LAJMI I FUNDIT:

Përmbledhje e thashethemeve për modelin e ri të iPhone

Përmbledhje e thashethemeve për modelin e ri të iPhone

Me paralajmërimet e njëzet e katër orëve të fundit për modelet e reja të telefonave të Apple, iPhone 4S dhe iPhone 5, thashethemet kanë filluar të rriten, pak orë para mbajtjes së ngjarjes të cilën Apple do ta mbajë në zyrat e saj në Cupertino të Kalifornisë.

Sipas burime të ndryshme të zbuluara deri më tani, thuhet se iPhone 4S do të jetë versioni i lirë i modelit të ri të iPhone, ndërsa gjatë ditës së djeshme ju keni pasur rastin të shihni mbështjellësin dhe detajet tjera lidhur me modelin e lirë të iPhone, i cili ishte zbuluar në Brazil.

Me një çmim të lirë për iPhone 4S, Apple do ta “shkatërronte” tregun e pajisjeve mobile që bazohen në Android ose Windows Phone 7. Sipas disa thashethemeve tjera, thuhet se iPhone 4S do të dal në treg me një çmim më të ulët sesa 100 dollarë.

Ndërsa, sa i përket iPhone 5, deri më sot janë parë shumë mbështjellës të cilët janë krijuar nga kompani të ndryshme, të cilat lënë të kuptohet se ekrani i këtij modeli do të jetë më i gjerë, ndërsa telefoni do të jetë më i hollë se modeli i tij paraprak, iPhone 4.


Çdo model i iPhone i cili është zbuluar deri më sot, ka qenë më i hollë se modeli paraprak, prandaj të gjithë kanë arsye të besojnë se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe tani.

Ka edhe zëra që thonë se iPhone 5 do të duket shumë ngjashëm me iPad, pasi që politika e Apple është që t’i bëjë pajisjet e saj të bukura, dhe iPad 2 shquhet për dizajn modern.

Pa folur më shumë për modelin e ri të iPhone 5, ose atë iPhone 4S, ne duhet të presim edhe pak kohë për të zbuluar gjithçka.

Çfarë detaji mbani në mend ju nga e gjithë ajo që është thënë për modelin e ri të iPhone deri më sot?