Pesticidet, kjo e keqe e domosdoshme

Fermeri Adem Rrustemi, tregon se ka spërkatur më shumë se 4 herë, 1 hektarë speca që ka të mbjellë sivjet. Ai thotë se ka spërkatur arën e tij çdo dy jave, por ka ndodhur që ta spërkasë edhe me shpesh pasi që ka menduar që pesticidi (ilaçi siç e quan ai) nuk ka arritur efektin e tij.
Ai fillimisht ka përdorur pesticidin Zhupilan S, për luftimin e barojave të këqija gjatë përgatitjes së arës për mbjelljen e specave, por ka përdorur edhe të tjerë sipas nevojës. Nëse për shkak të kushteve klimatike, ara mbushet me baroja që janë pengesë për mbjelljen, përdoren edhe preparate tjera për tharjen e tyre, siç është Rondap, Total, etj. 1 litër Zhupilan S, bujkut i kushton 28 euro, ndërkaq për 1 hektarë, 240 litra ujë kombinohen më 6 litra të këtij preparati.
Fermeri Rrustemi thotë të ketë provuar vetë se përdorimi jo i duhur i preparatit Zhupilan S ka efekt anësor, nëse spërkatja e parcelës bëhet në afat më të shkurtër se 10 ditë para mbjelljes. Sipas tij bima zhvillohet më ngadalë dhe rendimenti është më i ulët.
Por ky është vetëm fillimi i përdorimit të pesticideve . Të tjera përdoren pas mbjelljes. Rrustemi , tregon për “Ferma Ime” se pas mbjelljes së arës ai ka spërkatur bimën, me preparatet Ridomill dhe Antrakoll që përdoren për mbrojtje nga vrugu. 1 kg Ridomill kushton 40 euro, ndërsa për të spërkatur 1 hektarë duhen së paku 3 kg nga pesticidet e lartëpërmendura. Ai po ashtu për të mbrojtur bimët nga insekticidet ka përdorur edhe preparatin e quajtur Galiton që mbron bimën ndaj insekteve ( krimave). Trajtimin e ka bërë sipas nevojës.
“Unë nuk e di sa çfarë efekte mund të ketë përdorimi i ilaçeve në produktin e fundit. Unë i spërkas sipas asaj që unë konsideroj të nevojshme, më tutje nuk di”, shprehet Rrustemi.
Por ndryshe vlerësojnë ekspertët. Sinan Metkamberi, ekspert për mbrojtjen e bimëve thotë për portalin “Ferma Ime” tha se përdorimi i tepërt i pesticideve është i dëmshëm për konsumatorin e produktit final. “Pesticidet janë të dëmshme nëse përdoret në masa të madhe dhe shpesh. Pas përdorimit të një pesticide duhet të shikohet karenca e tyre (karenca është data kur spërkatet bima dhe koha e caktuar që produkti i bimës të mos përdorët). Nëse produkti i bimës përdoret më herët sesa karenca e paraparë, atëherë fryti i përdorur mund të ketë efekte negative në konsumatorin”, thotë Metkamberi.
“Çdo gjë që teprohet është e dëmshme, edhe përdorimi i pesticideve në masë të madhe është i dëmshëm për konsumuesin”, shprehet ai duke shtuar se “përdorimi i pesticideve në Kosovë është në rritje për shkak të sëmundjeve por edhe varieteteve që po përdoren, si dhe dëshirës së bujqve që të kenë prodhim sa më të shpejtë dhe të dalin me rendimente të larta”, tha Metkamberi.
Agronomi Mustafë Hoxha, njëherësh edhe shitës i preparateve kimike, thotë se pesticidet të cilat përdoren i plotësojnë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, mirëpo, ai pranon se nuk ka kontroll institucionale në barnatoret bujqësore ku shiten këto pesticide.
Ai thekson se bujqit dinë t’i përdorin pesticidet në bazë të udhëzimeve, por në raste specifike kur të tërë rendimentin e kaplon ndonjë sëmundje, atëherë konsultohen edhe me ekspertë lokale që zakonisht janë shitës në barnatoret bujqësore.
Eksperti i mbrojtjes së bimëve, Sinan Metkamberi , tregon se kohë më parë janë përdorur preparate me gurkali dhe gëlqere që janë më pakë të dëmshme, mirëpo tani po përdoren më shumë pesticide moderne. Preparatet kimike të kësaj natyre janë me bazë bakri dhe gurkali, i cili si preparat në gjendje sa më natyrale është përdorur edhe në kohërat më të hershme, kur spërkatja është bërë me fshesa të dorës, në mungesë të makinave moderne spërkatëse, sidomos në bostanore, por edhe në vreshta.
Përqendrimi i preparatit kimik bëhet sipas udhëzimeve të prodhuesit, që do të thotë se, në sipërfaqe prej 1 hektar gjatë një spërkatje përdoren 4-5 kg preparat (Antrakolli, Ridomill) , kurse me gurkali zakonisht për 1 hektarë shkojnë deri në 24 kg. /FermaIme/Telegrafi/















































