LAJMI I FUNDIT:

Përkthimi si art, mjeshtëri dhe pasion

Përkthimi si art, mjeshtëri dhe pasion

Jorgji Kote

E kemi fjalën për përkthimin si profesion dhe mjeshtëri e spikatur, por edhe pjesë përbërëse e historisë, artit, kulturës, diplomacisë, drejtësisë dhe ekonomisë ndërkombëtare. Kështu, kryeveprat e letërsisë botërore janë “trashëguar” në dhjetëra gjuhë të huaja falë përkthyesve të shquar. Shprehja e njohur se “Noli e bëri Shekspirin të flasë shqip” mishëron nivelin elitar të përkthimit nolian. Në shumë takime, samite dhe procese gjyqësore ndërkombëtare përkthyesit dhe interpretët ndihmojnë dhe lehtësojnë procesin e vështirë të negociatave dhe hartimit të traktateve ndërkombëtare. James Robbin, korrespondent legjendar i ‘BBC’-së thotë se “përkthyesit shpesh janë njerëz të padukshëm, që shërbejnë si zbutës midis dy palëve kundërthënëse, ndaj aftësinë e tyre gjuhësore mund ta krahasosh me artin”.

Krahas përkthyesve të shumtë të specializuar të veprave letrare dhe artistike në çdo vend të botës, OKB-ja angazhon 300 interpretë, siç njihen përkthyesit me gojë. Kurse institucionet evropiane kanë drejtori të përgjithshme përkthimi. Vetëm BE ka 300 interpretë në 28 gjuhë, veç 2500 të tjerëve në rezervë dhe të jashtëm. Rekordin e mban Parlamenti Evropian, që aktivizon çdo ditë deri 1000 interpretë.


Kërkesat dhe cilësitë ndaj përkthyesve janë të shumta dhe të larta. Krahas kualifikimit/specializimit në shkollat përkatëse, prej tyre kërkohet etikë e lartë, zotërimi perfekt i një dhe disa gjuhëve të huaja; për të vijuar me njohjen e historisë, traditave dhe mentalitetit të vendit/organizatës për të cilat përkthen, dallimet dhe specifikat në vlerat e tyre kulturore, zakonet etj. Këto kërkesa nuk janë “luks” dhe fakultative, por të domosdoshme për një cilësi të lartë përkthimi, mundësisht pa kurrfarë “firo” dhe për të shmangur incidente të pakëndshme gjatë përkthimit.

Shkurt, përkthyesit/interpretët nuk janë zanatçinj teknikë apo thjesht gjuhëfolës mekanikë, por komunikatorë dhe aktorë me horizont, dije dhe kulturë të gjerë në shumë fusha. Ndaj shumë personalitete, diplomatë dhe ambasadorë në botë dhe në vendin tonë kanë ardhur nga radhët e përkthyesve/interpretëve elitarë.

Veç të tjerash, situatat dhe rrethanat në të cilat kryhet përkthimi, sidomos ai me gojë, me të papriturat, udhëtimet e gjata, tensioni dhe temat e shumëllojshme kërkojnë shpejtësi, saktësi, gjakftohtësi, reflekse dhe zhdërvjelltësi të veçantë, zotërimin e situatave nga më të ndryshmet e pa panik, pa përjashtuar dhe përkthimin e një fjalori banal, çka kërkon dhe rezistencë fizike dhe mendore.

Historia e përkthimit hedh shumë dritë mbi dinamikën e diplomacisë, politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dy dhe shumëpalëshe. Kështu, Konferenca e Paqes në Versajë, më 1919 dhe sidomos Procesi i famshëm i Nurenbergut më 1946 nuk do të ishin mundësuar pa “ushtrinë” e përkthyesve/interpretëve.

Po ashtu, samitet e mëdha historike me praninë e më të mëdhenjve nga SHBA, BS/Rusia, Kina, Japonia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania etj., përmbajnë me qindra shembuj pikantë mbi rolin e protagonistëve të përkthimit që kanë hyrë në librat e historisë. Botimet e tyre të mëvonshme janë pika të besueshme referimi për publikun, ekspertët dhe historianët, për të kuptuar më mirë e më thellë natyrën dhe veçoritë e takimeve dhe proceseve që shënuan kulme historike planetare.

Përvoja e lartpërmendur është pasqyruar në shumë botime shkencore dhe akademike jashtë dhe më pak brenda vendit tonë. Gjithsesi, në këtë fushë, vështirë të ketë punim më cilësor se libri më i ri “Arti i përkthimit gojor” i prof. dr. Eshref Ymeri. Së bashku me “paraardhësin” e tij “Përkthimi, histori pasioni” (2015) është bërë e mundur të përmblidhet në 1.000 faqe, “ajka” e lartpërmendur e historisë së përkthimit në të gjitha zhanret. Themi kështu, sepse janë botime që rrokin të gjithë këtë tematikë aq të larmishme, por kryesorja, sepse kanë për autor një profesor, ekspert dhe mjeshtër të përkthimit, me veprimtari prej mbi 5 dekadash. Pas ndërprerjes së studimeve për gjuhën ruse në ish-BS, ai i përfundoi ato me rezultate të shkëlqyera në Tiranë dhe në vitet ‘60 u emërua pedagog në katedrën e Gjuhës Ruse në atë universitet. Gjithashtu, në vitet ‘80 prof. dr. Eshref Ymeri ka drejtuar redaksinë e përkthimeve në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, duke vijuar me përvojën e gjatë dhe si përkthyes/interpret i gjuhës ruse në takime të nivelit të lartë brenda dhe jashtë vendit edhe gjatë viteve ‘90.

“Arti i përkthimit gojor” përfshin të gjitha zhanret e përkthimit – letrar, artistik, politik, ekonomik, diplomatik. Me të drejtë, Abdurrahim Myftiu e konsideron atë “libër për të gjithë”, për politikanët, kronistët, historianët, etj.

Ai përbën një arkivë të vërtetë dokumentare, duke pasqyruar historikun e përkthimit në vendin tonë gjatë periudhës së pavarësisë, dy luftërave botërore, monizmit dhe deri në ditët e sotme, përfshirë edhe përkthyes/intelektualë të shquar, viktima të ndjekjes dhe persekutimit. Aty i thuret homazh dhe nderim i thellë korifenjve të përkthimit tonë, Noli, Konica, Luarasi, Kuteli, Xhuvani, Pasko, Isuf Vrioni, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi deri te më të rinjtë e ditëve të sotme.

Po ashtu, shprehet nderim për përkthyesit tanë që kanë punuar me dekada apo që e filluan dhe e mbyllën karrierën e tyre në Radion e Jashtme, në ATSH, në Shtëpinë Botuese, etj.

Krahas stilit plot ngjyra, me një shqipe të pasur dhe të pastër, ajo që e bën librin më të veçantë, tërheqës dhe të besueshëm është numri jashtëzakonisht i madh i referencave teorike të shoqëruara me pohime dhe intervista të gjalla, me ngjarje nga më pikantet të personaliteteve emblematikë të përkthimit gojor; aty gjen legjendarin Harry Obst dhe përkthyesit e tjerë të presidentëve amerikanë, Valentin Berezhkov, përkthyes i Stalinit, Hugh Lunghi i Çurçillit, Viktor Suhordjev i Hrushovit, Pavl Palazhçenko i Gorbaçovit, Çarls Friman i Presidentit Nikson në vizitën e tij historike në Pekin më 1972, Kostantin Andronikov i De Gol, Charles Poëell i M. Theçer, Zhang Weiwei, përkthyes i Ten Siao Pinit dhe shumë të tjerë. Në pohimet/kujtimet e tyre të shumta nga përkthimi në takime/samite historike nuk mungojnë as dozat/notat e humorit dhe tragjizmit, për shkak të sjelljeve dhe shprehjeve të pavend ose dhe banale të ndonjë lideri botëror.

Përvojat e tyre teorike dhe praktike kanë vlerë shumë më të madhe se ligjëratat apo manualet e ndryshme akademike dhe libreske.

Ndërkohë, autori vlerëson edhe shembujt më të mirë shqiptarë të përkthimit gojor, me përvojën e treguar nga prof. dr. Hajri Shehu për gjuhën ruse, prof.Edmond Tupe për atë franceze, Ilir Ikonomi për gjuhën kineze, Ëngjëllushe Shqarri për anglisht bashkë me shumë autorëve dhe përkthyes të tjerë shqiptarë nga të gjitha anët e botës; këta të fundit edhe në shenjë respekti janë treguar mjaft bujarë me autorin me mbresa dhe kujtime të bollshme njerëzore dhe profesionale.

Gjithsesi, pa mbetur në përshkrime dhe kujtime, jepen shumë sugjerime dhe rekomandime praktike edhe për politikanë/liderët kudo në botë, sepse krahas aspekteve pozitive, ka pasur jo pak raste kur nënvleftësohet dhe nuk kuptohet drejt puna dhe rëndësia e përkthyesit dhe trajtimi i tij. E kundërta ndodh me politikanët e huaj, të cilët e vlerësojnë shumë më tepër, duke krijuar lehtësitë e nevojshme, shpërblimin, kujdesin dhe respektin e shprehur për punën dhe lodhjen e tyre.

Kërkesë tjetër e drejtë për politikanët, sidomos tanët, është që të flasin thjeshtë dhe qartë me të huajt, sidomos në konferenca shtypi, pa fjali të gjata dhe me shumë ide, pa idioma dhe shprehje popullore, që mund të krijojnë dashje pa dashje me gjithë aftësitë e interpretove, probleme jo të vogla politike dhe keqkuptime ndërmjet vendeve.

Së fundi, fakti që parathënien e ka shkruar prof.as.dr. Alba Frashëri e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja është ogur i mirë për vlerësimin më të mirë të përvojës së ekspertëve tanë veteranë në këtë fushë, që nuk duan t’ia dinë për kohën dhe moshën. Botime të tilla shërbejnë dhe si tekste mësimore alternative.

Sepse, siç pohon përkthyesja e talentuar Mira Meksi, vepra e prof.dr. Eshref Ymerit është edhe “një memoralistikë e mrekullueshme e udhës së gjatë e shumë të vështirë të përkthimit në Shqipëri dhe pelegrinëve të saj. Ajo është gjithashtu një trakt plot vlerë për pedagogët e përkthimit të gjuhëve të huaja të universiteteve tona dhe udhërrëfyes për studentët e këtyre degëve që mund të kenë dëshirë një ditë t’i hyjnë me pasion fushës së përkthimit”.