej shumë shpejt me ndërtime të njëpasnjëshme, raportoi AS.
Bashkia e Durrësit ka deklaruar se vitin e ardhshëm do të nisë puna për ndërtimin e rrugës së Kallmit, e cila mendohet se do t’i japë një shtysë tjetër zhvillimit të turizmit në këtë zonë./Telegrafi/





















































