LAJMI I FUNDIT:

Picasso dhe fotografja Lee Miller

Picasso dhe fotografja Lee Miller
Lee Miller

Nga: Rhiannon Lucy Cosslett / The Guardian
Përkthimi (me shkurtime): Telegrafi.com

Është një fotografi me Pablo Picasson, e fotografes amerikane dhe korrespondentes së luftës Lee Miller, realizuar pas çlirimit të Parisit në vitin 1944. Shikojnë në sytë e njëri-tjetrit me intimitetin e tillë saqë ndjeni se po ndërhyni në diçka thellësisht personale. Jo romantike – edhe pse është intime mënyra se si dora e tij lëviz në pjesën e pasme të qafës së saj – por mbase të përzemërt. Duke pasur këtë në mendje, nuk është për t’u habitur se fotoja është zgjedhur për të promovuar një ekspozitë të re që përqendrohet në jetën e jashtëzakonshme të Millerit dhe të marrëdhëniet mes këtyre dy artistëve.

U realizua, thotë djali i saj Antony Penrose, në një moment të jashtëzakonshëm pas viteve të tëra të ndarjes së vështirë. “Lee e gjeti rrugën për në studion e Picassos … goditi me çekan në derë. E hapi atë dhe gati sa u rrëzua. E përqafoi dhe e puthi dhe e përqafoi dhe, më në fund, kur ndaloi, e shikoi dhe tha: ‘Është e pabesueshme. Ushtari i parë aleat që duhet të shoh është një grua. Dhe, ajo je ti”.


Miller në studion e Picassos në Paris (foto: Lee Miller)

Miller dhe Picasso u takuan në vitin 1937, në një pushim plazhi në jug të Francës, megjithëse mund të kenë kryqëzuar rrugët në fillim të asaj dekade kur ajo po punonte me fotografin Man Ray dhe po zbulonte procesin e solarizimit për të cilin ai – jo ajo – do t’i marrë meritat. Pasoi një miqësi e thellë mes dy familjeve: Milleri ishte i martuar me artistin, poetin dhe historianin britanik Roland Penrose; Picasso ishte me muzën Dora Maar, më pas me Françoise Gilot. Pushonin shpeshherë së bashku. Antony, i lindur në vitin 1947, kujton fëmijët dhe kafshët: Picasso e lejoi një dhi të quajtur Esmerelda që të flinte jashtë dhomës së tij dhe e fonte se kishte frikë nga errësira. Kishte dreka të gjata me ushqime ekzotike, dhe gjithashtu shumë shaka.

Penrose kujton se e pyetën në shkollë se çfarë kishte bërë gjatë pushimeve. Dhe, ai i habiti shokët e klasës me këtë përgjigje. “Thashë, rastësisht: ‘Oh, e vizituam Picasson’. Nuk e kisha idenë se kjo ishte gjë e jashtëzakonshme, sepse prindërit e mi u afruan me të me një modesti të pabesueshme. Ata kurrë nuk thanë: ‘Shiko, ky është artisti më i madh modern i gjallë në botë’. Ishte thjesht një person që e trajtonin me shumë respekt dhe nderim”.

Picasso e respektonte Millerin si artiste, thotë Penrose, para shumëkujt tjetër. “Sigurisht, ishte shumë e bukur. Por, fakti se ishte shumë inteligjente dhe dinte t’i bënte gjërat, kjo ishte domethënës për të. E dinte se ajo ishte fotografe e mirë. Dinte si të sillej me fotografët, sepse kishte qenë me Dora Maarin për gjashtë vjet”.

Bukuria dhe e kaluara e Millerit si modele bënë që të anashkalohen talentet e saj, një situatë kjo që nuk ndihmohej nga fakti se Picasso e pikturoi për gjashtë herë dhe se prej kohësh ekzistonte preokupimi për “muzat” e tij. U bë problem edhe kur Penrose u përpoq të krijonte ekspozita të punës së nënës së vet. “Fillimisht, kur iu afrohesha njerëzve që duhet ta kishin njohur, më duhej të shpjegoja se Lee Miller ishte grua. Pastaj e kuptonin dhe thoshin: ‘Oh, po, ajo ishte muza e Man Rayt’ dhe atëherë do të më duhej t’i largoja nga ai nocion”.

Në piknik: Nusch Eluard, Paul Eluard, Roland Penrose, Man Ray dhe Ady Fidelin (foto: Lee Miller)

Megjithatë, gjërat nisën të ndryshojnë në vitet 1980, kur feministet filluan të rishqyrtojnë jetën e artisteve femra, veçanërisht ato surrealiste. Siç ka ndodhur me modelet tjera të kthyera në artiste, puna e bëri Millerin kureshtare. “Kur ishte më e re”, thotë Penrose, “u fotografua nga fotografët kryesorë të kohës: Edward Steichen, George Hoyningen-Huene … nga njerëz të tillë. Duke folur me disa prej tyre më vonë, thanë se ishte sikur ajo i konsideronte për mentorë. Vazhdimisht bënte pyetje”.

Kjo do të thotë se kur përfundoi papritur karriera e Millerit si modele e modës – u fut në listën e zezë pas modelimit për Kotex-in, meqë kishte stigma rreth produkteve të kohës – ishte në gjendje të kalonte nga Nju-Jorku në Paris dhe të rishpikte veten si fotografe dhe më vonë si korrespondente lufte për Vogue, duke dokumentuar fillimisht blicin, pastaj çlirimin e Evropës. Imazhi i saj në vaskën e Hitlerit, bërë nga kolegu fotograf David E Scherman pasi u njoftua vdekja e Firerit, e tregon mosbindjen e saj: tallte se sa i ndyrë ishte apartamenti i tij.

Imazhet e Millerit të vitit 1945, të çlirimit të Dakaut – disa prej të cilave shfaqen në ekspozitë – janë, shpjegon Penrose, ushtrime të tërbimit të kontrolluar. Si fëmijë shtatë vjeç, Milleri u përdhunua. Pikërisht kjo, si dhe duke e parë të vdesë djalin që e dashuronte në një aksident kur ata ishin adoleshentë, i dha formë jo vetëm botëkuptimit të saj, por edhe punës. Trauma, thotë Penrose, shpesh gjeneron ndjenja shkëputjeje. “Nëse e shikojmë përmes atij prizmi, shohim se deri në një pikë ishte në gjendje të distancohej emocionalisht. E vërejmë duke i shikuar fytyrat e njerëzve të vdekur në kampet e përqendrimit dhe kur i fotografonte nga afër. Kur e intervistova Schermanin, thashë: ‘Si e bënte? Si qëndronte atje dhe si i bënte këto foto?’ Ai tha se ishte në një tërbim të ftohtë”.

Përvojat e saj të kohës së luftës e komplikuan atë që Penrose beson se ishte stres post-traumatik. Thotë se Milleri nuk ishte tamam nënë. E prirë për abuzim me alkool, siç janë shumë njerëz të traumatizuar, mund të kalonte në tërbim, kështu që ishte një distancë mes tyre. Milleri kishte parë foshnja që vdisnin në spital të Vjenës, për mungesë ilaçesh që shiteshin në tregun e zi – dhe e mbante djalin e saj larg krahëve, pavarësisht se shqetësohej shumë për sigurinë e tij.

E kuptoj se kjo e ka lënduar thellësisht, veçanërisht pasi Miller ishte aq e ngrohtë me të tjerët. Megjithatë, Penrose është madhështor meqë ia ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës krijimit të trashëgimisë së saj si artiste, si drejtor i Koleksionit të Arkivave Penrose dhe Lee Miller, në shtëpinë e mëparshme të prindërve të tij në Suseks, ku Picasso qëndroi në vizitën e tij të dytë në Mbretërinë e Bashkuar më 1950. Aty gjatë viteve pritën gjithashtu emrat si Man Ray, Miró, Max Ernst, Eileen Agar, Eduardo Paolozzi dhe Richard Hamilton. Është një foto e mrekullueshme në ekspozitë, e të riut Penrose të ulur në gjurin e Picassos.

Antony Penrose dhe Picasso (foto: Lee Miller, 1950)

“E di se ka pasur implikime, se ka pasur aspekte seksuale në marrëdhënien që kishte me të”, thotë kuratorja Maya Binkin. “Por. nuk mendoj se kjo ka rëndësi. E respektonte shumë, kënaqej me shoqërinë e saj dhe e vlerësonte miqësinë e saj”. Kur e pyes se si ndihet për artistet femra që shikohen vazhdimisht në aspektin e marrëdhënieve me meshkujt, është e sinqertë për përdorimin e miqësisë së Millerit me Picasson si mënyrë për të sjellë audiencë të re në punën e saj – por, gjithashtu thotë se vështirë mund t’i ndani që të dyja. Milleri bëri gati 1000 fotografi të artistit përgjatë 40 vjetëve.

“Marrëdhënia e tyre ishte e jashtëzakonshme”, shton Binkin. “Kapi disa imazhe të mrekullueshme të Pikasos në punë dhe në lojë, por edhe në shtëpi dhe në kohën e lirë, gjë që në vitet e tij të mëvonshme ishte më e vështirë sepse ishte shumë, shumë i vetëdijshëm për kamerën. E dinte rëndësinë e fotografimit. Ajo ka qasje te Picasso në momentet kur ai nuk e do kamerën”.

Edhe pse e sheh kritikën feministe si të justifikuar, Penrose thekson se Picasso ishte personazh kompleks. “Sigurisht, kishte raste kur nuk i trajtonte mirë gratë. Por, nuk mendoj se është e drejtë që të jemi gjykues. Është shumë e lehtë të kapesh për të gjitha gjërat e këqija që bëri dhe të harrosh se kishte humanizëm dhe mirësi të pabesueshme. Është shumë e përshtatshme për disa njerëz që ta harrojnë këtë, sepse mendojnë se kjo e dobëson rastin e tyre për ta bërë përbindësh”.

Sa i përket nënës së tij, ai shton: “Ishte dashuri e thellë. Gjithmonë thoshte se gjërat ishin shumë më mirë kur Lee ishte aty. Kishte një dashuri të veçantë për të. Dhe, ishte më i butë kur ajo ishte pranë”.

Miller më vonë do ta quante veten, ndoshta në mënyrë ironike, “e veja e Picassos”. Iu desh të luftonte gjithë jetën për të krijuar hapësirë për veten. “Në fillim, në Paris”, thotë Penrose, ” ishte shumë e lumtur kur dha leje që fotografitë e saj të publikoheshin nën emrin Man Ray. Tha: ‘Ishim kaq të afërt, sikur të ishim i njëjti person, kështu që nuk kishte rëndësi. Pastaj kishte rëndësi”. Por, kur bëhej fjalë për Picasson, Milleri nuk ishte aspak i hidhëruar dhe puna e saj tani flet. Arritja deri këtu “ishte përpjetë, gjatë gjithë rrugës”. /Telegrafi/

“Frymëzimi …”: Pikturë e Picassos e realizuar pas qëndrimit në shtëpinë e çiftit Miller-Penrose (1950)